Popoviq: E vërteta shkencore dëshmon se kush i ka ndërtuar kishat serbe në Kosovë

bojan popović
Burim: Kosovo Online

Historiani i artit dhe drejtori i Galerisë së Afreskeve të Muzeut Kombëtar të Serbisë, Bojan Popoviq, deklaroi për Kosovo online se përdhosja e objekteve sakrale serbe në Kosovë prej dekadash është e motivuar nga damnatio memoriae, pra nga fshirja e kujtesës ose e së kaluarës.

“Nëse dëshironi të keni një të ardhme të rrëfyer ashtu siç dëshironi ju, dhe në të njëjtën kohë nuk keni asnjë respekt, por dëshironi edhe ta keqpërdorni të kaluarën, atëherë do të veproni në këtë mënyrë”, thekson Popoviq.

Sot mbushen 45 vjet nga vendosja e zjarrit në konakun e Patriarkanës së Pejës, ndërsa bashkëbiseduesi ynë thekson se që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, si në mënyrë të hapur ashtu edhe në mënyrë të heshtur, është punuar që gjithçka që është serbe në Kosovë të shtypet.

“Mjafton të thuhet se kur po digjej konaku i Patriarkanës së Pejës, për këtë nuk lejohej të flitej publikisht, prandaj tregoheshin shaka se për djegien e konakut ishte përgjegjës ‘paljidrvce’. Me këtë aludohej se fajtorë ishin disa terroristë shqiptarë, sepse kjo nuk guxohej të thuhej hapur”, thekson Popoviq.

Nëse shikohet periudha nga viti 1945 deri në vitin 1981, e cila sipas tij ishte një periudhë paqeje, është e qartë se në atë kohë munguan shumë gjëra për të cilat do të pritej të realizoheshin.

“Për shembull, nuk është bërë arkeologjia e shumë rajoneve. Gjithashtu, nëse do të fillonin kërkimet arkeologjike, sidomos nëse do të ishin të suksesshme, si në Novobërdë, ato fushata arkeologjike ndërpriteshin. Mjafton të thuhet se, për shembull, ne kurrë nuk i kemi hulumtuar në mënyrë të duhur arkeologjike pallatet e Nemanjidëve rreth Ferizajt, ato të famshmet që përmenden në burime si Pauni, Nerodimja dhe Svrçini. Kjo është një shenjë e mjaftueshme se diçka sigurisht nuk ka qenë në rregull në atë periudhë”, thekson Popoviq.

Ai vë në dukje se sot po ndodh një devijim i plotë i së kaluarës kur bëhet fjalë për kishat serbe në Kosovë, përmes pretendimeve se ato janë ndërtuar mbi disa objekte imagjinare shqiptaro-ilirike-trakase që kurrë nuk kanë ekzistuar, por se është pikërisht e vërteta shkencore ajo që dëshmon se kush i ka ndërtuar dhe cilës kulture i përket ai hapësirë.

“Ajo që nga pikëpamja e shkencës është më e rëndësishme është se ne e dimë se kemi plotësisht të drejtë. Duhet të këmbëngulim në të vërtetën. E vërteta është fjala jonë e parë dhe e fundit. Kjo është e padiskutueshme. Po të mos ishte kështu, ne do t’i kishim humbur ato kur u votua në UNESCO për atë se kujt i përkasin këto monumente. Duhet të lavdëroj profesionin tim që u përpoq të shpjegojë se kjo nuk është diçka që është ngritur dikur me dekret të sundimtarëve tanë, por ishte një rrjet në të cilin ishte përfshirë i gjithë vendi dhe populli ynë. Gjithashtu, kjo nuk është një dukuri që ka zgjatur vetëm në shekullin XIV, por që nga kohërat e hershme e deri në ditët e sotme”, thekson bashkëbiseduesi ynë.

Sa i përket mënyrave për t’i dalë përballë rishkrimit dhe fshirjes së së kaluarës në një kohë kur në rrjetet sociale përhapen lehtësisht informacione të paverifikuara ose të pasakta të shpërndara qëllimisht, Popoviq thotë se kjo mund të arrihet me tekste të qarta dhe të mira që do të jenë pasqyra e vërtetë e gjendjes.

“Nëse dini ta shpjegoni plotësisht se çfarë ndodhet atje, kjo në fund do të duhet të merret parasysh. Prej kohësh kemi problem që në Perëndim gjithçka që ndodhet atje shpesh mbështillet me një petk bizantin, dhe thuhet se është art bizantin, me çka bëhet një zëvendësim tezash. Kjo, natyrisht, mund të jetë art në stil bizantin, ashtu siç mund të jetë edhe art në stilin rashkë apo rashkë-gotik, si për shembull në Deçan, por thelbi është se kjo është art serb i mesjetës dhe i kohës së re”, shpjegon Popoviq.