Hill për vizitën e Zelenskyt: Neutraliteti ushtarak i Serbisë keqkuptohet, Beogradi e kupton se e ardhmja e vendit është në Perëndim
Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha se vizita e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Beograd është e rëndësishme dhe se ajo tregon se Serbia ka marrëdhënie gjithnjë e më të mira me Perëndimin.
Hill, duke folur për BBC-në në gjuhën serbe, theksoi se shumë njerëz në të kaluarën e kishin kuptuar deri diku gabimisht neutralitetin ushtarak të Serbisë.
„Ata konsideronin se kjo nënkuptonte neutralitet në kuptimin e një distance të barabartë nga vende të ndryshme, por në të vërtetë nuk është kështu. Serbia mban marrëdhënie të ngushta me një sërë vendesh perëndimore. Fakti që Serbia po intensifikon aktivitetet lidhur me Ukrainën pasqyron pikërisht këto marrëdhënie gjithnjë e më të mira“, tha Hill.
Ai theksoi se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Ukrainës po zhvillohen në një drejtim shumë pozitiv, duke kujtuar se Serbia gjatë viteve të fundit ka hapur ambasadë dhe ka emëruar ambasador në Kiev.
„Kjo është vetëm vazhdimësi e këtij procesi dhe unë me të vërtetë besoj se Serbia e kupton se ku qëndron e ardhmja e saj – dhe ajo është në Perëndim. Gjatë tre viteve të fundit, përkatësisht menjëherë pas fillimit të luftës, Serbia i ka intensifikuar marrëdhëniet me Ukrainën. Ajo i ka ofruar ndihmë të konsiderueshme Ukrainës dhe ka bashkëpunuar me të tjerët për sigurimin e mbështetjes për rrjetin elektroenergjetik dhe në fusha të tjera“, deklaroi Hill.
Duke folur për refuzimin e Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, Hill tha se Qeveria e Serbisë kishte marrë qëndrimin se do të ishte e vështirë t’u shpjegohej qytetarëve pse vendi do t’i bashkohej regjimit të sanksioneve.
„Për këtë arsye, konsideroj se ajo që ka bërë Serbia, si në aspektin e ndihmës, ashtu edhe në fusha të tjera të bashkëpunimit, është shumë e rëndësishme dhe shpresoj që edhe të tjerët ta vërejnë këtë“, tha Hill, duke shtuar se Rusia nuk do ta mirëpresë vizitën e Zelenskyt në Beograd, por se ata „aktualisht kanë shumë çështje të tjera për të cilat duhet të shqetësohen“.
0 komentet