Zhiti: Nuk egziston identiteti kosovar

Visar Žiti
Burim: Koha ditore

Shkrimtari shqiptar Visar Zhiti vë në dukje se Kosova po përparon pavarësisht problemeve me të cilat ndeshet, por njëkohësisht nuk egziston identiteti kosovar dhe identiteti i kulturës kosovare, transmeton Koha.

Zhiti, i cili jeton dhe punon në Çikago të SHBA, kohët e fundit i është akorduar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, urdhëri “Nënë Tereza” për të cilën Zhiti thotë se ka peshë.  

Ish i burgosuri politik në rregjimin komunist, ka shprehur mirënjohje për Osmanin e cila në këto kohë të vështira gjeti momentin për të.

“Ishte një takim i mrekullueshëm, shumë mbresëlënës, më emocionoi dhe mallëngjeu fort. Midis punëve të shumta, presidentja gjeti kohën dhe u takua. Qoftë për figurën e Nënë Terezës, qoftë edhe për krijimtarinë time jam ndjerë shumë i nderuar. U ndjeva shumë i vlerësuar në kuptimin që kjo medalje, ka emrin e shenjtores sonë Nënë Tereza, prindërit e së cilës ishin nga Kosova", u shpreh ai.

Siç u shpreh, në Kosovë erdhi më shumë mall.

“Në një nga poezitë e mia të para, gati është bërë emblematike dhe miqtë e mi më flasin për një frazë timen: “Malli më ka marrë pa qenë kurrë”. Duket pak paradoksale, por kjo është e vërtetë. Ne shqiptarët e atjeshëm, jemi rritur me një dhimbje, me një nostalgji për Kosovën edhe pa e parë kurrë, ne e dinim se çfarë ishte në mënyrë idealiste. Në këtë mënyrë, malli këtu më praron gjithçka, kam miq, kam vende që i shoh, kam kujtime", ka shtuar ai.

Sipas tij, Kosova përveç problematikave, gjendet në pozicion të kënaqshëm.

“Sot pata rastin të vizitoj dy institucione. Së pari isha në Komunën e Prishtinës e më pas në Presidencë. Më la një përshtypje të mrekullueshme. Institucionet janë ato që ruajnë identitetin e vendit. Dhe në bisedën që bëra, aty pashë personelin, një grup këshilltarësh apo bashkëpunëtorësh që ishin me shumë kulturë, me shumë dinjitet. Gjatë bisedës me kryetarin e Komunës Përparim Rama dhe me presidenten Vjosa Osmani më është dukur se projektet e tyre janë ëndrra e çdo qytetari. Jam i kënaqur si qytetar, si shqiptar që punohet, përpiqet, kërkohet të bëhet më e mira. Me këtë nuk dua të mohoj vështirësitë, problemet dhe vuajtjet”, u shpreh ai.

Pyetjes nëse mendon se Shqipëria apo dhe populli shqiptar nuk po zgjohet nga letargjia e të kaluarës, Zhiti theksoi se ky rast nuk gjendet vetëm tek shqiptarët.

"Është një udhëtim në gati gjithë perandorinë komuniste. Herë pas here shfaqet muri ende i parrëzuar i Berlinit, apo Kulla Eifel apo shkretëtirat apo Koloseu i Romës. Është njerëzimi që shpesh hyn në një qorrsokak, por duhet ajo dritë që të na udhëheqë të na nxjerrë përtej", ka shtuar ai.

Zhiti ka vijuar rrëfimin për arratisjen nga Shqipëria.

"Egziston një Shqipëri e përjetshme. Egziston një Shqipëri që pavarësisht si janë qeveritë, asgjë nuk e zhbën, asgjë nuk e tund, Shqipërinë e ëndrrave, Shqipëria e moralit, Shqipëria e njerëzve pa emër, të thjeshtë dhe në këtë kuptim, unë i besoj kësaj Shqipërie dhe i jam përkushtuar kësaj Shqipërie. Kjo është Shqipëria ime. Dy ditë më parë ishte Panairi i Librit në Tiranë dhe unë kisha një libër të ri atje. Erdhi një funksionar shumë i lartë i shtetit shqiptar, figurë shumë e njohur. Mu afrua dhe më dha dorën dhe unë guxova t’i them në sy të të gjithëve që letërsia jonë është shumë më e mirë sesa Shqipëria juaj. Në këtë kuptim ne kemi një Shqipëri më të mirë se politikanët”, ka thënë Zhiti duke aluduar për ish presidentin e Shqipërisë Ilir Meta.

Zhiti ka treguar se sulmet ndaj tij nga ana e qeverisë shqiptare, kanë qenë jomorale dhe të paprincipta, por përvec kësaj, nuk kanë shërbyer si arsye për largimin e tij drejt SHBA.

"Kam arsyet e mia. Shqipëria ideale jeton me mua. Ajo Shqipëri që e ëndërruan rilindasit tanë këtu në Kosovë dhe në Shqipëri. Shqipëria në një farë mënyrë më ofroi burg dhe varr. Doja të isha pak më larg tyre, të isha më i qetë" theksoi ai.

Ai ka shtuar se kudo që të jetojë, gjuha është armë për luftë, paqe dhe dashuri.  

Sipas fjalëve të tij, identiteti kosovar nuk egziston.

"Nuk egziston letërsi e Kosovës. Ka letërsi shqipe. Ajo edhe kur ka qenë e ndarë, prapë ishte letërsi shqipe. Ishte një letërsi në dy realitete. Sot po mundohemi dhe ndoshta po afrohemi të kemi një letërsi me literaturë të përbashkët. Është gabim i madh. Nuk ka identitet kosovar, nuk ka kulturë kosovare. Mendoj se profesor Qosja herët ka folur se letërsia kosovare është si të shkruash letërsi shkodrane, letërsi nga Vlora, nga Myzeqeja, prandaj është një. Është detyrë ta transmetojmë librin më mirë tek njëri-tjetri. Bashkëpunimi të jetë më i hapur. Libri që del në Tiranë të jetë i pranishëm edhe këtu, të vijë njëkohësisht këtu dhe libri që del këtu, të jetë i pranishëm edhe në Tiranë. Fakti që autorë nga Kosova botojnë në Tiranë dhe marrin çmime sepse i tillë është ai konkurs që vlerëson veprat që janë botuar në atë vend dhe një autor nga Tirana boton këtu dhe vlerësohet me çmim, do të thotë se ka një evoluim, një ndryshim, një qasje të ëndërruar që na thërret për të bërë akoma më shumë” tha ai.

Zhiti tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për kulturën, shpesh duket si “punë zyre”.