Iviq: Kurti ka kaluar „vijat e kuqe“ të Quint-it, vendimi i KQZ-së ishte i drejtuar kundër komunitetit serb
Bashkëpunëtori i iniciativës Pupin, Petar Iviq, ka vlerësuar se vendimi i Lëvizjes Vetëvendosje për ndalimin e Listës Serbe ishte i drejtuar kundër komunitetit serb në Kosovë, pas së cilës vendet e Quint-it i kanë bërë të qartë Albin Kurtit se ka „kaluar vijat e kuqe“.
„Ky vendim, sigurisht, ishte i drejtuar kundër komunitetit serb. Por, nëse kemi pasur një reagim kaq të shpejtë dhe të qartë nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, mund të presim që edhe në ndonjë incident të ardhshëm ata do të reagojnë sërish dhe do të mundësojnë zhvillimin normal të procesit zgjedhor. Megjithatë, disa veprime të ardhshme destruktive nuk do të ishin aspak të habitshme nga ana e Albin Kurtit“, ka deklaruar Iviq për Kosovo online.
Paneli zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me zgjedhjet vendosi të dielën në favor të Listës Serbe, duke pranuar ankesën e saj ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që nuk e kishte certifikuar listën e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Me këtë është anuluar vendimi i KQZ-së i 21 gushtit, me të cilin ishte refuzuar certifikimi i kandidatëve të Listës Serbe.
Për ndalimin e LS-së ishin përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa Iviq thotë se ka pasur „dy motive“ për një vendim të tillë të liderit të kësaj partie, Albin Kurtit.
„Motivi i parë ishte, sigurisht, goditja ndaj komunitetit serb në Kosovë, me qëllim që ai në fushatën parazgjedhore të paraqitet si ‘sovranist’, ‘nacionalist’ dhe të forcohet edhe më shumë në elektoratin e tij. Motivi i dytë, përmes këtyre veprimeve jokonstruktive dhe unilaterale, ishte të ‘testonte’ terrenin deri ku mund të arrinte me ‘vijat e kuqe’ të Quint-it. Siç pamë, këto ‘vija të kuqe’ sigurisht u kaluan, sepse më 21 gusht pati një takim midis Kurtit dhe zëvendësshefes së misionit të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Paratipati, ku ajo e dënoi qartë këtë vendim dhe shprehu nevojën që kandidatët të mund të zgjidhen lirshëm, sidomos ata serbë“, ka theksuar Iviq.
Ai shton se, pavarësisht motiveve, Lëvizja Vetëvendosje u dobësua pas reagimeve ndaj ndalimit të Listës Serbe.
"Me këtë vendim dhe dënimin e Quint-it, është krijuar një hapësirë ideale për sulmin e partive opozitare, të cilat ndoshta do të sulmojnë nga aspekti se Vetëvendosja po prish marrëdhëniet tradicionalisht të mira me vendet e Quint-it, të cilat janë aleatët e tyre më të fortë", sqaron Iviq.
Ai shton se për shkak të këtij fakti, në fushatën parazgjedhore, ata mund të krijojnë "probleme në narrativa" që do të shkojnë kundër Lëvizjes Vetëvendosje.
"Fituesja më e madhe, përveç partive opozitare në Kosovë, është Lista Serbe, e cila do të jetë në gjendje ta 'shfrytëzojë' më tej këtë masë në fushatën e saj zgjedhore dhe të mobilizojë dhe bashkojë më tej komunitetin serb në Kosovë", thotë Iviq.
komentet