Qytetarët e Leposaviqit në protestë me shirit të verdhë rreth dorës
Disa qytetarë të Leposaviqit në protestën e sotme në atë vend vendosën në duar një shirit të verdhë me yllin e Davidit, i cili është simbol i vuajtjeve të hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore dhe jetës në geto.
Siç thonë ata, kanë dashur të vënë në dukje vuajtjet e serbëve në Kosovë. Ata u ulën pikërisht pranë telit me gjemba të përforcuar, për t'u tërhequr pastaj në masën e njerëzve. Shiritat e verdhë janë gjithashtu në telat me gjemba me të cilat pjesëtarët e KFOR-it mbronin zonën përreth ndërtesës komunale.
Qytetarët e Leposaviqit edhe sot po protestojnë paqësisht dhe kërkojnë lirimin e qytetarëve të veriut të Kosovës të cilët të hënën u arrestuan në Zveçan, por edhe që kryetarët shqiptarë dhe forcat speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Një numër i madh qytetarësh janë mbledhur para ndërtesës së komunës.
Pjesëtarët e KFOR-it po sigurojnë ndërtesën e komunës në Leposaviq dhe rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm e kanë siguruar zonën shtesë me tela me gjemba. Pas ushtarëve të KFOR-it janë ende automjete të blinduara të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Sot, KFOR-i ka lejuar Drejtorin e Qendrës për Punë Sociale, Gradimir Nastiq, të nxjerrë veturën zyrtare e cila ishte bllokuar në rrethin ku ndodhen ushtarët e KFOR-it, e rrethuar edhe me tela me gjemba. Makina Dacia Duster është parkuar në zonën e bashkisë pas orarit të punës dhe përdoret për nevoja të shërbimeve sociale dhe aty ka mbetur e bllokuar pas fillimit të protestave.
Pas hapjes së portës, ushtarët e KFOR-it ndihmuan në nxjerrjen e veturës dhe morën duartrokitje nga qytetarët e mbledhur.









0 komentet