Radojeviq për heqjen e muraleve: Përpjekje për të shkatërruar kujtimet e serbëve për luftëtarët e lavdishëm dhe shenjtorët
Anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, Millan Radojeviq, vlerëson se heqja e disa muraleve në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan nga ana e kryetarit jolegjitim dhe joligjor të Komunës së Mitrovicës së Veriut është një tjetër tregues se cili është synimi i vërtetë i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i Albin Kurtit.
“Veprimet më të fundit të kryetarit jolegjitim dhe joligjor të Komunës së Mitrovicës së Veriut tregojnë se cili është synimi i vërtetë i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i Albin Kurtit, përkatësisht dëshiron të shkatërrojë gjithçka që është serbe në Kosovë dhe Metohi, dhe të shkatërrojë kujtimin e serbëve për luftëtarët tanë të lavdishëm dhe për shenjtorët tanë. Veprimet e fundit të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe të kryetarit jolegjitim, ku në shoqërimin e dhjetëra policëve rilyhen muralet e kushtuara shenjtorëve tanë, luftëtarëve të lavdishëm për lirinë e serbëve në këto hapësira, janë një tjetër tregues i politikës së Albin Kurtit ndaj serbëve në Kosovë dhe Metohi”, tha Radojeviq.
Ai thekson se provokimet do të vazhdojnë deri në zgjedhjet lokale dhe u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë.
“Provokimet do të vazhdojnë dhe presim që ato të shtohen deri në zgjedhjet lokale, por unë i bëj thirrje qytetarëve të jenë të qetë, të mos bien pre e provokimeve, sepse kjo është pikërisht ajo që ata duan. Ata duan të provokojnë reagimin tonë, duan të nxisin revoltë dhe protestë te qytetarët që eventualisht do ta shfrytëzonin për ndonjë përshkallëzim dhe reagim shtesë të policisë. Aktualisht ndodhemi nën një pushtim policor dhe administrativ në veri. U bëj thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, sepse pas zgjedhjeve lokale, kryetari në largim do të humbasë legjitimitetin, dhe do të merren vendime të reja që do t’i rikthejnë shkëlqimin e dikurshëm komunave tona”, theksoi Radojeviq.
0 komentet