Popoviq: Situatë e rëndë, serbët nuk mund ta ndërtojnë të ardhmen në Kosovë në një atmosferë frike

Srđan Popović
Burim: Kosovo Online

Anëtari i Kryesisë dhe deputeti i Listës Serbe, Srgjan Popoviq, deklaroi sot se situata e sigurisë për serbët në Kosovë është shumë e rëndë dhe se gjithçka që po ndodh – rrahja e Nenad Rashkoviqit, bastisjet, kontrollet, arrestimet dhe rrënimi i objekteve në Gazivodë, krijon një atmosferë kaosi, në të cilën populli serb nuk mund ta ndërtojë të ardhmen.

„Situata e sigurisë është mjaft e rëndë. Nenad Rashkoviq nuk është i vetmi që është rrahur, por njerëzit, nga frika, nuk guxojnë të flasin. Ajo që i ndodhi Nenadit do të lërë gjurmë të thella te populli serb. Ta çoni një njeri në pyll dhe ta rrihni pa mëshirë për ta detyruar të pranojë diçka që nuk e ka bërë, një gjë të tillë Policia e Kosovës, apo cilado polici në botë, nuk duhet t’ia lejojë vetes“, tha Popoviq për Newsmax Balkans.

Kur shihni uniformën, duhet të ndiheni të sigurt dhe jo të keni frikë prej saj, shtoi Popoviq.

„Ndalimet, arrestimet, bastisjet e shtëpive, rrahjet, rrënimi i objekteve në Gazivodë dhe thirrjet për marrje në pyetje të drejtuesve të Listës Serbe, të gjitha këto krijojnë një atmosferë kaosi, në të cilën populli ynë sigurisht që nuk mund ta ndërtojë të ardhmen“, paralajmëroi Popoviq.

Ai vuri në dukje se, megjithëse edhe disa persona të tjerë kanë përjetuar dhunë, shumë pjesëtarë të popullit serb nuk dëshirojnë të flasin për këtë nga frika.

„Kjo atmosferë, të cilën institucionet e Prishtinës po përpiqen ta krijojnë, veçanërisht në veri të Kosovës e Metohisë, duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë“, porositi Popoviq.

Ai tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë se komunikatat e bashkësisë ndërkombëtare, të cilat dënojnë një sjellje të tillë, janë të mangëta dhe të pamjaftueshme.

„Kjo nuk mjafton. Gjithçka përfundon me kaq dhe nuk ndërmerret asnjë veprim i duhur, nuk vendosen sanksione ndaj institucioneve, individëve apo politikës së Prishtinës, ndërsa ata vazhdojnë të veprojnë sipas mënyrës së tyre. Nuk besoj se do të ndalen derisa bashkësia ndërkombëtare të vendosë sanksione të përshtatshme“, tha Popoviq.

Ai deklaroi gjithashtu se Lista Serbe i është drejtuar shumë herë bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjitha adresave të mundshme, duke shpjeguar represionin ndaj të cilit janë të ekspozuar serbët në Kosovë.

„Në këto takime ne ankohemi, ata na dëgjojnë, por në fund mungojnë masat që do të ishin efektive në terren“, tha Popoviq.

Ai theksoi se nuk mbetet gjë tjetër veçse të paraqitet në të gjitha adresat e mundshme ajo ndaj së cilës serbët janë të ekspozuar nga Prishtina dhe të shpresohet se bashkësia ndërkombëtare do të reagojë në mënyrën e duhur.

Popoviq tha se Prishtina po përpiqet të krijojë një atmosferë frike, sepse vetëm në një mjedis të tillë mund të sundojë, dhe të gjitha këto i bën nën petkun e integrimit.

„Megjithatë, duhet ta dinë se integrimi dhe besimi ndaj institucioneve nuk ndërtohen me rrahje, arrestime dhe rrënim objektesh. Me këtë sjellje dhe me një politikë të tillë, kjo nuk do të ndodhë“, shpjegoi Popoviq.