Rapajiq: Vendimi i Gjykatës në Prishtinë është hap pozitiv, por nuk pres ndonjë ndryshim

Aleksandar Rapajić
Burim: Kosovo Online

Drejtori i programit të OJQ-së “ACDC” nga Mitrovica e Veriut, Aleksandar Rapajiq, beson se vendimi i Gjykatës në Prishtinë, i cili e anuloi vendimin preliminar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokës në komunën Leposaviq dhe Zubin Potok, është një hap pozitiv, por që procesi që do të rifillojë do të jetë i pafavorshëm dhe se nuk do të ketë “ndryshime në terren”.

“Është një hap pozitiv. Ne kemi thënë që në fillim të gjithë procesit se procesi nuk është sipas ligjeve të Kosovës, se nuk janë respektuar procedurat, se nuk janë mbajtur dëgjime publike, se nuk është shpjeguar se për çfarë qëllimi kjo tokë është konfiskuar. Ky është i vetmi vendim i mundshëm që ka marrë gjykata që është i drejtë”, tha Rapajiq për Kosovo online.

Bashkëbiseduesi ynë nuk beson se pas këtij vendimi, forcat speciale të Policisë së Kosovës do të tërhiqen nga bazat në Zubin Potok, ku tashmë është ndërtuar infrastruktura.

“Unë mendoj se ato baza janë bërë për të qëndruar dhe se askush nuk ka ndërmend t'i lëvizë pa ndonjë presion të madh, apo bashkësinë ndërkombëtare apo ndonjë faktor tjetër”, tha ai.

Rapajiq me këtë rast ka kujtuar edhe pikat e reja të Ligjit për Shpronësimin që ka miratuar Qeveria e Kosovës, duke vlerësuar se do të sjellin rezultate të pafavorshme në terren.

“Fatkeqësisht, vitin e kaluar Qeveria e Kosovës ka miratuar Ligjin e ri për Shpronësim, ku është shtuar pika e re që tani mund të konfiskohet toka për qëllime të mbrojtjes, më saktë për qëllime të policisë dhe forcave të sigurisë. Mendoj se pas vendimit, nëse qeveria nuk e ankimon këtë vendim, do të nisë një proces i ri që tani do të jetë ligjor, por rezultati do të jetë sërish i pafavorshëm për ne në terren, sepse do të jetë i njëjti nuk do të ketë ndryshime”, ka theksuar Rapajiq.