Kos: Rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes dialogut me Beogradin, e jo përmes veprimeve të njëanshme

Marta Kos
Burim: Kosovo Online

Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, theksoi sot se “rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian kalon përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin, e jo përmes veprimeve të njëanshme”, raporton Demokracia.

Gjatë debatit me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Kos foli për zgjerimin e BE-së, situatën në Ukrainë dhe politikën e fqinjësisë së mirë të Unionit, duke bërë thirrje që në Kosovë sa më shpejt të formohen institucionet, një proces i domosdoshëm për përparimin e reformave që lidhen me Bashkimin Evropian.

“Pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, është thelbësore që institucionet të formohen shpejt dhe të fillohet me reformat kyçe në drejtësi, media dhe administratën publike. Një qeveri funksionale dhe një kuvend funksional janë jetike që Kosova të përfitojë nga Plani Evropian për Rritje,” theksoi Kos.

Kosova e vetmja në rajon që nuk ka nisur negociatat

Komisionerja foli edhe për proceset integruese të vendeve të rajonit.

Kosova vazhdon të mbetet e vetmja në rajon me perspektivë evropiane, por kërkesa e saj për marrjen e statusit të kandidatit ende nuk është shqyrtuar. Kos konfirmoi gatishmërinë për t’u marrë me këtë kërkesë, por theksoi se iniciativa për këtë duhet të vijë nga shtetet anëtare të BE-së.

Ajo tha se dialogu dhe përmbajtja nga veprimet e njëanshme janë i vetmi rrugëtim përpara drejt strukturave evropiane:

“Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë opinionin për anëtarësimin e Kosovës në BE sapo ta kërkojë Këshilli. Por më lejoni të jem e qartë: rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin, e jo përmes veprimeve të njëanshme,” tha Kos.
Procedura më të lehta për pranimin në BE

Duke folur për vendet e rajonit, Marta Kos kritikoi vizitën e presidentit të Serbisë në Moskë dhe shtoi se i kishte thënë presidentit Aleksandar Vuçiq se kjo e ndërlikon përpjekjen për integrimin evropian të Serbisë. Kos i bëri thirrje Serbisë të vazhdojë me reformat dhe të rikthejë besimin e opinionit publik.

Ajo lavdëroi përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në negociatat për anëtarësim dhe inkurajoi vendet e tjera të rajonit që të përshpejtojnë zbatimin e reformave. Kos theksoi se negociatat me Shqipërinë janë tashmë në proces dhe përfshijnë 24 kapituj.

Ajo gjithashtu tha se Komisioni Evropian po shqyrton mënyrat për të thjeshtuar procedurat për pranimin në BE, në mënyrë që të shmanget rreziku nga çështjet bilaterale që ndikojnë në procesin e zgjerimit në këtë kontekst të ndjeshëm gjeopolitik. Kos shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në dialogun mes Shkupit dhe Sofjes.

“Ne kemi një synim politik që negociatat e anëtarësimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut të fillojnë më intensivisht sapo të miratohen ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të fillojnë negociatat dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje bilaterale, dhe unë jam e gatshme të bashkëpunoj dhe të jem në dispozicion nëse do të jetë e nevojshme”, tha Kos.