U kremtua festa e Manastirit të Deçanit; Mitropoliti Teodosije: Kështu shihet më së miri se kujt i përkasin këto vende të shenjta

Visoki Dečani proslavili ktitorsku slavu, više stotina vernika prisustvovalo liturgiji i rezanju kolača
Burim: Kosovo Online

Me liturgji dhe prerjen e bukës rituale, në prani të disa qindra besimtarëve, sot në Manastirin e Deçanit u kremtua festa e shenjtorit themelues, Mbretit të Shenjtë Stefan Deçanski. Liturgjinë e shërbyen mitropoliti i Rashko-Prizrenit, Teodosije, dhe peshkopët Justin, Ilarion dhe Atanasije, me bashkëshërbimin e klerikëve të Eparkisë.

Mitropoliti i Rashko-Prizrenit, Teodosije, tha se Mbreti i Shenjtë Stefan Deçanski nuk ka mbetur në kujtesë për pasurinë e tij, por për dashurinë e madhe që kishte ndaj Krishtit.

“Dita e sotme, festa e sotme, dëshmon se sa i dashur është për Zotin Mbreti i Shenjtë Stefan Deçanski dhe sa liri të madhe ka para Zotit. Ai nuk mbeti i madh për faktin se mbante një kurorë të artë, se sundonte tokën serbe, se kishte pasuri dhe fuqi të madhe. Ai ka mbetur në kujtesë për dashurinë e madhe që kishte ndaj Krishtit, për faktin se iu përkushtua tërësisht Krishtit dhe se tregoi mëshirë aty ku duhej. Ai jepte lëmoshë, ndërtonte spitale, shtëpi për të moshuarit dhe të pafuqishmit, strehonte të varfrit. Ky është mbreti i shenjtë që i pëlqeu Zotit dhe të cilin Zoti e lavdëroi, reliket e të cilit ndodhen këtu, në këtë tempull, dhe që kurrë nuk e braktisi tempullin e tij dhe nuk lejoi askënd ta prekte atë. Sepse ai ia kushtoi këtë tempull Zotit me gjithë dashurinë dhe zemrën e tij, dhe ja, ky tempull dhe ky manastir i shenjtë qëndrojnë dhe jetojnë sot në gjithë lavdinë e tyre. Ju falënderoj që vini në Kosovën dhe Metohinë tonë të shenjtë dhe që vizitoni vendet tona të shenjta”, tha mitropoliti Teodosije.

Ai tha se në këtë mënyrë shihet më së miri se kujt i përkasin këto vende të shenjta.

“Nuk nevojiten kurrfarë deklaratash, nuk nevojiten kurrfarë dokumentesh për ta vërtetuar këtë. Me ardhjen, lutjet dhe praninë tonë, ne tregojmë se këto vende të shenjta janë tonat, jo vetëm këtu, për sa kohë jetojmë në tokë, por ato janë për ne edhe një peng për jetën e ardhshme dhe jetën e amshuar”, porositi peshkopi Teodosije.

Peshkopi Justin tha në predikimin e tij se sot, duke kremtuar Mbretin e Shenjtë Stefan Deçanski, kremtohet edhe mëshira.

“Edhe ai vuajti padrejtësisht nga njerëzit e tij më të afërt, sepse Zoti ka thënë: ‘Do të keni armiq mes njerëzve tuaj të afërt. Do të bëheni armiq.’ Dhe ja, deri në ditët e sotme, ajo armiqësi, ajo urrejtje, ajo neveri ndaj njëri-tjetrit vazhdon të ekzistojë, sepse ne, duke jetuar në Zotin, Birin e paqes, të ngushëllimit dhe të çdo të mire, duke dashur të jemi me të, duke dëshiruar mbretërinë e tij, të vërtetën e tij dhe dashurinë e tij, bëhemi të ngjashëm me të. Ashtu si Zoti kaloi gjithë Golgotën, vuajti për ne dhe derdhi gjakun e tij të çmuar për shpëtimin e mbarë botës, ne përulemi para asaj sakrifice. Ne lavdërojmë Zotin e vërtetë dhe të gjithë shenjtorët e Zotit, të cilët, duke jetuar sipas urdhërimeve hyjnore, u bënë të ngjashëm me të dhe u përgatitën që edhe ata të vuanin, për të treguar se kush është dhe si është Zoti ynë i vërtetë, Zoti i paqes, i dashurisë dhe i jetës së amshuar. Dhe të kuptojmë se jetojmë jo vetëm për Zotin, por edhe për të afërmin tonë, sepse nëse e njohim të afërmin tonë, do ta njohim edhe Zotin”, tha peshkopi Justin.

Ndihmësdrejtoresha e Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Milena Parliq, tha se populli i mbledhur dëshmon në mënyrën më të mirë se sa e madhe është dashuria ndaj Mbretit të Shenjtë Stefan Deçanski.

“Pamja e sotme në Manastirin e Deçanit flet më shumë se çdo fjalë. Një numër i madh njerëzish janë mbledhur sot dhe ky popull dëshmon në mënyrën më të mirë se sa e madhe është dashuria ndaj mbretit tonë të shenjtë. Sa i madh është mikpritësi ynë, i cili prej shekujsh, që kur u largua nga kjo jetë tokësore, ndër shekuj e deri më sot, e mbledh popullin e tij këtu, në manastirin që ka themeluar. Mbreti ynë i shenjtë nuk i përket vetëm historisë, ai i përket popullit të tij dhe dëshmia më e mirë për këtë është pikërisht numri i madh i njerëzve që kanë ardhur sot, jo vetëm nga Kosova dhe Metohia, por nga e gjithë Serbia”, tha Parliq.

Ajo ia uroi festën igumenit dhe vëllazërisë së Manastirit të Deçanit.

“Ju uroj festën në emrin tim personal dhe në emër të drejtorit të Zyrës, në emër të të gjithë kolegëve të mi dhe të të gjithë atyre që shpirtërisht janë sot këtu, në Manastirin e Deçanit. Le ta falënderojmë igumenin dhe vëllazërinë tonë, që, duke ndjekur shembullin e mbretit të tyre të shenjtë, ruajnë vendin tonë të shenjtë, mbledhin popullin e tyre dhe mbeten një shtyllë e palëkundur e ruajtjes së besimit, dashurisë dhe bashkimit të popullit në dashurinë e Zotit. Gëzuar festën të gjithëve”, tha Parliq.

Për besimtarët që vizituan sot manastirin, kjo ishte një ditë e veçantë.

Aleksandar Çullafiq nga Berana mori pjesë për herë të parë në kremtimin e festës së Manastirit të Deçanit dhe tha se ky është një vend ku kthehet gjithmonë.

“Për ne, Manastiri i Deçanit është një vend ku kthehemi gjithmonë. Është hera e parë që jam këtu për festën, por gjatë vitit vij disa herë. Përshtypjet nga kremtimi i festës janë mbresëlënëse. Shpresoja që të kishte kaq shumë njerëz dhe shpresoj që në vitet e ardhshme të ketë edhe më shumë”, tha Çullafiq.

Danica Pavlloviq nga Beogradi tha se ka emocione të përziera dhe se është e lumtur që kaq shumë njerëz kanë ardhur për festën.

“Kam qenë këtu para luftës, ndërsa tani për herë të parë vij në mënyrë të organizuar. Jam disi e trishtuar dhe e befasuar, ndërsa emocionet më pushtuan kur pashë një Kosovë krejtësisht të ndryshme nga ajo që mbaj mend. Sytë i kam plot me lot gjatë gjithë ditës, teksa shoh gjithë këtë. Më vjen mirë që janë mbledhur kaq shumë njerëz, nuk e dija se festa kremtohej kështu. Do të doja të ishim sa më shumë, sepse nëse jemi të pranishëm, mendoj se kjo do të vazhdojë të ekzistojë”, tha Pavlloviq.

Manastiri i Deçanit është vepër e mbretit Stefan Deçanski dhe e djalit të tij, perandorit Stefan Dushan. Manastiri ndodhet në Listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s, ndërsa që nga viti 2006 edhe në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik të UNESCO-s.