Vujinoviq: Armatosja e Prishtinës është një tregues se Erdogani e mbështet Kurtin, dronët kanë ardhur para zgjedhjeve

Nikola Vujinović
Burim: Kosovo Online

Hulumtuesi i studimeve të sigurisë Nikola Vujinoviq vlerësoi se dronët “Skydagger 15” që kanë mbërritur në Kosovë përfaqësojnë vazhdimësinë e politikës së Turqisë për armatosjen e shqiptarëve të Kosovës dhe se presidenti Rexhep Tajip Erdogan mbështet qartë Albin Kurtin si forcë politike në Kosovë. Megjithatë, ai theksoi se nuk e sheh këtë si kërcënim për sigurinë e Serbisë.

Vujinoviq kujtoi se Turqia e armatos Prishtinën prej vitesh dhe se, ndër aleatët e tjerë të NATO-s, ajo është më aktive në këtë drejtim. Ai kujtoi gjithashtu edhe dërgimin e dronëve “Bayraktar” nga Turqia, si dhe njoftimet për hapjen e fabrikës së municionit dhe automjeteve të blinduara.

“E gjithë kjo është një mbështetje e qartë për pavarësinë e Kosovës dhe për faktorin shqiptar në Ballkanin Perëndimor. Koha kur këta dronë iu dërguan shqiptarëve të Kosovës është shumë domethënëse dhe tregon qartë se Turqia dhe presidenti i saj Erdogan e mbështesin hapur Kurtin si forcë politike në Kosovë dhe Metohi. Duke pasur parasysh se për disa ditë mbahen zgjedhjet lokale, të cilat do të tregojnë nëse kjo krizë politike që zgjat tashmë një vit ka ndikuar tek Lëvizja Vetëvendosje apo jo, ky veprim është një formë mbështetjeje nga Turqia,” tha ai.

Sipas tij, fakti që shqiptarët kanë marrë dronë nuk përbën problem për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Duke pasur parasysh se edhe ne, në paradën tonë ushtarake në Beograd, pamë një numër të konsiderueshëm të ashtuquajturve ‘mushkonja’, pra municione fluturuese, kjo tregon se nuk bëhet fjalë për ndonjë epërsi ushtarake,” ka thënë Vijinoviq.

Ai theksoi se bëhet fjalë për një mesazh politik.

“Ky është një mesazh politik jo vetëm për shqiptarët e Kosovës dhe votuesit në zgjedhjet lokale, por edhe për gjithë Ballkanin Perëndimor, që përveç aleatëve perëndimorë, shqiptarët kanë edhe një aleat lindor. Të gjithë këta aktorë ndajnë dy qëllime politike: zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkanin Perëndimor, që sipas tyre përfundon me ‘Shqipërinë e Madhe’, dhe nga ana tjetër, e kanë si pengesë faktorin serb,” tha ai.

Fakti është, siç pohon ai, se ky është një mesazh edhe për aleatët perëndimorë.

"Se kjo nuk është vetëm fusha e tyre e lojërave, dhe mendoj se fakti që ata kanë pranuar që gjenerali turk të jetë përsëri komandanti i KFOR-it, na tregon se ka pasur disa, le të themi, marrëveshje të reja", tha ai.

Reagimi tregon, thekson Vujinoviq, se Serbia është një aktor kyç në Ballkanin Perëndimor nga i cili varet paqja.

“Derisa ne jemi të durueshëm, dhe këto gjëra i dënojmë politikisht, siç duhet, duke u thirrur në dokumente që janë ligjore, si Rezoluta 1244, sipas së cilës nuk do të duhej të ekzistonin as Forcat e Sigurisë së Kosovës, e lëre më që të jenë të armatosura modernisht siç janë tani, mund të vërejmë që nga durimi ynë varet nëse do të ketë paqëndrueshmëri dhe eskalim në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Deklarata e presidentit Vuçiq është, siç shtoi, një tregues i qartë se ndoshta durimi i Serbisë po afrohet drejt fundit.

“Unë personalisht pres disa forma të tjera të dhunës politike para zgjedhjeve lokale dhe do të shohim se si do të reagojë shteti ynë ndaj gjithë kësaj dhe ndaj zgjedhjeve përfundimtare. Ne shohim tashmë përpjekje për blerje të votave madje edhe të zgjedhësve serbë për parti politike që mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe që mes tyre kanë serbë. Mendoj se kjo deklaratë e presidentit Vuçiq është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse na tregon se Serbia ndoshta po humbet ngadalë durimin,” tha Vujinoviq dhe vazhdoi.

“Së fundmi u takuan Presidenti i Republikës Vuçiq dhe zoti Erdogan. Unë besoj se kjo çështje ishte në rendin e ditës dhe kjo reagim i presidentit më tregon se në atë takim Erdogan e mohoi që kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Pra, sa i përket këtij akti të sigurisë, dorëzimit të atyre dronëve, ai është i dështuar nga këndvështrimi i mbështetjes që një fuqi rajonale e rëndësishme si Turqia i jep një entiteti, të them, jo të ligjshëm në territorin tonë, por nga këndvështrimi i sigurisë, para së gjithash të Republikës së Serbisë, për ne kjo, sipas mendimit tim, nuk ka ndonjë peshë të madhe,” tha Vujinoviq.

Ai theksoi se Kosova po përpiqet ta çojë procesin në fund.

“Dikush e ka imagjinuar diku, sipas mendimit tim plotësisht në mënyrë jo reale, të krijojë nga shqiptarët e Kosovës një forcë ushtarake që mund të krahasohet me ushtrinë tonë. Kjo më duket e pamundur, nuk më shkon mendja, nuk është logjike, nuk mund të bëhet,  thjesht numrat, aftësitë dhe historia flasin kundër kësaj, por dikush e ka vendosur këtë në një çast, nëse jo vetëm që të na mbajë të tensionuar, nën stres, që të mos shikojmë diku tjetër, si Bosnja e Hercegovina etj. Por kjo do të vazhdojë. Fakti që do të ndërtohet atë çfarë thonë se do të jetë një fabrikë municioni na tregon se mund të presim që gradualisht sisteme edhe më komplekse të armatimit t’u jepen shqiptarëve të Kosovës. Përsëris dhe dua ta mbyll me këtë: unë nuk shoh në këtë një kërcënim thelbësor të sigurisë për Republikën e Serbisë, por shoh marrëdhënie politike të ardhshme që Republika e Serbisë do të ketë me ato shtete që sponsorizojnë pavarësinë e Kosovës,” përfundoi ai.