Rapajiq: Pushteti i ri në Beograd dhe Lista Serbe duhet të bashkëpunojnë në interes të popullit serb në Kosovë

MITROVICA
Burim: Kosovo Online

Pushteti i ri në Beograd dhe Lista Serbe, pavarësisht antagonizmave të ndërsjella, duhet t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet dhe të vendosin bashkëpunim në interes të popullit serb në Kosovë, i cili tashmë përballet me probleme të shumta, ka deklaruar drejtori i programeve i organizatës joqeveritare Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike, Aleksandar Rapajiq.

Rapajiq ka rikujtuar se Lista Serbe ka dhjetë ulëse deputetësh në Kuvendin e Kosovës dhe kryetarët e të dhjetë komunave me shumicë serbe, prandaj është e rëndësishme të vendoset një bashkëjetesë politike, në vend të ndarjeve të reja brenda komunitetit serb.

“Në këtë moment kemi pushtete të ndryshme në Kosovë dhe në Beograd. Shohim se ekziston antagonizëm mes këtyre dy rrymave politike, por mendoj se, për hir të popullit serb në Kosovë, i cili duhet të jetë qëllimi i tyre i përbashkët, ato duhet të bashkëpunojnë dhe ta ndihmojnë njëra-tjetrën. Edhe pse rryma politike së cilës i përket Lista Serbe i ka humbur zgjedhjet në Serbi, në Kosovë kjo listë ka ulëse deputetësh në Kuvend dhe të dhjetë kryetarët e komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Rapajiq për Kosovo online.


Ai ka theksuar se kryetarët aktualë të komunave do të mbeten në detyrë deri në fund të vitit 2029, ndërsa situata në parlament është më e pasigurt, pasi zgjedhjet mund të mbahen edhe më herët.

“Mendoj se duhet të bashkëpunojnë për hir të popullit në Kosovë dhe të hyjmë në një lloj bashkëjetese politike mes këtyre dy rrymave, ku ato duhet të punojnë në të mirë të popullit serb dhe jo t’i kundërvihen njëra-tjetrës. Tashmë kemi mjaft probleme. Ne serbët në Kosovë kemi më shumë se mjaftueshëm probleme dhe nuk na duhen tani edhe mosmarrëveshje të brendshme politike”, ka theksuar Rapajiq.

I pyetur se kush, në vend të Listës Serbe, mund të ishte bashkëbisedues i pushtetit të ri në Beograd, Rapajiq është përgjigjur se fillimisht duhet pritur formimi i pushtetit të ri dhe të shihet se kush do të jetë përgjegjës për çështjen e Kosovës.

“Para së gjithash, nuk e dimë as kush do të jetë përfaqësues i pushtetit të ri në Beograd. Duhet të shohim se kush do ta formojë pushtetin atje dhe kush do të caktohet të merret me Kosovën. Këtu në Kosovë ekzistojnë disa rryma opozitare për të cilat mendoj se mund të bashkëpunojnë më mirë me listën studentore në Beograd. Ajo që mendoj se nuk duhet bërë është t’i jepet legjitimitet më i madh partisë së Nenad Rashiqit, sepse, me sa dimë, ajo nuk e ka marrë legjitimitetin nga votuesit serbë, por e ka fituar ulësen e saj falë votave nga zonat ku serbët nuk jetojnë më”, ka thënë Rapajiq.


Duke folur për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Rapajiq ka vlerësuar se ky proces aktualisht është jofunksional dhe se ndarjet e mëtejshme politike vetëm sa mund ta vështirësojnë pozitën e komunitetit serb në Kosovë.

“Mendoj se dialogu është mjaft jofunksional dhe se aktualisht mund të themi se madje është i vdekur. Pra, a mund ta dobësojë pozitën diçka që nuk funksionon? Nuk mund ta dobësojë as pozitën. Problemi qëndron në faktin se kjo mund të krijojë probleme shtesë për komunitetin serb që jeton në Kosovë. Nuk na duhen tani ndarje dhe probleme të reja. Kemi më se mjaft probleme që vijnë nga pala tjetër. Mendoj se duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të luftojmë kundër këtyre problemeve, e jo të ndahemi mes vete dhe të krijojmë probleme të reja”, ka përfunduar Rapajiq.