Rapajiq: Struktura etnike në Graçanicë po ndryshon, shqiptarët maksimalisht të bashkuar kundër serbëve

Aleksandar Rapajić
Burim: Kosovo Online

Drejtori programor i OJQ-së Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike nga Mitrovica e Veriut, Aleksandar Rapajiq, theksoi se tendenca e ndryshimit të strukturës etnike në komunën e Graçanicës po zgjat tashmë një dekadë, dhe se Aleanca Shqiptare që do të marrë pjesë në garën për kryetar dhe këshilltarë të asaj komune tregon qartë se shqiptarët, kur bëhet fjalë për diçka kundër serbëve, janë maksimalisht të bashkuar.

Rapajiq thekson se komuna e Graçanicës ka kohë të gjatë që është në problem kur bëhet fjalë për ndryshimin e strukturës etnike, sepse për shkak të lokacionit të saj është atraktive për shqiptarët që atje po vendosen.

„Graçanica tashmë prej kohësh, nëse jo më shumë se një dekadë, është në problem. Aty ushtrohet presion artificial, ndodh blerja e pronave, vendosja e shqiptarëve, sidomos në zonat më urbane siç janë Çagllavica dhe Graçanica. Dhe ngadalë struktura etnike po ndryshon. Duke marrë parasysh se kjo zgjat tashmë më shumë se një dekadë, po fillon të japë rezultate. Me këtë po zhbëhet ideja e krijimit të komunës së Graçanicës, sepse komuna e Graçanicës është krijuar që të bëhet një komunë me shumicë serbe në atë pjesë të Kosovës qendrore, por po shohim se interesat e shqiptarëve janë pak më ndryshe,“ deklaroi Rapajiq për Kosovo online.

Sa i përket formimit të Aleancës Shqiptare, e cila drejtohet nga nënkryetari i komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, Rapajiq thekson se fakti që katër partitë më të mëdha shqiptare janë bashkuar, tregon se shqiptarët janë të bashkuar kur duhet të bëhet diçka kundër serbëve.

„Kur bëhet fjalë për serbët, kjo i bashkon shqiptarët maksimalisht. Nëse bëhet diçka kundër serbëve, shqiptarët bashkohen menjëherë dhe fare nuk e kritikojnë njëri-tjetrin. Edhe pse partitë shqiptare e sulmojnë njëra-tjetrën për gjëra të ndryshme, ata kurrë nuk e kritikojnë atë që u bëhet serbëve në Kosovë dhe gjithmonë e heshtin këtë. Fakti që në Graçanicë është bërë një listë e përbashkët, tregon sa shumë kjo është e orientuar kombëtarisht, se aty nuk ka ide apo program, por vetëm ideja që të mblidhen votat që të jenë në një listë, dhe më pas ndoshta në bashkëpunim me disa parti serbe që janë afër qeverisë, të provohet ndoshta që të ndikohet në formimin e komunës,“ shtoi Rapajiq.

Edhe pse ka një tendencë për të ndryshuar strukturën etnike edhe në Mitrovicën e Veriut, Rapajiq thekson se ajo komunë ende nuk është në problem, si Graçanica, Novobërda dhe Shtërpca.

"Aktualisht, Novobërda dhe Graçanica janë në problemin më të madh. Sa i përket Novobërdës, nuk është aq interesante për investitorët, por në Graçanicë dhe Shtërpcë, të cilat janë shumë interesante për qytetarët dhe për shkak të vendndodhjes së tyre, bëhet një problem i madh", përfundoi Rapajiq.