Familja dhe miqtë e pritën Stefanin me lot dhe përqafime: I jemi mirënjohës Zotit që është gjallë dhe në shtëpi
Stefan Stojanoviq, djaloshi 11-vjeçar i cili u plagos në Ditën e Buzmit, afër Shtërpcës, sot është lëshuar nga spitali në Graçanicë për mjekim shtëpiak, ndërsa shokët e shkollës dhe të lagjes e kanë pritur me brohoritje dhe përqafime.
Bosilka Stojanoviq, gjyshja e Stefanit, falënderoi të gjithë për ndihmën dhe përmes lotëve tha se i falenderon Zotit që nipi i saj është gjallë.
“I jemi mirënjohës Zotit që fëmija mbeti gjallë dhe të gjithë njerëzve të mirë që na vizituan dhe na ndihmuan dhe na përkrahën. Jemi mirënjohës që është gjallë dhe ka ardhur në shtëpi”, tha Bosilka.
Teodora Lubisavleviq, motra e Stefanit, tha se Stefani ua ktheu buzëqeshjen kur u kthye në shtëpi.
“Familja ime, unë, si dhe të afërmit, ishim shumë të frikësuar dhe të tronditur nga gjithçka që ndodhi. Ndoshta nuk kemi dhënë as deklarata adekuate, sepse asnjë foto apo fjalë nuk mund të shpjegojnë ndjenjat tona, se si të trishtuar dhe të tronditur ishim. Sot emocionet janë të përziera nga lumturia në trishtim, por ne i jemi mirënjohës që Stefani është gjallë dhe shëndoshë dhe që u kthye në shtëpi. Ai na ktheu buzëqeshje në fytyrat tona ndonëse jemi ende në shok për gjithë situatën, sepse festën më të gëzuar nuk e kemi festuar siç duhet”, ka thënë Teodora.
Në Ditën e Buzmit edhe Millosh Stojanoviq u plagos në dorë, i cili ditë më parë u lëshua për mjekim shtëpiak. Siç tha Milloshi, ai sot ka bërë kontroll mjekësor në Graçanicë.
"Falë Zotit, lëndimi është mirë, dora është mirë. Sot edhe Stefani doli nga spitali. Shpresoj që të shërohemi sa më shpejt dhe t'i kthehemi jetës normale", tha Millosh.
0 komentet