Gjermania përgjysmon kuotat: Çfarë i pret punëtorët nga Ballkani Perëndimor?
Gjermania nga viti 2027 do ta përgjysmojë kuotën vjetore për punësimin e punëtorëve nga Ballkani Perëndimor, gjë që do të kufizojë një nga rrugët e hyrjes në tregun gjerman të punës, por, sipas vlerësimeve të bashkëbiseduesve të Kosovo online, nuk do ta ndalë emigrimin nga rajoni.
Shkruan: Sllobodan Cagiq
Gjermania nga 1 janari 2027 do ta përgjysmojë kuotën vjetore për punëtorët nga Ballkani Perëndimor, në kuadër të së ashtuquajturës Rregullore për Ballkanin Perëndimor, nga 50.000 në 25.000 persona.
Bëhet fjalë për një masë që ishte parashikuar që në marrëveshjen e koalicionit të Qeverisë gjermane të vitit 2025, ndërsa zbatimin e saj nga fillimi i vitit 2027 Qeveria gjermane e konfirmoi edhe një here në konferencën për shtyp të 3 korrikut 2026.
Në fund të shtatorit reagoi Shoqata Qendrore e Industrisë Gjermane të Ndërtimit, duke paralajmëruar për pasojat e uljes së planifikuar të kuotës. Nga kjo shoqatë theksuan se sektori i ndërtimit shfrytëzon rreth 30 për qind të vizave të këtij programi dhe se përgjysmimi i kuotës mund të godasë veçanërisht sektorin që mbështetet te punëtorët nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Rregullorja për Ballkanin Perëndimor vlen për Serbinë, Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Sipas të dhënave të Agjencisë Federale Gjermane të Punës, kjo rregullore mundëson marrjen e vizës për punë në Gjermani pa njohjen paraprake të kualifikimeve formale profesionale dhe, në parim, zbatohet për pothuajse të gjitha llojet e punësimit.
Ndërsa ministritë gjermane theksojnë se ekzistojnë edhe mënyra të tjera për ardhjen e punëtorëve dhe se shteti nuk i orienton ata drejt profesioneve të caktuara, përfaqësuesit e ekonomisë dhe ekspertët paralajmërojnë se ulja e kuotës mund ta vështirësojë plotësimin e vendeve të punës, të nxisë largimin drejt tregjeve të tjera dhe ta thellojë më tej mungesën e fuqisë punëtore në Ballkanin Perëndimor.
Qytetarët e Kosovës vitin e kaluar morën më së shumti miratime për punë sipas “Rregullores për Ballkanin Perëndimor”
Zëdhënësja e Ministrisë gjermane të Punës dhe Çështjeve Sociale (BMAS) deklaroi për Kosovo online se gjatë vitit 2025, numrin më të madh të miratimeve paraprake për punësim në kuadër të kësaj rregulloreje e morën qytetarët e Kosovës – 11.980. Pas tyre renditeshin qytetarët e Shqipërisë me 10.345 miratime, të Maqedonisë së Veriut me 9.917 dhe të Serbisë me 9.253. Qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës iu dhanë 7.525 miratime paraprake, ndërsa atyre të Malit të Zi 980, duke e çuar numrin e përgjithshëm në saktësisht 50.000. Bëhet fjalë për miratime paraprake të Agjencisë Federale të Punës dhe jo për numrin përfundimtar të vizave të lëshuara.
Në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme gjermane ndaj pyetjeve të Kosovo online thuhet se gjatë vitit 2025, në kuadër të “Rregullores për Ballkanin Perëndimor”, janë shqyrtuar gjithsej 33.731 kërkesa për vizë. Prej tyre, 7.279 ishin kërkesa të qytetarëve të Kosovës, 6.929 të shtetasve të Maqedonisë së Veriut, 6.893 të shtetasve të Shqipërisë, 6.161 të shtetasve të Bosnjës dhe Hercegovinës, 5.837 të shtetasve të Serbisë dhe 632 të shtetasve të Malit të Zi.
Me uljen e kuotës do të kufizohet kjo mënyrë konkrete e hyrjes në tregun gjerman të punës, por, siç theksojnë nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, ekzistojnë edhe mënyra të tjera për ardhjen e punëtorëve nga vendet e treta. Ndër to janë mundësitë e punësimit afatshkurtër brenda kuotave të përcaktuara, rregulloret e veçanta për punëtorët e kualifikuar me arsim profesional ose universitar të njohur, si dhe procedurat e posaçme për kategori të caktuara, përfshirë kujdestarët dhe shoferët profesionistë.
Ulja e kuotave nuk do ta zgjidhë mungesën e fuqisë punëtore në Serbi
Zëdhënësja e Unionit të Punëdhënësve të Serbisë, Jelena Jevtoviq, deklaroi për Kosovo online se ulja e paralajmëruar e kuotës për punëtorët nga Ballkani Perëndimor në Gjermani, nga 50.000 në 25.000 në vit, nuk do ta zgjidhë problemin e mungesës së fuqisë punëtore në Serbi dhe se, për t'i mbajtur punonjësit, është e nevojshme të rriten konkurrueshmëria e ekonomisë vendase, produktiviteti dhe pagat.
“Sa u përket punëtorëve, Gjermania ka qenë një nga tregjet më të kërkuara të punës gjatë dekadave të fundit për punëtorët tanë, ndërsa nga ana tjetër përbën një sfidë për punëdhënësit tanë, duke pasur parasysh se po largohen kuadro për të cilat ka nevojë edhe vendi ynë”, tha Jevtoviq për Kosovo online.
Sipas saj, nevojat e tregut serb dhe atij gjerman të punës përputhen në masë të madhe, veçanërisht kur bëhet fjalë për profesionet në të cilat tashmë ka mungesë të punonjësve.
“Këta janë punëtorët në sektorët e ndërtimtarisë, prodhimit, transportit, logjistikës, hotelerisë dhe gastronomisë, si dhe në të gjitha profesionet zejtare, dhe kjo sigurisht përbën problem”, tha ajo.
Largimi i punëtorëve ua vështirëson edhe më shumë punëdhënësve vendas gjetjen e kuadrove të kualifikuara, pasi ata nuk konkurrojnë vetëm me kompanitë e tjera në Serbi, por edhe me punëdhënësit nga vendet ekonomikisht më të zhvilluara.
“Në Serbi mungojnë shumë kuadro pikërisht sepse largohen drejt vendeve si Gjermania. Punëdhënësi serb, për të gjetur një punëtor të kualifikuar, përveç konkurrencës brenda Serbisë, përballet edhe me konkurrencën e punëdhënësve gjermanë dhe të gjithë punëdhënësve në këto vende perëndimore”, shpjegoi Jevtoviq.
Si një nga mënyrat për t'u mundësuar punëtorëve paga më të larta dhe për të zvogëluar trysninë mbi tregun vendas të punës, Unioni i Punëdhënësve të Serbisë prej vitesh angazhohet për krijimin e kushteve më të favorshme për të bërë biznes.
Krahas masave ekonomike, ajo veçon edhe harmonizimin e arsimit me nevojat e ekonomisë si një parakusht të rëndësishëm.
“Një tjetër faktor i rëndësishëm që e theksojmë është reforma e sistemit arsimor, sepse është e domosdoshme që sistemi arsimor t'u përshtatet nevojave të tregut dhe të përgatiten kuadro për të cilat ka nevojë ekonomia. Punëdhënësi, me gjithë vullnetin dhe dëshirën e mirë për të punësuar dikë, për t'i paguar një pagë të mirë dhe për t'i siguruar kushte të mira pune, thjesht nuk mund të punësojë kuadro që nuk ekzistojnë”, theksoi ajo.
Jevtoviq konsideron se ulja e paralajmëruar e kuotës gjermane mund të shërbejë edhe si nxitje për institucionet vendase që të rishqyrtojnë propozimet e punëdhënësve.
Siç përfundoi ajo, qëllimi duhet të jetë që punëtorët vendas të kenë më shumë arsye për të qëndruar në Serbi, në vend që punëdhënësit, për shkak të vendeve të paplotësuara të punës, të detyrohen të angazhojnë fuqi punëtore nga jashtë.
Kjo masë nuk do ta ndalojë largimin e punëtorëve nga Kosova
Profesori i ekonomisë nga Prishtina, Shkumbin Misini, vlerëson për Kosovo online se ulja e kuotës vjetore për punëtorët nga Ballkani Perëndimor në Gjermani, nga 50.000 në 25.000, nuk do ta ndalë largimin e fuqisë punëtore nga rajoni. Ai paralajmëron se arsyet e emigrimit shkojnë përtej çështjes së punësimit dhe nivelit të pagave dhe se Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të përballen në vitet e ardhshme me mungesë gjithnjë e më të madhe të punëtorëve dhe me nevojën për t'i sjellë ata nga jashtë.
Largimi i fuqisë punëtore nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor gjatë viteve të fundit ka kontribuar në uljen e papunësisë, por njëkohësisht ka zvogëluar numrin e njerëzve në dispozicion të ekonomisë vendase, vlerëson profesori Misini.
“Zhvillimet në tregun e punës gjatë pesë viteve të fundit në të gjithë Ballkanin Perëndimor kanë çuar në zvogëlimin e fuqisë punëtore në Kosovë. Kjo ka shkaktuar edhe uljen e shkallës së papunësisë në vendet e rajonit. Megjithatë, besoj se do të ndikojnë edhe faktorë të tjerë, pasi dëshira e njerëzve për t'u larguar nga vendet e Ballkanit Perëndimor është e madhe, për shkak të pakënaqësisë me gjendjen në vendet e tyre dhe pasigurisë lidhur me mënyrën se si qeverisen ato”, tha Misini për Kosovo online.
Sipas tij, vendimi për t'u larguar nuk përcaktohet vetëm nga mundësia e punësimit dhe niveli i pagës, por edhe nga cilësia e jetës, e ardhmja e fëmijëve, kujdesi shëndetësor dhe ndjenja e sigurisë.
Për këtë arsye, ai konsideron se ulja e kuotës gjermane nuk do ta ndalë trendin ekzistues të largimeve. Ai veçon veçanërisht profesionet e kërkuara të zanatit, përfaqësuesit e të cilave mund të gjejnë punë edhe në tregje të tjera evropiane.
“Dëshira e qytetarëve të Kosovës për t'u larguar është shumë e madhe, veçanërisht kur bëhet fjalë për profesione të specializuara, si elektricistët, hidraulikët, punëtorët e ndërtimit e të ngjashme. Vetë fakti që po vendoset një kufizim tregon se interesimi i qytetarëve për t'u larguar vazhdon të jetë i pranishëm”, tha ai.
Misini paralajmëron se, nëse nuk ndryshojnë politikat dhe mënyra e qeverisjes në vendet e rajonit, largimi mund të përfshijë edhe njerëzit për të cilët paga nuk është problemi kryesor, por që shqetësohen për sigurinë dhe kujdesin shëndetësor.
“Ajo që më shqetëson është se, nëse nuk ndryshojnë politikat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mënyra se si qeverisen ato, do të fillojnë të largohen edhe njerëzit për të cilët paga nuk përbën problem, por që janë të pakënaqur me pasigurinë dhe kujdesin shëndetësor. Ata kanë frikë se në të ardhmen e afërt nuk do të kenë stabilitet në vendin e tyre, as sa i përket sigurisë së shtetit dhe as kujdesit shëndetësor”, tha Misini.
Si një nga rreziqet më të mëdha, ai veçon largimin e personave me arsim të lartë dhe të kualifikuar, gjë që do ta vështirësonte edhe më shumë plotësimin e vendeve të punës në vendet që tashmë po përballen me zvogëlimin e fuqisë punëtore në dispozicion.
Duke iu referuar një raporti të Bankës Botërore, ai thekson se pritet që nevojat e rajonit për punëtorë nga jashtë të rriten ndjeshëm.
Si shembuj të vendeve ku nevoja për punëtorë nga jashtë tashmë është e dukshme, Misini veçon Shqipërinë dhe Malin e Zi. Ai shton se gjatë sezonit veror në këto vende ka kërkesë të madhe për punëtorë, përfshirë edhe qytetarët e Kosovës.
Vendimi i qeverisë gjermane do të ndikojë më shumë në Kosovë dhe Shqipëri
Drejtoresha e agjencisë së punësimit në Gjermani “Kontekst” nga Shkupi, Aleksandra Bozhinovska, vlerësoi për Kosovo online se ulja e kuotës vjetore për punëtorët nga Ballkani Perëndimor do të prekë më së shumti Kosovën dhe Shqipërinë, ku, sipas vlerësimit të saj, interesimi për të shkuar në Gjermani është më i madhi. Ajo thekson se, pavarësisht zvogëlimit të numrit të vendeve të disponueshme, mundësitë e punësimit ndryshojnë në varësi të llojit të punës, ndërsa përvojat e punëtorëve varen kryesisht nga përgatitja e tyre dhe pritshmëritë reale.
Sipas vlerësimit të saj, në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, procedura e përpunimit të dokumentacionit kryesisht zhvillohet pa pritje të gjata, gjë që, sipas saj, tregon për një interesim më të vogël krahasuar me Kosovën dhe Shqipërinë.
“Ulja do të prekë më së shumti Kosovën dhe Shqipërinë, sipas supozimit tim, sepse aktualisht pikërisht në këto dy vende pritet më gjatë për marrjen e lejes së punës. Në Maqedoni, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, dokumentet përpunohen brenda ditës. Vlerësimi im është se nuk ka interesim të mjaftueshëm. Kuota që na është ndarë është e mjaftueshme për ne. Edhe nëse zvogëlohet, mund të ketë një ngecje të vogël, por jo të madhe, ndërsa tek ata interesimi është jashtëzakonisht i madh dhe atje do të ndihet problemi”, tha Bozhinovska.
Sa u përket llojeve të punëve për të cilat do të ketë vende të disponueshme, ajo shpjegon se e ashtuquajtura Rregullore për Ballkanin Perëndimor nuk nënkupton orientimin e punëtorëve vetëm drejt profesioneve që kërkojnë kualifikime të veçanta. Mundësitë e punësimit ekzistojnë në sektorë të ndryshëm, për sa kohë që ka vende të lira brenda kuotës së parashikuar.
Bozhinovska thotë se nuk ekziston një grupmoshë e vetme që mbizotëron në mesin e personave që largohen drejt Gjermanisë. Për t'u larguar vendosin si të rinjtë që ende studiojnë, ashtu edhe personat që tashmë kanë krijuar familje, por edhe ata që po i afrohen moshës 45-vjeçare, të cilën ajo e përmendi si të rëndësishme në kontekstin e punësimit.
“Ka njerëz të ndryshëm. Ka nga ata që po i afrohen moshës 45-vjeçare, të rinj që largohen, studentë që punojnë disa vera radhazi, përfundojnë studimet, diplomojnë dhe pas njëfarë kohe i bëjnë valixhet e largohen. Largohen edhe familjarë me fëmijë, largohen të rinjtë – të gjithë po largohen”, thotë Bozhinovska.
Përvojat e punëtorëve në Gjermani, sipas saj, janë kryesisht të mira, por varen shumë nga fakti se sa i përgatitur është personi për t'u larguar, nëse e di se çfarë pune e pret dhe çfarë kushtesh mund të presë. Problemi lind kur kandidatët largohen me pritshmëri joreale ose presin që punëdhënësi t'ua sigurojë paraprakisht gjithçka, përfshirë punën dhe akomodimin.
Duke folur për interesimin për të shkuar në Gjermani këtë vit, ajo thotë se ai vazhdon të ekzistojë, por se gjatë dy viteve të fundit është zvogëluar vëllimi i punës edhe për agjencitë që ndërmjetësojnë në punësim. Si një nga arsyet, ajo përmend situatën ekonomike në Gjermani, për shkak të së cilës, siç shpjegon, përparësi në punësim u jepet fillimisht punëtorëve vendas.
Bozhinovska shton se është e rëndësishme të përzgjidhen me kujdes vendet e punës ku dërgohen kandidatët. Si shembull, ajo përmend punën në qendrat e shpërndarjes së Amazonit, për të cilën ka interesim në mesin e njerëzve nga Ballkani, por që, sipas vlerësimit të saj, mund të jetë shumë e lodhshme për shkak të numrit të madh të pakove që punëtorët duhet të përpunojnë dhe transportojnë gjatë ditës.
Përgjysmimi i kuotës nuk është mbyllje rruge, por do të krijojë probleme
Eksperti i ekonomisë dhe punësimit nga Shqipëria, Eduard Gjokutaj, vlerësoi për Kosovo online se vendimi i Gjermanisë për ta përgjysmuar nga viti 2027 kuotën vjetore për punëtorët nga Ballkani Perëndimor nuk do ta mbyllë rrugën drejt punësimit në këtë vend, por do të krijojë probleme për punëtorët dhe shtetet e rajonit. Sipas tij, pasojat do të ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, në varësi të numrit të personave që largohen dhe profesioneve në të cilat janë të punësuar, ndërsa ndër sektorët më të përfaqësuar janë shëndetësia, ndërtimtaria dhe turizmi.
Gjokutaj tha për Kosovo online se ulja e kuotës vlen për të gjithë Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për punëtorët që nuk kanë kualifikime të veçanta profesionale, por zotërojnë aftësi të nevojshme për veprimtaritë e shërbimeve dhe profesionet bazë.
“Ky vendim nuk e mbyll rrugën drejt punësimit në Gjermani, por numri i vendeve është zvogëluar. Gjermania po bën plane, sepse aktualisht në këtë vend ka më shumë se 170 profesione në të cilat mungojnë punëtorët. Ajo dëshiron të bëjë një rishpërndarje më të mirë të punonjësve dhe një planifikim që nuk lidhet vetëm me vendet e Ballkanit”, tha Gjokutaj.
Sipas vlerësimit të tij, ulja e kuotës mund të ndikojë në lidhjen e kontratave të punës, sistemimin e punëtorëve në qytetet ku do të punësohen dhe gjetjen e mundësive alternative të punësimit. Ai pret gjithashtu që ky vendim të mund t'i nxisë vendet e rajonit të rishqyrtojnë politikat e brendshme dhe strategjitë lidhur me largimin e organizuar të fuqisë punëtore.
Duke folur për vendet që mund të preken më së shumti, Gjokutaj veçoi Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe Shqipërinë, nga e cila, sipas tij, një numër i madh punëtorësh janë larguar drejt Gjermanisë për një periudhë më të gjatë.
Ai theksoi se ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor ekzistojnë ngjashmëri, por edhe dallime në strukturën e fuqisë punëtore që largohet drejt Gjermanisë. Për këtë arsye, sipas vlerësimit të tij, pasojat e uljes së kuotës nuk do të jenë të njëjta për të gjitha shtetet dhe nuk do t'i prekin në mënyrë të barabartë të gjitha profesionet.
“Sa i përket Shqipërisë, është e nevojshme të shqyrtohet se si vendi mund t'u përshtatet rrethanave të reja, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, nga i cili një numër i konsiderueshëm punëtorësh të kualifikuar janë larguar drejt Gjermanisë. Për punësimin në këtë sektor ekzistojnë procedura dhe kushte të veçanta lidhur me njohjen e kualifikimeve profesionale, prandaj Shqipëria duhet të rishqyrtojë strategjinë dhe mënyrën e saj të koordinimit”, tha Gjokutaj.
Duke theksuar se ndër profesionet e kërkuara janë edhe kuzhinierët dhe kamerierët, Gjokutaj thotë se pritshmëritë e tyre në Gjermani shpesh janë më të mëdha sesa realiteti me të cilin përballen pas mbërritjes.
Sipas tij, suksesi i punëtorëve në Gjermani varet edhe nga mundësia për të avancuar njohuritë profesionale dhe për t'u zhvilluar në mjedise ku ka një numër më të madh industrish dhe veprimtarish ekonomike. Një përvojë e tillë mund t'i ndihmojë ata të fitojnë siguri profesionale dhe të sigurojnë të ardhura më të qëndrueshme, ndërsa një pjesë të fitimeve ta dërgojnë në vendin e origjinës përmes remitancave.
Nga ana tjetër, Gjokutaj thekson se punësimi i ligjshëm në Gjermani sjell edhe përfitime të caktuara afatgjata, pasi vitet e punës regjistrohen, ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore mund të njihen edhe në Shqipëri, në përputhje me marrëveshjen ndërmjet dy vendeve.
0 komentet