Popoviq: Zgjedhjet e 12 tetorit më të rëndësishmet deri tani, ekzistojnë përpjekje për albanizimin e komunave serbe

Srđan Popović
Burim: Kosovo Online

Anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, Srgjan Popoviq, theksoi se zgjedhjet lokale të ardhshme në Kosovë, më 12 tetor, janë më të rëndësishmet deri tani, por gjithashtu vuri në dukje se ekzistojnë pengesa të vazhdueshme nga Prishtina dhe përpjekje për albanizimin e komunave serbe.

Popoviq tha për TV Prva se Lista Serbe është vazhdimisht në terren dhe në kontakt me qytetarët, duke u theksuar atyre se zgjedhjet e ardhshme janë më të rëndësishmet deri më sot për shkak të presioneve me të cilat serbët në Kosovë përballen çdo ditë.

Ai shtoi se Lista Serbe ka mbajtur disa konventa të mëdha, ku e fundit ishte në Leshkë, dhe se pjesëmarrja e qytetarëve ishte shumë e mirë.

„Do të punojmë pandërprerë deri më 12 tetor. Do të vizitojmë qytetarët për t’i motivuar të dalin në zgjedhje. Jemi në kontakt të përditshëm me ta dhe përpiqemi t’i shpjegojmë popullit tonë sa e rëndësishme është të votohet në këto zgjedhje. Qytetarët tanë janë të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhen dhe e shohin se vetëm Lista Serbe është lidhja kryesore midis shtetit të Serbisë dhe serbëve që jetojnë në këto hapësira“, theksoi Popoviq.

Duke folur për manipulimet me listat zgjedhore, për të cilat ka paralajmëruar Lista Serbe, përkatësisht për rritjen e numrit të votuesve shqiptarë në listat e komunave me shumicë serbe, Popoviq tha se kjo është një situatë shumë e rëndë, sepse shqiptarët, sipas tij, qëllimisht përpiqen të pengojnë jetën e serbëve në të gjitha komunat serbe të Kosovës.

„Ne e kemi pritur këtë. Ata përpiqen të albanizojnë komunat tona. Kemi informacione se disa shqiptarë as nuk e kanë ditur që janë gjetur në listat e votuesve në Graçanicë“, vuri n; dukje Popoviq.

Sipas tij, kjo është inxhinieri politike, duke shtuar se pas zgjedhjeve duhet diskutuar edhe me bashkësinë ndërkombëtare se si të luftohet në të ardhmen kundër këtyre dukurive.

„A janë komunat serbe dhënë serbëve që ata të mbijetojnë këtu, apo do t’u lejohet shqiptarëve të prishin strukturën etnike dhe nesër t’i marrin ato komuna“, pyeti Popoviq.

I pyetur nëse pret që dita e zgjedhjeve më 12 tetor të kalojë në paqe, ai kujtoi se çdo ditë ka pengesa – që nga fillimi i fushatës dhe përpjekjet për t’i ndaluar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje, ndalimin e një spoti zgjedhor, e deri te zvogëlimi i numrit të anëtarëve në këshillat zgjedhorë.

„Do të ketë ende pengesa, por ne nuk kemi kohë të merremi me to. Ka mbetur edhe shtatë ditë deri në zgjedhje dhe ato do t’ua kushtojmë sa më shumë votuesve, për t’ua treguar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, si dhe për të inkurajuar të zhvendosurit që kanë letërnjoftime të Kosovës të vijnë e të votojnë, duke ndihmuar serbët që kanë mbetur të jetojnë në këto hapësira“, përfundoi Popoviq.