Costa: Bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë thelbësore për anëtarësimin në BE
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, theksoi sonte pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor se bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë parakushte thelbësore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Costa tha në konferencën për shtyp se pret përparim në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe.
“Rruga evropiane nuk nënkupton vetëm reforma. Bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë parakushte thelbësore për anëtarësimin. Pres përparim në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe. Sfidat e së kaluarës duhet të kapërcehen. Është koha për të parë përpara dhe jo prapa. Vetëm atëherë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor mund të arrijnë përparim real”, deklaroi Costa.
Ai kujtoi se BE është themeluar mbi bazën e pajtimit dhe paqes, ndërsa zgjerimi ka qenë vendimtar për arritjen e këtij qëllimi.
Costa vuri në dukje se ky është tashmë samiti i dytë BE-Ballkani Perëndimor gjatë këtij viti, duke shtuar se shpeshtësia e takimeve pasqyron angazhimin intensiv të Bashkimit Evropian me rajonin.
Situata sfiduese gjeopolitike, sipas tij, vetëm sa nënvizon nevojën për lidhje më të forta ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ndërsa samiti i sotëm rikonfirmoi edhe një herë perspektivën evropiane të rajonit.
“Mesazhi im për të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor është që të shfrytëzojnë momentin dhe të zbatojnë reformat që do t'i çojnë drejt BE-së. Zgjerimi është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar”, nënvizoi Costa.
Ai bëri të ditur se temë e bisedimeve ishte edhe mënyra se si integrimi gradual mund të ngrihet në një nivel tjetër.
“Përparimi i Malit të Zi dhe Shqipërisë dëshmon se anëtarësimi nuk është një iluzion, por një mundësi reale për ata që angazhohen. Këtë vit kemi filluar hartimin e marrëveshjes së anëtarësimit për Malin e Zi, një hap që nuk e kemi ndërmarrë prej më shumë se 10 vitesh”, shpjegoi Costa, duke theksuar se partnerët në Ballkanin Perëndimor mund të mbështeten te BE-ja, e cila mbetet një partnere e besueshme.
I pyetur për mungesën e Serbisë në samit, duke vënë në dukje se kjo është hera e dytë, megjithëse për një arsye tjetër, Costa bëri të ditur se kishte biseduar me ushtruesin e detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, i cili e kishte informuar se nuk mund të merrte pjesë për shkak të detyrimeve të rëndësishme në parlament.
“Sigurisht që e kuptojmë këtë. Do të ketë më shumë mundësi për të biseduar me autoritetet e Serbisë”, shtoi Costa.
0 komentet