Wickoff, Vergori dhe Ulutash me përfaqësuesit e Listës Serbe: Siguria varet nga zgjidhjet politike, jo nga masat ushtarake
Burim: Kfor/Facebook
Komandanti i Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali George Wickoff, bisedoi sot me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, duke theksuar se siguria e qëndrueshme varet nga zgjidhjet politike dhe jo nga masat ushtarake.
Në takimin me përfaqësuesit e Listës Serbe morën pjesë edhe komandanti i sapoemëruar i KFOR-it, Roberto Vergori, si dhe paraardhësi i tij, Ozkan Ulutash.
Gjatë bisedës u ritheksua se misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar, ashtu si edhe përkushtimi i tij ndaj të gjithë njerëzve dhe komuniteteve në Kosovë.
“Siguria e qëndrueshme varet nga zgjidhjet politike, jo nga masat ushtarake”, thuhet në njoftimin e KFOR-it në Facebook.
Gjenerali italian Roberto Vergori mori sot komandën e KFOR-it. Ai në këtë detyrë pasoi gjeneralin turk Ozkan Ulutash, i cili përfundoi zyrtarisht mandatin e tij të dytë në krye të misionit të NATO-s në Kosovë.
komentet