Zhiofre: Rruga Nish-Merdare do të lidhë rajonin dhe destinacioni politik i Serbisë është anëtarësimi në BE
Ambasadori i BE-së në Beograd, Emanuel Zhiofre, tha se kjo autostradë do të jetë shtylla kurrizore e rrjetit rrugor rajonal, se duhet të jetë rrugë e paqes, stabilitetit dhe pajtimit, transmeton RTS.
Siç thotë ai, seksioni Nish-Merdare është vetëm segmenti i parë i një projekti më të madh që do të lidhë Nishin dhe qytete të tjera me Adriatikun deri në Durrës.
“Ndërtimi i kësaj rruge është pjesë e tablosë më të gjerë, planit ekonomik dhe investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, i destinuar për projekte infrastrukturore që synojnë mobilizimin e 30 miliardë eurove”, tha Giofre dhe shtoi se projektet do të synojnë shfrytëzimin e potencialit të këtij rajoni.
Ai tha se BE-ja dhe Serbia tashmë bashkëpunojnë ngushtë dhe se si pjesë e këtij bashkëpunimi po ndërtohet hekurudha e shpejtë Beograd-Nish dhe se Korridori 10 është bashkëfinancuar nga BE-ja.
“Destinacioni politik i Serbisë është i rëndësishëm për ne, dhe ai është anëtarësimi në BE dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për këtë”, tha Zhiofre.
komentet