Vuçiq me Gerapetritisin: E vlerësojmë qëndrimin konsekuent të Greqisë ndaj respektimit të integritetit territorial të Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilloi sot një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgos Gerapetritis, të cilit i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj rrugës evropiane të Serbisë, duke theksuar se Beogradi e vlerëson qasjen parimore dhe konsekuente të Athinës ndaj respektimit të së drejtës ndërkombëtare, integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë.
Pas takimit, Vuçiq theksoi se Serbia dhe Greqia janë miq dhe partnerë tradicionalë, si dhe se ekziston hapësirë e konsiderueshme për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
“Një bisedë e përzemërt dhe përmbajtësore me Jorgos Gerapetritisin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Greqisë, perspektivën evropiane të rajonit, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, si dhe për sfidat me të cilat përballemi në rrethana të ndërlikuara gjeopolitike”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Ai bëri të ditur se gjatë bisedës vëmendje e veçantë iu kushtua avancimit të bashkëpunimit në fushën e energjetikës, infrastrukturës, tregtisë, investimeve dhe lidhjes më të mirë ndërmjet dy vendeve.
“Ekzistojnë potenciale të mëdha për një partneritet strategjik edhe më të fuqishëm ndërmjet Serbisë dhe Greqisë”, porositi Vuçiq.
Presidenti i Serbisë i shprehu bashkëbiseduesit mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj rrugës evropiane të Serbisë, si dhe për mirëkuptimin e pozicioneve të Serbisë lidhur me çështjet më të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare.
“Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë qëndrimin parimor dhe konsekuent të Greqisë ndaj respektimit të së drejtës ndërkombëtare, integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”, theksoi Vuçiq.
Ai vlerësoi se takimi i sotëm përbën vazhdim të dialogut të hapur dhe konstruktiv që kishte zhvilluar së fundmi me kryeministrin grek, Kiriakos Mitsotakis, në samitin e Tivatit, si dhe një tjetër konfirmim të marrëdhënieve tradicionalisht të afërta dhe miqësore ndërmjet Serbisë dhe Greqisë.






komentet