Sentiq: Institucionet e pavarura kanë përgjegjësi të veçantë për të qenë mbështetje për qytetarët
Zëvendësi i Avokatit të Popullit në Kosovë, Srgjan Sentiq, ka deklaruar sot, në takimin e Rrjetit Rajonal të Organeve për Barazi të Evropës Juglindore, se institucionet e pavarura kanë përgjegjësi të veçantë për të qenë mbështetje për qytetarët dhe për t’i mbrojtur të drejtat e tyre në mënyrë të paanshme, të përgjegjshme dhe ekskluzivisht në interes të publikut.
Sentiq, në kuadër të konferencës vjetore të Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë, ka marrë pjesë në takimin e dhjetë të Rrjetit Rajonal të Organeve për Barazi të Evropës Juglindore në Beograd, kushtuar forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimit të mekanizmave të mbrojtjes nga diskriminimi.
“Takimi shumë i përzemërt me miqtë dhe kolegët nga Beogradi, Banjalluka, Podgorica, Shkupi, Lubjana, Tirana dhe Sarajeva ka konfirmuar edhe një herë se sa të rëndësishme janë dialogu, besimi i ndërsjellë dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm për institucione më të forta dhe më efektive”, ka shkruar Sentiq në Facebook.
Ai ka theksuar se, megjithëse të gjithë përballen me rrethana të ndryshme shoqërore dhe institucionale, shumë nga sfidat me të cilat ballafaqohen kanë një bazë të ngjashme, prandaj bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm.
“Institucionet e pavarura kanë përgjegjësi të veçantë për të qenë mbështetje për qytetarët dhe për t’i mbrojtur vazhdimisht të drejtat e tyre në mënyrë të paanshme, të përgjegjshme dhe ekskluzivisht në interes të publikut”, ka shtuar Sentiq.
0 komentet