Vuçiq: E kuptova Kurtin, por BKS duhet të formohet
Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq kuptoi se formimi i Bashkësisë së Komunave Sërbe është i papranueshëm për kryeministrin kosovar Albin Kurti, por thekson se detyrimet që janë ndërmarrë më herët duhet të përmbushen.
Pas takimit me Albin Kurtin në Bruksel, Vuçiq ka thënë se shpreson që Bashkësia e Komunave Sërbe së shpejti do të formohet.
"Me shumë vëmendje e kam dëgjuar zotin Kurti dhe e kuptova përse për të kjo është e papranueshme, por këto janë detyrime të cilat duhet të përmbushen dhe besoj se do të përmbushen në periudhën vijuese. Mos harroni se Këshilli Evropian më 23 dhe 24 mars, duan të kenë një raport nëse kemi arritur diçka dhe në bazë të tij, do të trajtojnë integrimet tona evropiane. Për njërën e për tjetrën", ka thënë Vuçiq para gazetarëve.
Ai shtoi se po shikon ndërmarrjen e një fushate kundër Bashkësisë së Komunave Sërbe dhe tha se për këtë do të flasë në mënyrë të veçantë ditën e nesërme me qëllim që të gjithë të njihen me atë që është nënshkruar në vitin 2013 dhe 2015.
"Janë 22 principe të cilat i kemi nënshkruar që kanë një rëndësi vendimtare për ne, fjalë për fjalë me rëndësi vendimtare për popullin sërb dhe nëse dikush nuk e kupton këtë, do të thotë se nuk kupton realitetin, sepse nëse dikujt i ka shkuar në mendje të anulojë kalimin e pagesës ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, çështja ime është sesi do t'i paguajmë rrogat e profesorëve, mësuesve, mjekëve, infermiereve..... ", ka shtuar presidenti.
Ai shton se në kuadër të principit të BKS, qëndron funksionimi që ka të bëjë me shëndetësinë, arsimin, planifikimin territorial, e shumë gjëra të rëndësishme që qëndrojnë para nesh.
I pyetur se çfarë mendon se do të thonë ata që thanë se do t‘a nënshkruajnë sot marrëveshjen, duke qenë se ai po kthehet pa nënshkrim, presidenti thotë se nuk do të bëjë asgjë.
“Gjithmonë do të gjejnë diçka, kështu shkon me njerëzit, ndaj erdha të nënshkruaj këtë apo atë, lërini budallallëqet”, tha presidenti.
I pyetur nëse flitet për njohje reciproke të dokumenteve, ai u përgjigj se për këtë nuk është diskutuar, por është i gatshëm të bisedojë për këtë temë-sapo të mbarojë historia e BKS.
I pyetur nga gazetarët e huaj nëse Sërbia është e gatshme të pranojë pavarësinë e Kosovës, Vuçiq u përgjigj se Sërbia është anëtare e Kombeve të Bashkuara, ndërsa Kosova jo, e për këtë Beogradi është gjithmonë i përkushtuar ndaj të drejtës ndërkombëtare, kartës së OKB dhe Kushtetutës së Sërbisë.
I pyetur nëse është dakord me propozimin europian, ai përsëriti se nuk është diskutuar për këtë, por për zbatimin e diçkaje për të cilën tashmë është rënë dakord.
“Kjo është tema më e rëndësishme dhe nëse më pyesni përse-sepse mund të nënshkruani diçka, por nëse nuk ka plan zbatimi, do të ndodhë pikërisht ajo që ndodhi me Marrëveshjen e Brukselit, që Prishtina nuk e përmbush prej 10 vjetësh“ ka thënë Vuçiq.
Për Velerin: Prishtina ka skuadra të shkëlqyera, por i ndihmon SHBA dhe BE.
Pyetjes për të komentuar prezencën e Marko Velerit në delegacionin kosovar i cili është një prej aktorëve kryesorë në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare, Vuçiq ka thënë se ata kanë skuadra të shkëlqyera, por ndihmohen edhe nga të tjerët që janë amerikanët dhe europianët.
"Ata kanë skuadra të shkëlqyera falë të cilëve kanë fituar atëherë ndaj Tadiqit dhe Jeremiqit. Por nuk janë ata, por ata të cilët i ndihmuan, amerikanët dhe europianët dhe për këtë i uroj sukses“ ka thënë Vuçiq.
0 komentet