Gjuriq: Pushteti në Prishtinë nuk është konstruktiv, ngecje e madhe në dialog

Marko Đurić
Burim: Kosovo Online

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi sot se hapja e Klasterit 3 në negociatat me Bashkimin Evropian, tani ose në muajt e ardhshëm, do të ishte një stimulim serioz për mbarë shoqërinë në Serbi që vitin e ardhshëm të përqendrohet në procesin e integrimeve evropiane. Gjuriq vlerësoi Procesin e Berlinit dhe, duke folur për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, theksoi se ka pasur një rënie të ndjeshme në respektimin e të drejtave të pakicave në Kosovë, si edhe një ngecje në dialog, sepse autoritetet në Prishtinë nuk janë konstruktive.

"Dua të filloj me një vlerësim të sinqertë për Procesin e Berlinit. Sepse gjatë gjithë këtij periudhe ai proces na ka mundësuar një platformë të qëndrueshme për bashkëpunim rajonal, e cila nuk varet nga dinamika jonë e brendshme rajonale, midis vendeve të rajonit tonë. Që kur jam ministër, kam qenë dëshmitar i disa takimeve shumë të mira në Berlin, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut. Kjo na ka mundësuar të kemi një platformë për të ecur më tej në dialogun ndërmjet shteteve", tha Gjuriq në panelin me titull "Dhjetëvjeçari i dialogut: A ka sjellë përparim Procesi i Berlinit?", në Forumin "Beltaks" të organizuar nga "Globsek".
Sa i përket dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ministri theksoi se ka pasur një ngecje të madhe, si edhe një rënie të të drejtave politike, kulturore, ekonomike, etnike dhe të tjera të pakicave në Kosovë.
"Ky është një 'elefant në dhomë'. Autoritetet në Prishtinë nuk janë aq konstruktive dhe bashkëpunuese sa do të dëshironim", tha Gjuriq.
Ai përmendi diplomat universitare, duke theksuar paradoksin se me një diplomë të Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut mund të punoni në Berlin, por nuk mund të punoni në Prishtinë pa procedura shtesë.
"Para më shumë se një dekade kemi nënshkruar një marrëveshje me të cilën do të njihnim diplomat e njëri-tjetrit, por ajo që shohim realisht është se duhet të ndalet përdorimi i çështjes së shtetësisë në lidhje me disa të drejta themelore, si njohja e diplomave universitare", tha Gjuriq.

Rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore

Ai theksoi se për Serbinë marrëdhëniet e mira fqinjësore kanë rëndësi të madhe.
"Shpesh më pëlqen të them se, duke pasur parasysh faktin se Serbia ka tetë fqinj të drejtpërdrejtë, kjo e bën pas Gjermanisë, së bashku me Austrinë, vendin me numrin më të madh të fqinjëve të drejtpërdrejtë. Këtë e përsëris shpesh sepse dua të nënvizoj sa të rëndësishëm jemi për stabilitetin rajonal. Ky lloj platforme është jashtëzakonisht i rëndësishëm për përparim. Tashmë kemi bërë hapa përpara në tregun e përbashkët ekonomik, por dua të theksoj se për ne puna në bashkëpunimin rajonal është interes kombëtar, por edhe një hap i mirë drejt procesit të integrimeve evropiane. Njëra nuk shkon pa tjetrën", theksoi shefi i diplomacisë serbe.
Ai shtoi se Procesi i Berlinit nuk është alternativë ndaj procesit të integrimeve evropiane, por vuri në dukje se bashkëpunimi rajonal në këtë format dhe në formate të tjera është nën ndikimin e pesimizmit evropian.
"Kjo është diçka që më shqetëson. Nëse shikoni sondazhet e opinionit publik, si Eurobarometri, mund të shihni se në disa nga vendet tona, por edhe në vendet evropiane, ekziston shumë pesimizëm lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së. Besoj se vitin 2026 duhet ta shfrytëzojmë për ta shtyrë rajonin edhe më fort drejt BE-së. Jo vetëm Serbinë. Kjo duhet të jetë një vendim politik në të njëjtën formë siç ishte për disa vende të tjera që u anëtarësuan në BE para një dekade. Nuk mendoj se ekonomia apo institucionet tona, përparësitë apo dobësitë e tyre, mund të jenë shumë të ndryshme nga ato të shteteve që u pranuan në BE para pak më shumë se një dekadë", tha Gjuriq.

Ai beson se Serbia mund të kontribuojë për një Evropë më të fortë.
"Ne jemi një vend që e ka dyfishuar ekonominë e tij për më shumë se një dekadë. Pjesë e vizionit të Aleksandar Vuçiqit ishte një kthesë nga narrativa që ka dominuar politikën tonë për më shumë se një dekadë, drejt rritjes së PBB-së, zhvillimit të infrastrukturës, fokusit tek e ardhmja, dhe kjo është një ndryshim i madh në politikën serbe. Kjo është një fakt, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo politika e kësaj qeverie", renditi ministri.

Vit i vështirë për BE-në dhe Serbinë

Ai theksoi se, kur analizohet i gjithë viti, e veçanërisht procesi i integrimeve, duhet marrë parasysh se ky ka qenë një vit shumë i vështirë për të gjitha vendet e rajonit, por edhe për të gjithë Bashkimin Evropian.
"Për shembull, për Serbinë ky ka qenë një vit shumë i vështirë me shumë ndarje dhe probleme të brendshme, por gjatë tre muajve të fundit kemi arritur ta përdorim procesin e integrimeve evropiane për të dalë nga disa probleme dhe për t’u kthyer drejt proceseve më pozitive. Procesi i integrimeve evropiane nuk është vetëm përgjegjësi e qeverisë, por edhe e shoqërisë më të gjerë – përfshirë edhe opozitën dhe organizatat joqeveritare", tha Gjuriq.
Ai kujtoi se Serbia ka marrë rekomandime nga Komisioni Evropian për të bërë shumë gjëra, gjë që e ka realizuar duke zbatuar disa reforma kyçe në drejtësi dhe duke miratuar ligje të lidhura me procesin zgjedhor.
Sa i përket energjetikës, ai theksoi se Serbia ka bërë një sukses të madh në diversifikimin e burimeve dhe hapjen, por edhe në lidhjen me tregun evropian.
"Këto janë rezultate të qarta që kemi pasur gjatë muajve të fundit dhe ne do të donim që shtetet anëtare të pranonin faktin se Komisioni Evropian për të pestën herë ka rekomanduar hapjen e Klasterit 3. Besoj se hapja e atij klasteri tani ose në muajt e ardhshëm do të ishte një stimulim për shoqërinë tonë që në vitin 2026 të përqendrohet në procesin e integrimeve evropiane dhe gjithçka që lidhet me procesin e zgjerimit të BE-së. Nëse ndodh që pavarësisht të gjitha këtyre rezultateve, nuk mund të bëjmë përparim, po e them sinqerisht, pesimizmi ndaj BE-së, i cili është i pranishëm në çdo mënyrë në kontinentin evropian, do të marrë hov të ri në rajonin tonë", u shpreh qartë Gjuriq.
Megjithatë, ai theksoi se reformat duhet të përshpejtohen pavarësisht gjithçkaje, për të krijuar një shoqëri që do t’i mbajë të rinjtë në vend dhe do t’i frymëzojë të ndërtojnë të ardhmen këtu.
"Prandaj duhet të përveshim mëngët dhe të punojmë për forcimin e institucioneve tona, por edhe të ekonomisë, lëvizshmërisë shoqërore dhe pajtimit rajonal", theksoi Gjuriq.
Ai kujtoi gjithashtu se ky ka qenë një vit në të cilin janë shënuar disa përvjetorë të rëndë – 30-vjetori i Marrëveshjes së Dejtonit, 30-vjetori i Srebrenicës, 30-vjetori i "Stuhisë".
"Këto kanë qenë përvjetorë politikisht sfidues, të cilët ndonjëherë janë keqpërdorur. Kam dëgjuar dikë të përdorë shprehjen 'tribalizimi i dhimbjes'; në rastin e Ballkanit kjo duhet të marrë fund... Duhet ta pranojmë faktin se të gjithë ne vuajmë, ndoshta jo në të njëjtën masë. Ne shtrijmë dorën me dëshirën për bashkëpunim të ngushtë me të gjithë fqinjët tanë", tha ministri.
Ai gjithashtu theksoi se, kur bëhet fjalë për takimet e fundit me ministrin e jashtëm gjerman, Serbia ofroi të organizojë disa takime të ardhshme të procesit të Berlinit ose ta bëjë këtë së bashku me dikë tjetër.
"Ne duam sukses në rrugën drejt BE-së. Serbia meriton të përfshihet në raundin tjetër të zgjerimit të BE-së dhe ne patjetër do të përpiqemi ta përdorim vitin 2026 për të kompensuar kohën e humbur në të cilën mund të mos kemi qenë kaq të përqendruar këtë vit", përfundoi Gjuriq.