Sërblak: Dhe sot mbaj mend britmat nga Bistrica, ende nuk e kam marrë veten
Vetes sime më të re do t’i thoja të njëjtën si të tjerëve-të dëgjonin instinktet e tyre. Unë shpesh dhe sot kam ndjesinë se nuk duhet të shkoj diku dhe kur nuk e dëgjoj atë, ndodh diçka e keqe. E njëjta ishte dhe atë ditë para 22 vitesh. Nuk më shkohej në Bistricë, shkova për shkak të shoqes. Gjithnjë e më e vështirë më bëhet të flas rreth kësaj dhe në një moment vendosa të mos jap deklarata për median sepse po hap më shumë plagë, them të njëjtën gjë çdo vit dhe asgjë nuk ndryshon. Megjithatë, në një moment mendova se nuk duhet të hesht për shkak të atyre që qëlluan, për shkak të atyre monstrave, sepse nuk di çfarë fjale tjetër të përdor. Të paktën 13 gushti i çdo viti duhet të jetë paralajmërim për atë që kanë bërë, tha në KOntekst Dragana Sërblak nga Gorazhdevci, një prej të lënduarve nga të shtënat në Bistricë në vitin 2003.
Pothuajse 100 plumba u shkrehën drejt fëmijëve që laheshin në lumë. Një i ri dhe një fëmijë u vranë, katër fëmijë u plagosën. Mes tyre ishte edhe Dragana, trembëdhjetë vjeç atëherë. Tre plumba në këmbën e saj lanë pasoja të përhershme-nyja e kyçit të këmbës u dëmtua 80%.
"Mbaj mend gjithçka. Unë dhe shoqja ime ndërruam shapkat rrugës sepse të sajat ishin të mëdha. Nxituam dhe vrapuam sikur diçka na priste aty, nëse nuk do të kishim vrapuar nuk do të kishim mbërritur në kohën e të shtënave. Ajo shkoi të lahej, unë shkova të merrja shapkat e mia dhe thjesht rashë. Në atë moment u shurdhova dhe nuk flisja nga e shtëna. Rashë në rrugë ku të gjithë duhej të kalonin dhe të iknin, por nuk pashë askënd. Më vonë, kur hulumtova, kjo është traumë, kjo në fakt është e ngrirë. Truri ynë njeh se diçka do të ndodhë dhe mund t’a shmangë atë në një gjendje të ngrirë. Dhe meqenëse ajo traumë është ende e ngrirë, tani e di përse u’a tregova të gjithëve sikur të ishte në ndonjë film dhe jo sikur ta kisha përjetuar", spegon Sërblak.
Thotë se Bistrica, e cila ndan sërbët dhe shqiptarët në Gorazhdevc, nuk ka qenë kurrë e sigurt, por që ishte i vetmi vend ku fëmijët mund të freskoheshin gjatë verës. Ndonëse prindërit e saj e ndaluan të qëndronte në lumë, spegon përse nuk u zemëruan atë ditë.
"Për këto 22 vite nuk i’a kam thënë publikisht askujt. Një ditë para se të ndodhte krimi në Bistricë, ime më udhëtoi për në Ostrog ku pa në ëndërr masë njerëzish që nxitonin tek fëmijët e tyre. Dhe në një moment, dikush i kapi dorën dhe i tha: ‘zonjë, largohu, të paktën për sigurinë tuaj'. Ime më në agim u kthye nga Mali i Zi, të shtënat ishin në orën një të pasdites. Erdhi e qetë për shkak të gjumit dhe më tha vetëm të shkoja dhe të kthehesha deri në drekë", kujton e ftuara e KOntekst.
Në lumë ishte dhe motra e madhe e Draganës me të dashurin e saj në atë kohë, bashkëshorti aktual i cili ishte i pari që u hodh për ndihmë.
"Unë, kur rashë dhe kur plumbi kaloi nëpër thembër, kyçin e këmbës, më gozhdoi këmbën në tokë. E kështu gjaku u shpërnda kudo. Isha e gjakosur e gjitha. Dhëndërri im më mbajti deri sa erdhi makina e parë e policisë. Më la aty dhe shkoi të shpëtonte të tjerët. Motra ishte pranë tij dhe për fat të keq i pa të gjitha. Shoku i saj më i mirë Ivan Jovoviq vdiq, ishte pas meje. Më kujtohet britma e tij kur ra. Një djalë tjetër, Pantelija Dakiq u vra gjithashtu", thotë Sërblak.
Rruga deri në spital, kujton, ishte e gjatë dhe e vështirë.
"As sot, nuk e kam të qartë se ushtria po ndërronte atë ditë, se satelitët nuk po regjistronin. Automjeti i KFOR ishte në hyrje të fshatit, në mes të fshatit, pranë kishës, pranë shkollës, pranë lumit. Atë ditë nuk kishte askënd. Më çuan në bazën italiane, ku morëm mjekim, thanë se nuk kishte mjek. Shkojmë në bazën e Pejës, megjithatë, KFOR na rekomandon rrugës dhe thotë se po na çon në spitalin e Pejës, ku ka mjekë shqiptarë. Ma vendosën në allçi plagën e plumbit ndonëse isha e gjakosur. Pantelija Dakiq erdhi i gjallë në të njëjtin spital dhe më vonë të atin e tij e informuan se djali i tij kishte vdekur. Me insistimin e nënës sime, shkuam në spitalin e Mitrovicës në minutën e fundit. Mjekët thanë se isha 10 minuta larg vdekjes", tha e ftuara e podkastit.
U pasua me vite terapie, që vijojnë edhe sot. Ndërkohë, Dragana përfundoi studimet e psikologjisë në Fakultetin e Filozofisë në Mitrovicën e Veriut, por në kërkim për punë, u transferua në Beograd, ku jeton dhe punon qysh prej vitit 2016.
"Fatkeqësisht, nuk arrita të merrem me psikologji sepse, para së gjithash, nuk e shërova veten. Tentova të punoja në shkollë me fëmijë. Megjithatë, si mund të punojë dikush me fëmijë dhe t'i ndihmojë ata dikush që nuk e ndihmon dot veten. Mund të them se u largova nga ajo shkollë. Nuk ika por i’a mbatha dhe pyesja veten se për çfarë më duhej kjo. Në kohën e studimeve, punova në farmaci dhe e doja atë punë. U ktheva në farmaci dhe punoj si teknike farmaceutike. Ajo çka dua të them, është të punoj atë që dua, por që fatkeqësisht, për shkak të lëndimeve të mia, nuk mund të qëndroj dot gjatë gjithë kohës. Kështu që tani kërkoj ndonjë zgjidhje të re”, tha Sërblak.
E ftuara e Kontekstit foli dhe për rritjen në Gorazhdevc, për jetën para tragjedisë që shënoi jetën e atij fshati të Metohisë.
“Ndonëse ishte gjendje lufte, unë mund të them lirshëm se ishte argëtuese. Sepse ne si fëmijë, nuk mendojmë si të rriturit se çfarë do të thotë tanku para të cilit kaloj kur shkojmë në shkollë. Kjo për mua ishte argëtuese. Çfarë do të thotë aeroplani që kalon non stop? Çfarë do të thonë telat përreth nesh? Ushtarët italianë përpiqeshin vazhdimisht të na gjallëronin, të na bënin çdo ditë argëtuese. Organizonin festa, sillnin dhurata për Vitin e Ri”, thotë Sërblak.
Kur i mungon forca dhe durimi, Dragana kujton fjalët e nënës së saj se nuk do të largohet nga Gorazhdevci edhe nëse ndodh Hiroshima.
“Mendoja se si ne nga Kosova jemi të destinuar të jemi kaq shumë të viktimizuar, mendojmë se duhet të kalojmë nëpër gjithçka që na ndodh. Nuk dëshiroj të besoj tek e keqja, nuk dua të besoj se lëndimi do të më sabotojë në pjesën tjetër të jetës sime, kam forcë të vazhdoj të luftoj me fizioterapi”, tha Sërblak.
Gjithësesi, nuk beson se do mësohet e vërteta rreth ngjarjes që i ndryshoi jetën. Çështja u mbyll në vitin 2010 për shkak të mungesës së provave.
“Na thanë se ndodhi që pas disa vitesh, ndërgjegjet e njerëzve u nxitën, u shfaqën dhe rrëfyen fajin e kështu me radhë. Unë qysh nga nisja deklarova se besoj në drejtësinë e Zotit, besoj tek Zoti”, përfundon Sërblak.
Gjithë bisedën e Dragana Sërblak me Dragana Biberoviqin mund t’a ndiqni në videon bashkëngjitur.












0 komentet