Qytetarët e veriut për videombikqyrjen: Është e gënjeshtërt që kjo bëhet për arsye sigurie
Policia kosovare po instalon gjithmonë e më tepër kamera mbikqyrëse nëpër komuna në veri të Kosovës, ndërsa banorët e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut në bisedë me reporterët e Kosovo onlajn thonë se nuk besojnë që instalimi i kamerave bëhet për arsye sigurie.
Në Mitrovicën e Veriut qytetarët shpesh theksojnë se me këto kamera mund të cënohet privacia.
“Nuk na duhen këto, jetojmë mirë dhe pa kamera. Nëse e kanë kaq për kënaqësi të kenë kamera, le t’i kenë vetëm mos të jenë të drejtuara ndaj personave në hapësira intime. Nuk mundemi t’u bëjmë atyre asgjë dhe as ata neve. Le të bëjnë punën e tyre, ne tonën“, ka thënë një mitrovicar.
Shumë prej tyre theksojnë se nën mbikqyrjen policore ndjehen sikur të jenë në reality show. “Ndjehem sikur të jem tek 'Vëllai i Madh'. Ngado që të kthehem duhet të kem parasysh sesi të kthehem dhe çfarë do bëj, pasi kjo mund të më kushtojë më pas“, thotë një i ri.
Të përafërt na thotë dhe bashkëqytetarja e tij.
“Si tek 'Vëllai i Madh' ndihem. Ndodhin disa gjëra të paparashikuara apo të paravendosura pastaj të pyesin se çfarë ka ndodhur dhe si ka qenë dhe aty ka qindra kamera. Çmenduri dhe paturpësi”, shprehet e revoltuar ajo.
Një banore e moshuar shprehet se asaj nuk i intereson sepse, siç thotë ajo, njerëzit këtu tashmë kanë kaluar shumë të këqija.
“Gjithçka është njësoj, jemi mësuar. Policia dhe kaq. Nuk më intereson më kur kaloj para policisë, nuk kam më frikë fare. I kemi mbijetuar shumë gjërave të këqija, ndaj jemi mësuar me gjithçka”, thotë ajo.
Që kamerat janë vendosur për arsye sigurie, dyshon dhe një banor i Zubin Potokut.
"Çfarë sigurie?" Siguria e tyre... Kjo nuk ka lidhje, nuk kam koment”, na thotë ai.
“Ndihem shkëlqyeshëm, kurrë më mirë”, përgjigjet ironikisht një bashkëqytetar i tij.
Disa qytetarë thonë hapur se kanë frikë.
“E gjithë kjo është e vështirë për ne qytetarët, ja po dridhem e gjitha. Çfarë t’u them? Nuk ke ku të dalësh, nuk të lejojnë të dalësh, kemi frikë. E dini dhe vetë. Nuk guxon ta kalosh natën duke menduar se çfarë do të ndodhë nëse dikush të takon...”, tha ajo.
Zonja e moshuar në Zubin Potok na tha se është e tmerrshme se për çfarë bëhet fjalë.
“Është vështirë për njerëzit, sidomos këtu në Kollashin. Këtu të gjithë janë sërbë. A duhet të shpërngulet familja ime prej këtej? E tmerrshme se çfarë po bëhet! Po dridhem e gjitha. Nuk e di se çfarë do jetë edhe nese na lënë në pjesën veriore, djalli i mbart me vete. E dëbuan atë popull, ime motër u shpërngul nga Plemetina, ajo do të ishte shpërngulur këtu, por asgjë, gjithçka u gabua" bën të ditur ajo.
komentet