Paneli zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa: Vendimi i paligjshëm i KQZ-së për Listën Serbe, pranohet ankesa

IPŽP
Burim: Reporteri

Paneli zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur në favor të Listës Serbe, duke pranuar ankesën e saj ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos certifikojë listën e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Me këtë vendim, PZAP ka anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, me të cilin ishte refuzuar certifikimi i kandidatëve të Listës Serbe.

Sipas arsyetimit, vendimi i KQZ-së nuk ishte bazuar si duhet në ligj dhe nuk ishte vërtetuar bindshëm se kandidatët në fjalë shkelin nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.

PZAP i ka kërkuar KQZ-së të certifikojë listën e kandidatëve të Listës Serbe për komunat ku ka paraqitur pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

KQZ kishte refuzuar të certifikojë kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet lokale, kur dy anëtarë kishin votuar pro, dy kundër, ndërsa shtatë kishin qenë të përmbajtur.

Pas kësaj, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, më 22 gusht deklaroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës, me refuzimin për të certifikuar kandidatët e kësaj liste për zgjedhjet e ardhshme lokale, ka marrë një vendim diskriminues dhe të kundërligjshëm.

Lidhur me këtë vendim të KQZ-së, janë deklaruar edhe BE-ja dhe Quint-i, duke theksuar në një komunikatë se një akt i tillë i përjashtimit të disa komuniteteve minon parimet demokratike dhe dëmton besimin në institucionet e Kosovës.

“Presim nga qeveria në largim dhe nga të gjitha partitë politike që të përmbahen nga veprime të tjera që mund të pengojnë regjistrimin e partive. Të gjitha procedurat duhet të zbatohen rreptësisht në përputhje me rregullat dhe mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Njëkohësisht, inkurajojmë partitë e prekura që të shfrytëzojnë plotësisht mundësitë e Panelit zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të kërkuar mbrojtje ligjore”, theksohet në komunikatë.