Këshilli i përbashkët i Mitrovicës së Jugut dhe Veriut-plan afatshkurtër apo ka të ardhme?

Zajednički odbor Severne i Južne Mitrovice
Burim: Facebook/Elbert Krasniqi

I formuar simptomatikisht katër muaj në prag të zgjedhjeve vendore, ndonëse i parashikuar me ligjin e miratuar 17 vite më parë, Këshilli i Përbashkët i Mitrovicës së Veriut dhe Jugut, mund të ketë perspektivë nëse i përmbahet temave vendore dhe jo politikës së lartë, konsiderojnë bashkëbiseduesit e Kosovo Onlajn. Temat që kërkojnë bashkëpunimin e dy komunave, sikurse furnizimi me ujë ose infrastruktura vendore, mund të gjenden në tryezën e tij, por pa përcaktimin final të kufijve të Mitrovicës së Veriut e Jugut, projektet e përbashkëta vështirë se do të zbatohen.

Shkruar nga: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Këshilli i përbashkët i Mitrovicës së Veriut e të Jugut, sipas versionit të qeverisë kosovare në mandatin teknik, do të ofrojë "model të ri të bashkëpunimit institucional me synim përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve".

Egzistenca e Këshillit të Përbashkët të këtyre dy komunave, parashihej nga plani i Ahtisaarit, ku Beogradi zyrtar kurrë nuk e pranoi ndërsa themelimi i tij ndodhet në Ligjin për kufijtë administrativ të komunave, ku u miratua nga Kuvendi Kosovar më 20 shkurt të vitit 2008.

Këshilli sikurse thuhet në këtë rregullore në versionin e miratuar fillimisht, përbëhet nga 11 me pesë përfaqësues nga secila komunë dhe një përfaqësues ndërkombëtar i cili do të kryesojë këshillin. Me ndryshimin e ligjit në vitin 2012, për kryetar të Këshillit u emërua përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës dhe kjo qysh prej 12 qershorit, pas zgjedhjes së kryeministrit aktual në mandatin teknik, Albin Kurti, ministri i vetëqeverisjes lokale në mandat teknik, Elbert Krasniqi.

Sipas fjalëve të kryekomunarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, këshilli do të merret me të gjitha projektet dhe planet që do të kenë të bëjnë me dy komunat e një qyteti, duke pasur parasysh se Mitrovica është i vetmi qytet që ka dy komuna. Meqenëse Mitrovica e Veriut dhe e Jugut nuk janë të ndara në librat kadastralë, Atiq për Kosovo Onlajn vuri në dukje se nuk beson se deri tek zgjedhjet vendore kjo të mund të bëhet pasi është proçes i komplikuar.

Më pak e komplikuar ishte vendosja e firmës në projektin e përbashkët rreth ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër. Parafirmën në të dje e vendosi Atiq, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut Arian Tahiri dhe ministri i Infrastrukturës në mandatin teknik Liburn Aliu, nën praninë e Krasniqit si kryetar i Këshillit të Përbashkët.

Bashkëpunimi dhe kufizimet

Komunat e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut sikurse vlerëson analisti Nexhmedin Spahiu, kanë shumë të përbashkëta dhe përmes bashkëpunimit, mund të zgjidhen shumë çështje pasi janë dy komuna të një qyteti.

“Nuk mundet, të themi që një komunë të ndërtojë fabrikë përgjatë kufirit të komunës tjetër sepse kjo do të ngarkonte planet e komunës tjetër apo t’a pengonte atë. Kështu që gjithçka përsa i përket ndonjë çështjeje të rëndësishme të zhvillimit të komunës, duhet të koordinohet” është shprehur Spahiu për Kosovo Onlajn.

Sipas opinionit të drejtorit programues të OJQ Qendra për Përfaqësim të Kulturës Demokratike nga Mitrovica e Veriut Aleksandar Rapajiq, Këshilli i Përbashkët për Mitrovicën e Veriut e të Jugut, duhet të merret me tema vendore që kërkojnë bashkëpunimin e dy komunave, sikurse ujësjellësi, infrastruktura vendore apo rregullimi i rrjedhës së lumit Ibër, ndërsa nuk do të duhet të merret me tema politike të mëdha të cilat nuk janë në kompetencën e tyre.

Koordinatori i Grupit të Punës së Konventës Kombëtare për BE për 35 Kapitujt Dragisha Mijaçiq kujton momentin në të cilin u formua këshilli dhe thotë se synimi i tij para së gjithash ka afrim politik të komunave në kuadër të së njëjtës parti politike dhe se duhet vëzhguar nga ky këndvështrim, si dhe nga këndvështrimi i zgjedhjeve të ardhshme vendore.

“Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut zoti Atiq në këto momente nuk përfaqëson shumicën e komunitetit në pjesën veriore të Mitrovicës, nuk përfaqëson sërbët, kështu që dhe domeni i kësaj iniciative është mjaft e kufizuar duke patur parasysh se na presin zgjdhjet vendore në tetor”, thotë Mijaçiq për Kosovo Onlajn.

Megjithatë, ai shton se kur është fjala rreth funksionalitetit të të dy komunave, sigurisht duhet të punohet tek përafrimi për projektet e përbashkëta që janë dhe në interes të afrimit të dy komuniteteve.

Vëren se së pari është e nevojshme të bëhet demarkacioni i Mitrovicës së Veriut e të Jugut për krijuar kushte për disa projekte të përbashkëta infrastrukturore.

"Kjo është ajo që mund të bënte këshilli sesi të krijonte kushtet për çeljen eventuale të urës kryesore. Por, kryerja e projekteve kaq të mëdha kapitale në rrethanat dhe ndasive shoqërore e politike mes sërbëve që jetojnë me shumicë në veri dhe shqiptarëve që jetojnë me shumicë në jug, me të vërtetë është më shumë se kundërproduktive sesa e dobishme dhe e nevojshme në këtë moment", thotë Mijaçiq.

Çfarë do të bëhet pas zgjedhjeve?

Në Komunën e Mitrovicës së Veriut ku shumicën e popullsisë e përbëjnë sërbët, momentalisht në pushtet është kryekomunari shqiptar pasi sërbët bojkotuan zgjedhjet e vitit 2023 dhe çështja është nëse bashkëpunimi i dy komunave përmes Këshillit të Përbashkët do të vijojë edhe pas zgjedhjeve vendore të 12 tetorit në të cilin sikurse pritet, sërbët kësaj radhe do të marrin pjesë.

"A do të funksionojë kjo edhe pas zgjedhjeve të reja, ku kryetari i komunës veriore do të jetë sërb, ku më shumë nga kush do të jenë njerëzit që do të zgjidhen. Jo vetëm nga cila parti, por edhe nga cilët personalitete, kush do të jetë kryekomunar i jugut dhe kush kryekomunar i veriut. Nëse ata do të jenë njerëz të arsyeshëm, nëse dëshirojnë të zhvillojnë çdo komunë të tyre, atëherë do të bashkëpunojnë. Nëse do të jenë njerëz që do të shikojnë të vjedhin komunën e tyre sa më shumë, atëherë me gjasa nuk do të kenë interes të bashkëpunojnë, sepse çdokush do të shikojë që të vjedhë komunën e tyre sa më shumë", thotë Spahiu.

Mijaçiq thekson se do të ishte mirë kur pas zgjedhjeve të tetorit, të egzistonte bashkëpunimi mes Mitrovicës së Veriut e të Jugut në të mirë të qytetarëve në të dyja anët e Ibrit.

"Egzistojnë mjaft probleme infrastrukturore që duhen zgjidhur bashkarisht dhe jo të zgjidhen sikurse deri më sot si rasti sipas sistemit të maxhorizimit. Zgjidhjet që do të kënaqin interesat e të gjitha komuniteteve që jetojnë aty, duhet të gjenden në bazë të respektit dhe marrëveshjes reciproke", thotë ai.

Çfarë do të bëhet me këshillin pas 12 tetorit, sikurse thotë Rapajiq, do të varet prej rezultatit të zgjedhjeve.

“Vazhdimi i punës së këshillit, do të varet dhe nga ajo se kush do të fitojë në veri dhe shumë më tepër nga kaq se kush do të fitojë në jug. Shpresojmë që në Komunën e Mitrovicës së Veriut të kthehen partitë sërbe. Përgjithësisht dy komunat duhet të bashkëpunojnë për disa gjëra. Nëse i përmbahen çështjeve vendore, atëherë mund të funksionojnë. Nëse arrijnë të shmangin politikën në gjithë këtë", thekson Rapajiq për Kosovo Onlajn.

Çështja e urës kryesore  

Një prej pyetjeve që lind është nëse tema e këshillit mund të jetë dhe për sërbët temë e ndjeshme çelja e urës kryesore mbi Ibër, ndoshta madje dhe para zgjedhjeve vendore?

Sipas fjalëve të Rapajiq, presioni është prezent për këtë çështje, por duhet të jetë pjesë e negociatave në nivel të lartë dhe jo të zgjidhet me vendimin e dy komunave.

"Qysh kur u ndryshua qeverisja vendore në Mitrovicën e Veriut, një nga iniciativat e para të Kuvendit, ishte hapja e urës dhe kjo është çështje e vështirë politike që shërben për luftë politike. Çelja e urës dëshiron të paraqitet si fitorja finale e Prishtines ndaj sërbëve në veri. Dhe nëse sjellin iniciativë të tillë, mendoj se sikurse në rastet e mëparshme, bashkësia ndërkombëtare këtë do ta ndalë sepse kjo duhet të jetë pjesë e negociatave në nivel të lartë dhe jo vendim i këtyre dy komunave", vlerëson Rapajiq.

Spahiu ndërkohë mendon se çelja e urës kryesore nuk është kërcënim për askënd dhe më shumë i përshtatet komunës veriore sesa asaj jugore.

"Kur shkon nga veriu në komunën jugore, shkon në rrugën kryesore, ndërsa kur shkon nga jugu në veri, shkon në rrugica, kështu që çelja e urës, përveçse do të lehtësonte trafikun në të dy anët, nuk do të kishte ndonjë domethënie tjetër. Ura nuk ka më atë rëndësi politike që kishte kur kishte tensione etnike dhe kur egzistonte ndonjë lloj kërcënimi për sërbët në veri. Ura ka humbur atë domethënie dhe rëndësia e saj e vetme tashmë është lëvizja më e lehtë. Pritet që të ndërtohen ura të reja sepse kjo është më se e nevojshme për një qytet, pavarësisht faktit që është i ndarë në dy komuna", theksoi Spahiu.

Mijaçiq beson se çelja e urës kryesore mbi Ibër nuk do të bëhet para zgjedhjeve vendore të 12 tetorit dhe thotë se Kfor për këtë çështje është i qartë.

"Egziston Marrëveshja e Brukselit për hapjen e urës që përfshin edhe demarkacionin e Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe derisa të ndodhë demarkacioni, ura nuk do të çelet. KFOR si garant i sigurisë tek vetë ura, vitin e kaluar deklaroi se nuk do të ketë çelje të saj derisa të zgjidhen të gjitha pikat nga dialogu i Brukselit, kështu që pres që KFOR të mbetet në të njëjtën linjë këtë verë", thotë ai.

Demarkacioni i dy komunave, thekson ai, është gjithashtu fort i rëndësishëm dhe në kontekstin e mbajtjes së zgjedhjeve vendore si në veri ashtu edhe në jug.

"Thjesht nuk dihet se kush voton për cilën komunë, kush voton për kryekomunarët dhe këshilltarët në veri dhe kush voton në jug. Kjo situatë nuk është normale për kaq vite, qysh kur u arrit marrëveshja për formimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut", konkludon Mijaçiq.