Dençiq: Aktualisht nuk duket ajo e ardhme në të cilën Ukraina mund ta ndryshojë qëndrimin për Kosovën
Redaktori i rubrikës së politikës së jashtme të Programit të Parë të Radio Beogradit, Nikolla Dençiq, thotë se deklarata e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se qëndrimi i këtij vendi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndryshojë, nuk është diçka që duhet ta befasojë Prishtinën në këtë moment apo në cilindo moment tjetër, pasi një qëndrim i tillë i Ukrainës është i njohur për disa arsye. Një prej tyre, siç thekson ai, është se Ukraina nuk mund të dalë me idenë e njohjes së një territori të caktuar që nuk njihet ndërkombëtarisht dhe që nuk ka sovranitet në kuptimin që ia japin Kombet e Bashkuara.
Sipas Dençiqit, njohja e integritetit territorial të shteteve të tjera shpesh interpretohet edhe si shprehje e miqësisë dhe e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy vendeve, por gjithsesi mund të interpretohet gjithmonë edhe në aspektin praktik.
“Edhe para se të shpërthente konflikti në Donbas në vitin 2014, e sidomos pas tij dhe aneksimit të Krimesë, ndërsa veçanërisht pas fillimit të luftës në vitin 2022, Ukraina në asnjë mënyrë nuk mund të dalë para publikut apo në ndonjë forum ndërkombëtar me idenë për të njohur një territor të caktuar, i cili aktualisht nuk njihet ndërkombëtarisht dhe nuk ka sovranitet në kuptimin që ia japin Kombet e Bashkuara. Prandaj, qëndrimi i Kievit për këtë çështje sigurisht që do të mbetet gjithmonë i njëjtë”, thotë Dençiq.
Sikurse shton, ekzistojnë edhe marrëdhëniet ndërmjet Kievit dhe Beogradit, të cilat kanë një dimension praktik, pavarësisht se mund të krijohet përshtypja se Beogradi zyrtar nuk gëzon status edhe aq të lartë në Kiev, duke pasur parasysh se vazhdon të mbajë një nivel të lartë marrëdhëniesh me Rusinë dhe se ndaj Moskës nuk janë vendosur sanksione.
“Kjo mund të interpretohet si një pengesë e caktuar, dhe sigurisht që është e till, për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, por është gjithashtu fakt se Serbia, në mënyrë të qartë dhe në çdo rast, e thekson integritetin territorial të Ukrainës si një fakt të pakontestueshëm. Është gjithashtu fakt se të dyja shtetet bashkëpunojnë që nga fillimi i luftës, se ekziston ndihma e Serbisë dhe se kjo nuk mund të vihet në dyshim. Thirrjet nga Prishtina që Kievi ta njohë në njëfarë mënyre pavarësinë e Kosovës burojnë më shumë nga përpjekjet e Prishtinës për ta shfrytëzuar të gjithë situatën dhe luftën për t’u afruar me aleatët perëndimorë dhe për ta paraqitur Beogradin si ‘faktor destabilizues’”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Ai kujton se janë dëgjuar deklarata se Prishtina qëndron plotësisht përkrah Ukrainës në konfliktin me Rusinë, ndërsa Serbia është praktikisht një postë e Rusisë në Ballkan, se serbët janë rusë të vegjël e të ngjashme, gjë që në aspektin politik nuk qëndron aspak.
Megjithëse më parë, por edhe tani, disa anëtarë të Radës Supreme të Ukrainës kanë deklaruar se vendi i tyre do ta njohë Kosovën, Dençiq thotë se nuk ka tregues se diçka e tillë mund të ndodhë para përfundimit eventual të konfliktit.
“Përfundimi i konfliktit aktualisht nuk duket aspak. Prandaj, në këtë moment nuk mund të themi se e shohim atë të ardhme në të cilën mund të ndodhë një ndryshim i caktuar i qëndrimit, kur bëhet fjalë për idetë e disa deputetëve në Radën Supreme të Ukrainës për njohjen e mundshme të pavarësisë së vetëshpallur të Kosovës. Këto ide buronin më shumë nga qëndrimi i tyre ndaj Serbisë, e cila vazhdon të mbajë një nivel të lartë marrëdhëniesh me Moskën, dhe ndoshta jo aq shumë nga ndonjë ide apo nismë konkrete. Sigurisht që në të dyja anët ka persona që do ta mbështesnin një ide të tillë, por aktualisht ajo nuk mund të zbatohet në praktikë. Mendoj se as në të ardhmen e afërt, e ndoshta as në atë më të largët, nuk duket se diçka e tillë mund të ndodhë”, përfundon Dençiq.
0 komentet