Mes kontinuitetit dhe ndryshimeve: Kisha katolike para zgjedhjes së papës së 267-të

Shkruar për Kosovo onlajn: Zhelko Shajn
Në heshtjen solemne të Vatikanit, u përcoll Papa Françesku, kreu i 266-të i Kishës Katolike. Në varrin e tij modest, thjesht dhe dinjitoz, ishte shkruar emri latin Franciscus, i cili i hoqi përgjithmonë dyshimet rreth formës së emrit të tij-Franko apo Franjo. Kjo i vendosi pikën simbolike një epoke, ndërsa Kisha kthehet në faqe të re, duke nisur përgatitjet për konklavën që do të zgjedhë papën e 267-të.
Papa Françesku për kohën e pontifikatit të tij, emëroi rreth 80% të përbërjes aktuale të Kolegjit Kardinal ku përbëhet nga më shumë se 120 kardinalë nga 94 vende. Mes tyre është Kardinali Ladisllav Nemet nga Sërbia, si dhe shumë kardinalë nga vendet ku katolikët janë pakicë. Lind pyetja se sa mirë ata si zgjedhës potencial e njohin njëri-tjetrin dhe sa e lehtë është për ta të arrijnë konsensus në zgjedhjen për papën e ri.
Duket se zgjedhja e kreut të ri të Kishës Katolike mund të jetë më e pasigurta deri më tani. Papa i ri mund të jetë nga Afrika, Amerika e Veriut ose Filipinet, pasi kardinalët nga këto vende, përveç kardinalëve europianë, janë të njohur për të gjithë. Megjithatë, ndër favoritët e këtij momenti historik, spikat emri i kardinalit Pietro Parolin, sekretari i Shtetit të Vatikanit, i cili e njeh mirë funksionimin e Selisë së Shenjtë, Vatikanin si shtet dhe mekanizmat e Kishës Katolike. Ka qenë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Papa Françeskut, të cilin e emëroi personalisht në pozicionin e sekretarit të Shtetit. Ndaj, emri i tij shquhet si një nga më seriozët në këtë moment historik.
I lindur në vitin 1955 në rajonin italian të Venetos, Parolin ka kryer studimet për teologji në Venecia e më pas fitoi gradën doktor për të drejtën kanunore në Romë. Ka hyrë herët në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë duke shërbyer në ambasadat në Nigeri dhe Meksikë, e më vonë ishte emëruar si nunci apostolik në Venezuelë. Eksperienca e tij tek misionet e vështira, veçanërisht në vendet me kriza politike, e formësoi atë si negociator të zot dhe ndërmjetës në zgjidhjen e konflikteve. Emri i tij është i njohur edhe për qytetarët e Sërbisë përmes “Politika”, ku në vitin 2019 realizova intervistë ekskluzive me të dhe çeli portën e Selisë së Shenjtë të Kishës Katolike në vetë zemrën e Vatikanit.
Parolin si sekretar shteti i Vatikanit ka vepruar në kohën e sfidave globale: konflikte, ndryshimet klimatike, migracioni dhe rënia e besimit tek institucionet ndërkombëtare. Puna e tij është veçanërisht e shënuar nga dëshira për të ruajtur praninë e Kishës tek rajonet ku krishtërimi është gjithnjë e më i kërcënuar, sikurse janë Lindja e Mesme dhe Afrika. Gjithashtu, në erën e ndasive të thella globale, diplomacia e Selisë së Shenjtë nën drejtimin e Parolin forcoi identitetin e vet si lidhje mes idealeve dhe realitetit-aty ku janë fjalët rreth paqes, dinjitetit njerëzor dhe të drejtat, kanë qenë mbështetje kryesore, ndërsa rruga e ndërmjetësimit politik mënyra e tij për t'i arritur.
Duke folur për “Politika” në vitin 2019, kardinali Parolin ka dëshmuar qartë vizionin e tij për Kishën dhe botën, duke treguar kompleksitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare pas Luftës së Ftohtë. "Do të thoja se pas Luftës së Ftohtë, jemi ende larg nga arritja e rendit të ri ndërkombëtar pozitiv dhe të qëndrueshëm", theksoi Parolin, duke shtuar se bota vitet e fundit është karakterizuar nga skenarë konfuzë të dhunës, urisë, migrimit dhe terrorizmit-çka vlen edhe sot. Në kohën që është, duke cituar papën, e quajti “lufta e tretë botërore në fragmente”, Parolin theksoi se Kisha nuk duhet të qëndrojë sikur nuk është: “Kisha është vëllazëri në të cilën pranohen të gjithë dhe në të cilën të gjithë kanë të njëjtin dinjitet”.
Parashikimet e tij, fatkeqsisht, u realizuan. Luftërat në Europë dhe Lindjen e Mesme destabilizuan edhe më tej botën, duke rritur frikën prej konfliktit global dhe përdorimit të armëve bërthamore. Filozofia e Parolinit për vëllazëri dhe barazi mbeti baza e veprimtarive të tij në krye të Selisë së Shenjtë, në përputhje me vizionin e Papa Françeskut, për të cilin foli në intervistë me devotshmëri dhe respekt të thellë.
Duke folur për Ballkanin, Parolin vuri në dukje trashëgiminë e vështirë të luftërave dhe tensioneve: "Ballkani fatkeqësisht, është sërish rajoni ku mbizotërojnë tensionet dhe ku kujtimet dramatike të së kaluarës së hershme dhe të afërt, nuk janë zbehur plotësisht". Për pajtim të vërtetë, sikurse tha, ai, është e nevojshme të “pastrohet kujtesa”, të pranohet e vërteta dhe të hidhen poshtë si apologjetikat ashtu edhe akuzat e padrejta. Bashkësitë fetare sipas fjalëve të tij, kanë detyrë të përbashkët: të ndërtojnë ura, promovojnë dialogun dhe të jenë motorë të paqes së vërtetë.
Gjatë vizitës në Sërbi në vitin 2024, në ceremoninë që shënoi 325-vjetorin e Paqes së Karlovacit, Parolin në vendin simbolik në Kapelën e Paqes në Karlovacin e Sremit, tha me fort: "Të gjithë ne, përfaqësues të bashkësive të ndryshme fetare dhe autoriteteve civile, jemi mbledhur për të zgjuar dëshirën tonë për paqe dhe për të deklaruar me vendosmëri: 'Kurrë më luftë! Kurrë më luftë në këtë vend [Sërbi], as në botë!'"
Gjithësesi zgjedhja e papës së ri paraqet pikë kyçe për të ardhmen e Kishës Katolike dhe drejtimin e saj. Duke pasur parasysh se pontifikati i Papa Françeskut ishte i njohur për tentativat në hapjen e kishës ndaj çështjeve moderne, drejtësisë sociale, sfidave mjedisore dhe përfshirjes më të madhe, pasardhësi i tij do të ketë detyrë të rëndë të vendosë nëse do të vazhdojë në rrugën e tij, apo do të kthehet tek rrënjët e qasjes tradicionale. Mund të pritet dhe që kreu i ri do ta korrigjojë disi drejtimin aktual me zhvendosje të butë djathtas-duke treguar më pak hapje në disa çështje, por njëkohësisht duke vazhduar frymën reformuese të pontifikatit të mëparshëm, për hir të përpjekjes për të balancuar qëndrimet dhe për të ruajtur unitetin brenda Kishës, veçanërisht në dritën e kritikave gjithnjë e më të ashpra që vijnë nga qarqet katolike në Gjermani, ku disa teologë dhe peshkopë, kundërshtojnë haptazi kthimin tek vlerat konservatore, duke paralajmëruar madje për mundësinë e përçarjes, sikurse raportohet nga mediat e huaja. Veç kësaj, papa i ri do të përballet me sfida të thella të shkaktuara nga sekularizimi dhe protestantizimi i besimtarëve në Gjermani dhe vendet europianoperëndimore, çka dëmton seriozisht ndikimin e Kishës Katolike tek bastionet tradicionalisht të forta fetare. Përkundër kësaj, është në rritje domethënëse Kisha në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine, ku jetojnë shumica e katolikëve sot-besimtarë që në masën më të madhe anojnë më shumë nga tradita ndërsa më pak interpretohet si besime liberale të besimit karakteristik për Europën.
Duke pasur parasysh se gjatë ditëve të vështira të sëmundjes së Papa Françeskut, mes kardinalëve u bisedua rreth pasardhësve të mundshëm, mbizotëron bindja se konturet e zgjedhjes tashmë janë formësuar pjesërisht. Kjo çel mundësinë që zgjedhja e papës së ri të ndodhë shumë shpejt. Sigurisht, kushdo që të zgjidhet-duhet t'u përgjigjet sfidave që po ndryshojnë thellësisht fytyrën e Kishës moderne.
0 komentet