Gjuriq: Kritika boshe e Gërvallës, Prishtina shemb vazhdimisht vlerat europiane

Ministri i punëve të jashtme të Sërbisë Marko Gjuriq ka thënë se kritika e Donika Gërvallës ndaj Sërbisë për vizitën e Aleksandar Vuçiqit në Moskë, nuk është e bazuar në vlera europiane pasi është pikërisht administrata prishtinase ajo që shemb të gjitha vlerat europiane.
“Kritika e Donika Gërvalla-Shvarc ndaj Sërbisë-gjoja e bazuar në vlera europiane-tingëllon bosh kur administrata e saj në Prishtinë shemb aktivisht këto vlera përditë” shkruan Gjuriq në rrjetin social “X“.
Ai tha se populli sërb në Kosovë vuan përjashtimin sistematik, ndërsa Prishtina, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të BE, akoma nuk ka respektuar kërkesat që rrjedhin nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 për Bashkësinë e Komunave me shumicë sërbe si gur themeli të bashkëjetesës.
Përkundër kësaj, tha se lidershipi sërb përfshirë presidentin Vuçiq ka kërkuar vazhdimisht dialog duke u përballur me sfida komplekse rajonale me qëllim promovimin e stabilitetit, ndërsa Albin Kurti i jep përparësi masave të dëmshme të njëanshme që thellojnë ndasitë, duke e larguar Kosovën dhe rajonin edhe më larg Europës-duke hapur vetë hapësirën për ndikim të jashtëm.
“Veprimet e Kurtit e vendosën atë shumë lart në listën e agjentëve më efektivë të ndikimit anti-europian në rajon”, konstatoi ministri.
Gjuriq tha se Sërbia mbetet e vendosur të respektojë të drejtat e saj sipas Marrëveshjeve të Brukselit, Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB dhe ligjeve.
"Ndërkohë, qëndrimi parimor i Sërbisë mbi çështjet globale, përfshirë dhe çështjen e Ukrainës, respektohet gjerësisht në BE dhe jashtë saj. Kontradiktat e Prishtinës janë të dukshme për Europën dhe bashkësinë ndërkombëtare", konkludon Gjuriq.
0 komentet