KUSH është-Pol Uilljams: Dëshmitari i Thaçit këshilloi mbarë Ballkanin, Osmani e dekoron

Pol Vilijams i Vjosa Osmani
Burim: Klan Kosova

Profesori amerikan i të drejtës ndërkombëtare, këshilltari juridik i delegacionit kosovar në Rambuje dhe protektori i pavarësisë kosovare-Pol Uilljams prej tre dekadash mërr pjesë në proçeset paqësore ndërkombëtare dhe sot dëshmoi para Gjykatës Speciale në Hagë në favor të ish liderëve të UÇK. Ka këshilluar në negociata të ndryshme, nga Rambujea e deri në Hagë, B&H, Mal të Zi dhe Maqedoni e Veriut dhe për shërbimet ndaj Kosovës, është dekoruar me medalje presidenciale.

Pol Uilljams është profesor i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Uashingtonit dhe bashkëthemelues i organizatës “Public International Laë & Policy Group“ (PILPG), përmes të cilës ka ofruar këshilla falas juridike në më shumë se 20 proçese paqeje në mbarë botën-nga Bosnjë-Hercegovina e Libia, e deri në Sudanin e Jugut dhe Armeni. 

Uilljams është një prej ekspertëve kryesorë në fushën e vetvendosjes së popujve, të njohjeve të shteteve, negociatave të paqes dhe tranzitit juridik.

Roli në Rambuje

Gjatë negociatave në Rambuje në vitin 1999, Uilliams ishte pjesë e delegacionit kosovar me ftesë të kryeministrit të atëhershëm të qeverisë në mërgim Bujar Bukoshi, në emër të presidentit Ibrahim Rugova.

Mbështeti idenë se Marrëveshja e Rambujesë është zgjidhje kalimtare dhe hap drejt pavarësisë finale të Kosovës.

Sipas dëshmisë së tij sot në Hagë, delegacioni i Kosovës i besoi atij detyrën të përgatiste formulimet që do t'i mundësonin Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY) të kryente mandatin pa pengesa në territorin e Kosovës.

Qëndrimet rreth pavarësisë së Kosovës

Uilliams prej dekadash ka qenë mbështetës i vazhdueshëm i pavarësisë kosovare. Besonte se Kosova ka të drejtë ligjore për vetëvendosje, përfshirë dhe pavarësinë, për shkak të rrethanave specifike në terren.

"Më shumë se 100 vende e kanë njohur Kosovën si të pavarur, duke e bërë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të saj të padiskutueshme", tha Uilliams në intervistën për Zërin e Amerikës në vitin 2024, duke shtuar se "Sërbia është e interesuar të minojë pavarësinë e Kosovës".
Vetëm një vit pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2009, i tha gjithashtu Zërit të Amerikës se Kosova mund të mos jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara "por është shtet dhe ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet e shtetit të pavarur".

Në intervistën për Uashington Post në vitin 2003, theksoi se: "Aspirata drejt pavarësisë së Kosovës nga Sërbia përfaqëson perspektivën e vetme për stabilitet afatgjatë në Ballkan dhe nuk duhet të shtyhet".

Dekorimi i Dua Lipës 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi për shërbime me Medaljen Presidenciale në vitin 2024. 

"Profesori Paul R. Uilliams mori Medaljen Presidenciale të Meritës së Kosovës për kontributin e tij si këshilltar juridik i Kosovës gjatë Marrëveshjes së Paqes së Rambujesë", njoftoi presidenca në atë kohë.
Dekorimin e ndau në platformën sociale Linkedin si "fakt fan" (fakt argëtues, fakte interesante) duke e krahasuar veten me-Dua Lipën.

“Çfarë kemi të përbashkët unë dhe Dua Lipa? Të dy jemi fitues të Medaljes Presidenciale të Meritës së Kosovës”, shkroi në postim.

Sot para gjykatës në Hagë

Uilliams sot dëshmoi para Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë në proçesin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe liderëve të tjerë të UÇK.

Në nisje të dëshmisë, si dëshmitari i dytë i mbrojtjes në këtë procedurë, i kujtoi trupit gjykues se atë delegacioni kosovar e ftoi të ishte këshilltari i tyre juridik gjatë negociatave në Rambuje në emër të Ibrahim Rugovës.

Tha se një nga qëllimet e delegacionit kosovar në Rambuje ishte të siguronte juridiksionin e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë dhe se konteksti i këtyre bisedimeve ishte masakra në Reçak.
Tha se Thaçi ishte "i kontrolluar" nga aktorë të jashtëm dhe se Thaçi e dinte se hetimet do të përfshinin dhe UÇK.

Misionet në rajon

Përveçse asaj që ishte anëtar i delegacionit kosovar në Rambuje, Uilliams ishte ndër të tjera, këshilltar i delegacioneve boshnjake, maqedonase dhe malazeze në negociata të ndryshme.
Uilliams shërbeu si këshilltar juridik i qeverisë boshnjake gjatë negociatave për Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit dhe e këshilloi qeverinë për arbitrazhin në Bërçko.

Shërbeu si këshilltar juridik i delegacionit shqiptaro-maqedonas gjatë negociatave të paqes në Shkup dhe Liqenin e Ohrit. Përveç kësaj, këshilloi presidentin e Maqedonisë rreth opsioneve të disponueshme në KB sesi të kapërcehej bllokimi me Greqinë rreth përdorimin të emrit "Republika e Maqedonisë".
Shërbeu dhe si këshilltar juridik i qeverisë malazeze gjatë negociatave për Traktatin e Unionit me Sërbinë. Gjithashtu ofroi shërbime juridike qeverisë malazeze në përgatitjet për referendumin për pavarësi në vitin 2006 dhe në hartimin e kushtetutës së re.

Si këshilltar juridik në Departamentin e Shtetit, Uilliams dha këshilla për çështje që lidhen me shpërbërjen e Jugosllavisë, hartoi rezoluta të Këshillit të Sigurimit dhe ishte bashkëkëshilltar për grupin e punës për sanksione ndaj Sërbisë.

Gjithashtu ofroi ndihmë ligjore për Zyrën e Prokurorit të Tribunalit për ish Jugosllavinë në Hagë duke punuar në ekip me asistentë hulumtuese.

Shkruajti për shpërbërjen e Jugosllavisë dhe Millosheviqin

Uilliams u diplomua në vitin 1987 nga Universiteti i Kalifornisë në Dejvis, përfundoi Fakultetin Juridik në vitin 1990 në Stanford, ndërsa doktoroi në Universitetin e Kembrixhit, ku ishte me bursë nga program Fullbrajt.

Në vitin 2010, mori çmimin "Mësues/Hulumtues i Vitit" në Universitetin Amerikan, i cili është nderi më i lartë që ky institucion u jep stafit të tij mësimdhënës.
Uilliams është autor i disa veprave në fushën e së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësisë për krime lufte që merren me luftën në ish-Jugosllavi dhe aktakuzën ndaj Sllobodan Millosheviqit.