Nikolliq: Vidovdani është themel i identitetit serb dhe i betimit të Kosovës

Danijela Vujičić
Burim: Kosovo Online

Kryetarja e Komitetit për Kosovë dhe Metohi në Kuvendin e Serbisë, Danijela Nikolliq, u është drejtuar serbëve në Kosovë me rastin e Vidovdanit, duke thënë se kjo ditë përfaqëson themelin e identitetit serb dhe të “betimit të Kosovës”, duke theksuar se liria, besimi dhe qëndrueshmëria e një populli dëshmohen me vepra dhe se Serbia mbetet pranë popullit të saj në Kosovë.

“Në këtë ditë, kur gjithçka shihet qartë, kur matet nderi, besimi dhe qëndrueshmëria e një populli, ju dërgoj urimet më të sinqerta me rastin e Vidovdanit – një ditë që nuk është vetëm një datë në kalendarin tonë, por themel i identitetit tonë, një betim që populli serb e ruan me shekuj”, tha Nikolliq.

Ajo theksoi se Vidovdani mëson se liria nuk ka çmim, se dinjiteti nuk shitet dhe se dashuria për atdheun dëshmohet me vepra, jo me fjalë.

“Kjo është dita kur me vështrim përfshijmë të kaluarën, por edhe të ardhmen, të vetëdijshëm se forca jonë qëndron në besim, unitet dhe vendosmërinë e palëkundur për të qëndruar dhe mbijetuar në vatrat tona shekullore. Ne serbët në Kosovë dhe Metohi, çdo ditë e jetojmë Vidovdanin. Me jetën tuaj, qëndrueshmërinë dhe dashurinë për Serbinë dëshmoni se betimi i Kosovës nuk është legjendë, por një detyrim i gjallë që e mbani me dinjitet”, tha Nikolliq.

Ajo shtoi se kjo ditë duhet të kujtojë se nuk ka forcë që mund ta mposhtë një popull që ruan besimin, shenjtëritë dhe rrënjët e veta.

“Derisa të dëgjohen kambanat e manastireve tona dhe derisa në Kosovë dhe Metohi të dëgjohet fjala serbe, do të vazhdojë të jetojë edhe Serbia. Gëzuar Vidovdanin. Rroftë Serbia. Rroftë Kosova dhe Metohia”, përfundoi Nikolliq.