Plaka: Mesazh i qartë për Ballkanin Perëndimor, BE ka qëndrim pozitiv por dhe kërkesa konkrete
Armand Plaka, pedagog në Universitetin “Epoka” në Tiranë, analist politik, gazetar dhe ekspert për politikë dhe kulturë gjermane, vlerëson se mesazhet e samitit të Shkupit kanë domethënie të shumëfishtë dhe tregojnë qartë qëndrimin e Unionit Europian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Sigurisht që mesazhet janë shumë planëshe dhe domethënëse. Së pari mesazhi është për vendin organizator që ka një domethënie të veçantë, por nga ana tjetër dhe për vendet fqinje. Më ka tërhequr mënyra dhe sesi është organizuar për t’i dhënë rëndësinë e duhur që nga kryeministri Rama e deri tek liderët e tjerë rajonalë për të shprehur ato prioritete që Unioni Europian ka për këtë rajon i cili vazhdimisht ka qenë ‘Nyje gordiane’ për të gjithë administratat e mëparshme por dhe për administratën e tashme të Unionit Europian” ka thënë Plaka.
Ky i fundit shprehet për ndryshim të qasjes europiane ndaj Ballkanit, veçanërisht pas luftës në Ukrainë.
“Sigurisht përgjatë gjithë këtyre viteve veçanërisht me zhvillimet në dy-tre vitet e fundit me luftën në Ukrainë, kemi një lloj ridimensionimi të politikës europiane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo sigurisht ka lidhje dhe me prioritetet. Kjo vazhdimisht ka qenë rast ndonëse nuk ka qenë tamam i dukshëm por që tani është bërë eksplicide me këtë samit në Shkup ku sërish u theksua perspektiva e ‘dyerve të hapura’ apo ‘shtrirjes së dorës’ të Unionit Europian për rajonin tonë, por që padyshim u jep mesazh se nuk do të ketë asnjë dhuratë dhe nuk do të jetë e sigurtë” theksoi ai.
Plaka shton se opinioni i deritashëm rreth perspektivës europiane të rajonit, ka qenë i gabuar-dhe ajo më shumë ishte optimiste dhe ajo më shumë ishte pesimiste. BE, sikurse thekson, ka qëndrim pozitiv por nën kërkesa konkrete.
“Unioni Europian ka tendencë pozitive dhe kjo shumë herë është bërë e ditur. Megjithatë BE insistoi tek zbatimi i programi masash, reformash strukturore me qëllim ndryshimin e atyre problemeve që perceptohen si 'gangrenë' për rajonin. Në rajonin tonë, egzistojnë disa probleme që mund t’i quajmë ‘sëmundje endemike’, siç është niveli i lartë i korrupsionit, të cilat mund të luftohen dhe eliminohen vetëm me anë të reformave të thella, ku kanë vazhduar prej vitesh dhe që janë ndërmarrë nga të gjitha vendet e rajonit”, tha ai.
Duke folur për përparimin, Plaka thotë se e ardhmja duket pozitive.
"Shikoj vetëm një rast në lidhje me kompatibilitetin e politikave të vendeve të rajonit me politikën e jashtme të Unionit Europian. Kjo është diçka që mund të imagjinohet lehtësisht dhe është parë gjatë këtyre viteve. Kjo ka lidhje me Sërbinë, e cila nuk përmbush atë që quhet detyrim i saj ndaj BE, sigurisht për shkak të presionit të fortë nga Kremlini", tha Plaka.
Në dallim nga Sërbia, Plaka thekson kursin e qartë të Shqipërisë "pasi ajo ka qenë gjithmonë kompatibile me politikën e jashtme të Brukselit dhe ishte e para që ngriti dorën për të thënë 'po' për çdo iniciativë të Brukselit që lidhej, për shembull, me sanksionet ndaj Federatës Ruse, apo madje dhe me hapa të tjerë, për të cilët kishte kundërshtime edhe nga anëtarët e hershëm të BE".
Ai paralajmëron se reformat janë të nevojshme edhe kur është fjala rreth standarteve demokratike.
"Duhet të luftojmë më shumë për qëllime të tjera, sikurse niveli i demokracisë, liria e fjalës, liria e medias. Jam i bindur se ato do të kapërcehen hap pas hapi dhe brenda afateve të pritshmërive për anëtarësim", theksoi ai.
Duke komentuar mbi nismat rajonale, Plaka pohon se koncepti i "Ballkanit të Hapur" ka humbur domethënien.
“Egzistonte një lloj paqartësie me bashkëpunimin rajonal pasi deri vonë ka qenë në fuqi iniciativa që ‘pagëzuan’ dy liderët, Vuçiq dhe Rama, për të cilën mund të themi që dështoi. Sigurisht, kjo iniciativë (Ballkani i Hapur) ishte kompatibile me planet e Brukselit zyrtar, madje dhe Berlini për iniciativat ekonomike të tregut të përbashkët dhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik të vendeve të rajonit. Në këtë moment besoj se kemi ridimensionim të kësaj ideje nga ana e liderëve të rinj të Brukselit, çka është theksuar dhe në samitin e fundit të Shkupit” konkludoi ai.
0 komentet