Patriarku Porfirije shërbeu liturgjinë në Patriarkanën e Pejës: Me besim në Zotin edhe ne ringjallemi

Patrijarh Porfirije služio liturgiju u Pećkoj patrijaršiji
Burim: Kosovo Online

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, shërbeu këtë mëngjes liturgjinë në Patriarkanën e Pejës me rastin e festës më të madhe të krishterë – Pashkëve, në praninë e një numri të madh besimtarësh. Duke iu drejtuar besimtarëve para manastirit, patriarku theksoi se duke besuar në Zotin edhe ne ringjallemi me Të, dhe se duke e dashur Atë dimë se duhet t’i duam të gjithë njerëzit – si ata që janë afër nesh dhe na kuptojnë, ashtu edhe ata që nuk na kuptojnë, nuk na pranojnë dhe ndonjëherë na refuzojnë.


“Krishti u ngjall! Ky është përshëndetja e gëzueshme me të cilën i drejtohemi dhe përshëndesim njëri-tjetrin. Dhe kjo përshëndetje zbulon tërë kuptimin dhe thelbin e jetës sonë. Sepse Zoti na ka dhënë një fjalë të rëndësishme – të mos kemi frikë. Mos kini frikë, u thotë Zoti nxënësve të Tij dhe të gjithë njerëzve deri në fund të botës dhe të kohës, sepse ekziston një frikë e thellë tek çdo njeri dhe ajo nuk është abstrakte. Është frika nga vdekja”, tha patriarku.

Ai theksoi se të gjithë njerëzit, qofshin më të fuqishmit apo më të famshmit, mbajnë brenda vetes këtë frikë të thellë nga vdekja.

“Prandaj gjatë gjithë historisë së tij njeriu është përpjekur të zgjidhë shumë probleme, dhe në fund ka tentuar të zgjidhë një të vetëm – vdekjen. Përmes shkencës, filozofisë, artit, politikës, çdo veprimtarie të tij, ai ka kërkuar të zgjasë jetën, pra të gjejë ilaç për vdekjen. Deri më sot nuk ka arritur ta bëjë këtë dhe kjo thjesht nuk është e mundur. Vdekja është ajo që askush nuk mund ta shmangë”, shpjegoi kreu i KOS-IT.

Ai theksoi se Zoti e ka zgjidhur këtë problem më të madh nga dashuria për njeriun.

“Ai e mundi vdekjen duke u bërë një nga ne. Duke vdekur, hyri në vetë rrjedhën e vdekjes dhe nga brenda e çarmatosi atë që sundon mbi ne. Nga brenda e mundi vdekjen. Prandaj, duke iu përgjigjur dashurisë së Zotit, duke besuar në Të, me besim, shpresë dhe dashuri, ne bëhemi pjesëmarrës në fitoren e Tij, në ringjalljen e Tij. Ne së bashku me Të, si ata që besojnë, ringjallemi”, theksoi patriarku.

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe nënvizoi se për këtë arsye sot gëzohemi dhe duke e dashur Zotin dimë se duhet t’i duam të gjithë njerëzit, si ata që janë pranë nesh dhe na kuptojnë, ashtu edhe ata që nuk na kuptojnë, nuk na pranojnë dhe ndonjëherë na refuzojnë.

“Sepse, duke ditur se Zoti e lavdëron çdo të drejtë, por gjithashtu e mëshiron dhe e do çdo mëkatar, duke pritur që secili të vijë në përqafimin e Tij, Ai u jep jetë të gjithëve. Prandaj sot, duke u gëzuar, të gjithë këndojmë këngën e gëzueshme ‘Krishti u ngjall prej së vdekurish’”, theksoi patriarku Porfirije.


Liturgjisë i parapriu shërbesa e mëngjesit të Pashkëve dhe procesioni fetar.

Patriarku Porfirije do të shërbejë nesër, në të hënën e Pashkëve, liturgjinë në manastirin e Deçanit, ku do të takohet me bursistët e tij, të rinjtë nga Kosova.


Kreu i KOS-it, i cili festën po e kalon me serbët në Kosovë, mbërriti në Patriarkanën e Pejës të Premten e madhe.

Besimtarët ortodoksë që ndjekin kalendarin julian sot festojnë Pashkët, festën më të gëzueshme të krishterë që simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen.