Edhe një tjetër “specialist” amerikan për Ballkanin: Çfarë sjell emërimi i Xhejms Obrajan?
Edhe një tjetër ish-anëtar i administratës së Bill Klintonit do të “rikthehet” së shpejti në Ballkan, pasi është e sigurt se Xhejms Obrajan do të emërohet Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, duke zëvendësuar në atë detyrë Kerin Donfried. Bashkëbiseduesit e Kosovo Online nuk besojnë se politika e Uashingtonit do të ndryshojë në mënyrë drastike në raport me Beogradin dhe Prishtinën, ndonëse, siç thonë ata, SHBA-ja mund të “ushtrojë më shumë presion mbi Serbinë dhe Kosovën” në periudhën e ardhshme.
Ivan Vujaçiq, ish-ambasador i Serbisë në Uashington për Kosovo online, thekson se emërimi i Xhejms Obrajan nuk paraqet ndonjë ndryshim në politikën amerikane ndaj nesh.
“Ne e shikojmë më shumë nga këndvështrimi ynë dhe sa herë që ndodh diçka e tillë, një emërim i tillë, nëse një person ka shërbyer në Ballkan, mendojmë se përfaqëson një lloj kthese në politikën e SHBA-të dhe kjo nuk është e vërtetë. Ai erdhi në një pozicion shumë të përgjegjshëm në vend të Kerin Donfried. Ai është një njeri shumë i njohur me rajonin tonë, ai ka qenë pjesë e establishmentit që nga koha e Medelin Olbrajt, me të cilën ka bashkëpunuar për një kohë shumë të gjatë dhe në një pikë ai ka punuar edhe për një zgjidhje kushtetuese për Kosovën brenda Serbisë. Ai e njeh mirë historinë tonë dhe konfliktin që ka ndodhur dhe përfaqëson një nga ata persona nga administrata e Klintonit pasi që Xho Bajden mbështetet në stafin e vjetër, që mund të shihet me kthimin e Kristofer HIllit. Përsa i përket politikës amerikane në këtë rajon, është një proces thellësisht kompleks dhe nuk mund të ndryshojë, përveç nëse vetë Shtëpia e Bardhë jep udhëzime për një gjë të tillë. Kështu që nuk pres ndonjë ndryshim, Obrajan erdhi në pozitën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe ne jemi vetëm një pjesë e vogël e kësaj”, thotë ai Vujaçiq.
Analisti Blerim Burjani për Kosovo Online thotë se gjërat nuk po shkojnë ashtu siç planifikojnë BE-ja dhe SHBA-të, duke qenë se marrëveshja e Ohrit nuk respektohet nga të dyja palët në dialog.
"Emërimi i Obrajan mund të nënkuptojë se është e nevojshme të ndryshohet imazhi i dialogut siç është tani dhe se SHBA-të do të jenë më të rrepta ndaj palëve, veçanërisht ndaj Serbisë, e cila gjithmonë përmend krizën, luftën dhe konfliktin. Në fakt, Serbisë i intereson vetëm konflikti, por jo zgjidhja e situatës, megjithatë, nuk mendoj se do të ketë shumë ndryshime në politikën e SHBA-së ndaj Kosovës dhe Serbisë. Prandaj politika e SHBA-së ndaj Serbisë dhe Kosovës do të jetë më e rreptë, ose do të përballet me sanksionet. Në fund, Uashingtoni mund t'i kërkojë Serbisë të vendosë sanksione Rusisë, përndryshe sanksionet mund t'i vendosen Beogradit. Me Kosovën është shumë më e lehtë, sepse do të pajtohet me një lloj Bashkësisë së Komunave Serbe dhe ky do të jetë fundi i presionit për Kosovën, ndërsa në anën tjetër Vuçiq nuk do të respektojë asgjë nga Marrëveshja e Ohrit, sepse për Beogradin kjo marrëveshje nuk ekziston, por vetëm interes për formimin e BKS-së. Nëse Serbia nuk pajtohet me një lloj BKS, do të thotë që SHBA-të mund të kërkojnë nga serbët e Kosovës që të jenë bashkëkonstruktiv dhe të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për të formuar një lloj BKS-në”, thotë Burjani.
Diplomati Zoran Millivojeviq thotë se është e qartë se Perëndimi në krye me SHBA-në dëshiron të përshpejtojë dinamikën e zgjidhjes së çështjeve në rajon.
“Kjo u pa edhe në deklaratat e fundit të Derek Sholle dhe Gabriel Escobar. Perëndimi dëshiron të krijojë një situatë të pastër në rajon në bazë të planit evropian, i cili është një dokument i detyrueshëm për SHBA-në dhe BE-në dhe për Prishtinën dhe Beogradi. Obrajan, Hill dhe të tjerët janë personeli të provuar që e njohin mirë rajonin, gjë që tregon interesimin e administratës amerikane për këtë rajon”, analizon Millivojeviq për Blic.
Ai pret që Serbia tani të jetë nën presion edhe më të madh, sepse siç thotë ai, politika amerikane do të vazhdojë në konceptin e saj për zgjidhjen sa më të shpejtë të të gjitha çështjeve të pazgjidhura.
“Uashingtoni ofron një dinamikë të re në realizimin e interesave strategjike. Në rajon i japin prioritet çështjes së Kosovës sepse besojnë se zgjidhja e kësaj çështje do ta bëjë më të lehtë ballafaqimin me situatën në Bosnjë e Hercegovinë”, përfundon Millivojeviq.
Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm, pret që Obrajen, si autoritet më i fortë se Escobari, ta kthejë situatën në Kosovë.
"Deri tani gjërat në Kosovë kanë shkuar keq e më keq. Nëse vazhdojnë kështu, nuk mendoj se situata do të zgjidhet as në 20 vitet e ardhshme. Ata ndoshta gjykuan në Uashington se gjërat nuk po shkojnë aq shpejt sa prisnin. As për Ukrainën nuk shkon gjithçka sipas planit, ndoshta duan të bllokojnë një pikë kritike”, thekson Popov për Blic.
Siç thotë ai, edhe Obrajen edhe Hill e njohin mirë rajonin.
“Tani pyetja është nëse, si në vitet nëntëdhjetë kur Riçard Hollbruk luajti rolin më të madh, ai do të ndërmarrë veprime më energjike dhe do të jetë më në terren në diskutimet me përfaqësuesit e të dyja palëve. Është e nevojshme t'i tregohet më konkretisht Beogradit dhe Prishtinës se me çfarë pasojash do të përballen nëse nuk respektojnë marrëveshjen. Kjo është mënyra e vetme për të pritur disa rezultate sa i përket zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, përfundon Popov.

komentet