Gjuriq përgëzoi Listën Serbe: Një mesazh i qartë për vendosmërinë e serbëve për të mbijetuar në atdheun e tyre
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, përgëzoi Listën Serbe për fitoren në zgjedhjet në Kosovë dhe tha se rezultatet e zgjedhjeve dërgojnë një mesazh të qartë për, siç tha ai, vendosmërinë e serbëve për të qëndruar dhe mbijetuar në atdheun e tyre shekullor.
"Urime Listës Serbe për fitoren bindëse, si dhe popullit serb në Kosovë dhe Metohi, i cili edhe një herë tregoi unitet, dinjitet dhe vendosmëri demokratike pavarësisht, për fat të keq, presionit, frikësimit dhe përpjekjeve të zakonshme për të minuar vullnetin e tyre politik", shkroi Gjuriq në rrjetin social "X".
Ai shtoi se rezultatet e zgjedhjeve dërgojnë një mesazh të qartë për vendosmërinë e popullit serb për të qëndruar dhe mbijetuar në atdheun e tij shekullor.
"Shpresoj sinqerisht që institucionet që rezultojnë nga këto zgjedhje do të veprojnë me përgjegjësi, do të investojnë në marrëdhënie më të mira ndëretnike dhe më në fund do të angazhohen për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja (Dialogu i Brukselit), duke përfshirë detyrimet që kanë mbetur të paplotësuara për një kohë shumë të gjatë. Paqja, stabiliteti dhe respekti i ndërsjellë mund të ndërtohen vetëm përmes dialogut, besimit dhe të drejtave të barabarta për të gjitha komunitetet", përfundoi Gjuriq.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, Lista Serbe fitoi në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.
0 komentet