Rashkoviq: Më rrahën tre policë, më lidhën në një dru dhe më kërkuan pushkën, por unë nuk kam pushkë
Nenad Rashkoviq, i cili dje u rrah brutalisht nga Policia e Kosovës, deklaroi për Kosovo online se tre policë e nxorën nga shtëpia e tij familjare, pas së cilës e lidhën në një dru dhe e rrahën, duke kërkuar që t’u jepte pushkën, të cilën, siç tha ai, nuk e posedon.
“Erdhën tre prej tyre në shtëpinë time në Dren dhe, sapo mbërritën, më hodhën mbi shtrat dhe më rrahën. Kërkonin pushkën, por unë nuk kam pushkë. Pas kësaj thanë se do të vinin përsëri në orën 17:00 dhe se duhej t’ua sillja pushkën”, tregoi Rashkoviq.
Më pas, siç shtoi ai, i vunë prangat, atë e morën në pyll duke e lidhur pas druve.
“Dhe më rrahën me tubo uji, ndërsa në gojë më vunë një leckë”, shtoi ai.
Gjatë gjithë kohës, siç tha, kërkonin prej tij që ta gjente pushkën dhe t’ua dorëzonte.
“Më rrahën, por unë nuk kam pushkë”, tha Rashkoviq.
Sipas tij, më pas u larguan dhe e lanë të lidhur, por u kthyen dhe e liruan.
“Më çuan poshtë, në rrugë. Më lanë në asfalt, ndërsa unë u ktheva në këmbë drejt shtëpisë. Ngadalë, ngadalë. Kur mbërrita në shtëpi, filloi tmerri. Hynin me forcë në shtëpi, ma frikësonin djalin, ma keqtrajtonin gruan, duke i thënë: ‘A do që të të dëbojmë në Shqipëri?’. Gruaja ime është shqiptare”, tha Rashkoviq, me të cilin Kosovo online bisedoi në Qendrën Klinike-Spitalore të Mitrovicës, ku ai është shtruar për trajtim.
Ai shtoi se i kishin thënë se nesër do të vinin përsëri tek ai.
“Unë nuk di çfarë të bëj”, tha Rashkoviq.
Mjeku i Qendrës Klinike-Spitalore të Mitrovicës, Goran Radojeviq, deklaroi për Kosovo online se pacienti Nenad Rashkovia ishte pranuar në këtë institucion shëndetësor për shkak të lëndimeve të marra gjatë një sulmi fizik të kryer nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Radojeviq tha se Rashkoviq, pas pranimit, iu nënshtrua ekzaminimit klinik dhe diagnostikimit dhe se aktualisht ndodhet në dhomën e reanimacionit, nën kujdesin e ekipit përkatës mjekësor dhe me terapinë e duhur.
“Diagnostikimi është ende në vazhdim. Po bëhet një ‘body scan’, i cili do t’i tregojë lëndimet e brendshme të shkaktuara me ndonjë send të rëndë. Mavijosjet janë të dukshme. Ka në shpinë, në kraharor dhe në kokë”, tha Radojeviq.
Ai shtoi se bëhet fjalë për lëndime të rënda, ndërsa ecuria e mëtejshme e gjendjes klinike varet nga rezultatet e diagnostikimit dhe nga gjendja e pacientit.
Radojeviq shtoi se përfundimi i diagnostikimit mund të pritet pas afërsisht dy orësh.
“Aktualisht është në gjendje të qëndrueshme dhe nën mbikëqyrjen e mjekëve”, tha Radojeviq, kirurg ortoped.
0 komentet