Albares: Spanja ka qëndrimin e saj kombëtar për Kosovën, por nuk do të jetë pengesë për afrimin e saj me BE

Hose Manuel Albares
Burim: Facebook

Ministri i Punëve të Jashtme i Spanjës, Hose Manuel Albares, ka përsëritur sot se Spanja “nuk do të jetë kurrë pengesë” që Kosova të përparojë në afrimin me Bashkimin Evropian, pavarësisht se vazhdon të refuzojë njohjen e pavarësisë së këtij territori. Si dëshmi të këtij angazhimi, ai ka përmendur vendimin e miratuar në vitin 2024, me të cilin pasaportat e Kosovës u pranuan si dokumente të vlefshme udhëtimi, transmeton media spanjolle Demokrata.

“Ne kemi qëndrimin tonë kombëtar për Kosovën, por kjo nuk do të thotë se do të jemi ndonjëherë pengesë”, ka deklaruar shefi i diplomacisë spanjolle gjatë fjalimit në Forumin për Zgjerimin e BE-së, të mbajtur sot në Bruksel.

Në fjalimin e tij, Albares ka theksuar se Madridi do të vazhdojë të jetë i gatshëm të avancojë marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës, Beogradit dhe institucioneve të Bashkimit Evropian.

Në këtë drejtim, Albares ka këmbëngulur se gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë “shumë i qartë” sa i përket qëndrimit të Spanjës.

“Nuk do të jemi kurrë pengesë për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe nuk do të jemi kurrë pengesë për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian”, ka përsëritur shefi i diplomacisë spanjolle.

Si shembull konkret, ai ka përmendur vendimin e Spanjës për të pranuar pasaportat e Kosovës si dokumente udhëtimi, gjë që përkoi me hyrjen në fuqi të regjimit pa viza në janar të vitit 2024 për qytetarët e Kosovës që qëndrojnë për periudha të shkurtra në zonën Shengen.

“Spanja nuk ka qenë pengesë dhe ne i kemi njohur pasaportat e Kosovës si dokumente udhëtimi”, ka rikujtuar ministri, duke e paraqitur këtë hap si dëshmi se Madridi mund të ndihmojë në afrimin e Prishtinës me Brukselin, pa e ndryshuar qëndrimin e tij për pavarësinë e Kosovës.

Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur në mënyrë të njëanshme në vitin 2008.

Ky qëndrim, siç raporton media spanjolle, kishte për qëllim të parandalonte që rasti i Kosovës të interpretohej si precedent për lëvizjet e brendshme separatiste, megjithëse qeveria spanjolle ka hedhur poshtë vazhdimisht çdo barazim të situatës në Kosovë me atë në Katalonjë apo në Vendin Bask.

Gjatë fjalimit në forum, Albares ka mbrojtur nevojën për krijimin e një “pakete të konsiderueshme financiare” të destinuar për Ballkanin Perëndimor, me qëllim që të parandalohet zhgënjimi i qytetarëve të rajonit për shkak të ngadalësisë së procesit të afrimit ekonomik me Bashkimin Evropian.

“Shumica e tyre, do të thosha pothuajse të gjithë, kanë bërë përpjekje të mëdha në drejtimin që ne u kemi treguar dhe përfaqësojnë shembuj të suksesshëm”, ka theksuar ai, duke paralajmëruar njëkohësisht se, pavarësisht përparimit të arritur, hendeku në raport me nivelin ekonomik të shteteve anëtare vazhdon të thellohet.

Ai ka paralajmëruar për pakënaqësinë që mund të shfaqet në mesin e popullsisë kur qytetarët shohin se vendet e tyre po i përmbushin kërkesat e Brukselit, por kjo nuk po reflektohet në një përmirësim mjaftueshëm të ndjeshëm të standardit të tyre të jetesës.

“Ne po i përmbushim detyrimet tona, po e bëjmë këtë shumë mirë, ju po na thoni se po e bëjmë shumë mirë, ndërsa nga viti në vit po largohemi gjithnjë e më shumë”, ka thënë ai, duke përshkruar ndjenjën që mbizotëron te shumë qytetarë të rajonit.