KUSH është KUSH – Ilijana Jotova: Mbështet anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, qëndrim i ashpër ndaj Maqedonisë së Veriut
Iljiana Jotova, gruaja e parë në krye të Bullgarisë, e ndërtoi karrierën e saj politike si gazetare, deputete e Parlamentit Evropian dhe nënpresidente e shtetit. Si nënpresidente, ajo u angazhua për anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, por edhe për njohjen e bullgarëve si pakicë kombëtare në Kosovë, ndërsa ndaj Maqedonisë së Veriut mbajti një qëndrim të vendosur për respektimin e të drejtave të komunitetit bullgar dhe përmbushjen e detyrimeve në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Jotova, në cilësinë e nënpresidentes së Bullgarisë, është shprehur qartë për pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Gjatë vizitës në Prishtinë në shkurt të vitit 2023, kur ushtronte funksionin e nënpresidentes së Bullgarisë, ajo mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe paralajmëroi se Bullgaria do të lobonte për përfshirjen e saj në institucionet ndërkombëtare dhe evropiane, përfshirë BE-në dhe NATO-n.
Sipas njoftimit të kabinetit të presidentes së Kosovës, Osmani mori mbështetjen e Jotovës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa kërkoi gjithashtu që Bullgaria ta mbështeste Kosovën në përpjekjet për t'u bërë anëtare e organizatave të tjera ndërkombëtare. Jotova konfirmoi mbështetjen e Bullgarisë për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Një deklaratë edhe më konkrete u transmetua nga Radioja Kombëtare Bullgare (BNR).
“Do t'i ndihmojmë para të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe evropiane për anëtarësimin e tyre të plotë. Detyra e parë është lobimi, në kuptimin më të mirë të fjalës, për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Së shpejti do të paraqesin edhe kërkesën për anëtarësim në BE dhe NATO”, deklaroi Jotova pas takimit me Vjosa Osmanin.
Si nënpresidente e Bullgarisë, Jotova, gjatë vizitës në Kosovë, vizitoi zonat ku, sipas pretendimeve të Agjencisë Shtetërore Bullgare të Lajmeve (BTA), jeton komuniteti etnik bullgar. Ajo u angazhua që bullgarët në Kosovë të fitojnë statusin e pakicës kombëtare.
Sipas raportimit të Kosovo online, ajo u takua edhe me përfaqësuesit e shoqatës “Bullgarët e Bashkuar të Kosovës”.
Kësaj teme Kosovo online i kushtoi edhe një analizë më 31 janar 2024, në të cilën thuhet se ripërtëritja e përpjekjeve të Sofjes zyrtare që goranët të njihen si pakicë bullgare në Kosovë kishte shkaktuar shqetësim të madh në mesin e popullsisë autoktone të besimit mysliman në territorin e Gorës së sotme.
Bashkëbiseduesit e Kosovo online atëherë deklaruan se, në këtë mënyrë, bullgarët do të përfshiheshin në Kushtetutë si komunitet joshumicë, Kosova do të fitonte një aleat në organizatat ndërkombëtare, ndërsa goranët do të pajiseshin me pasaporta të BE-së. Ata vlerësuan gjithashtu se “bullgarizimi” i Kosovës ishte intensifikuar pikërisht për shkak të regjistrimit të popullsisë në prill, i cili duhej t'i jepte fund këtij lloj “projekti”.
Jotova ka shprehur qëndrime edhe për Maqedoninë e Veriut.
Nga një tubim i mbajtur në Qustendil në tetor të vitit 2024, ajo u bëri thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që t'i kuptojnë më mirë vlerat evropiane, duke theksuar se të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat e pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme kombëtare, janë kusht themelor për përparimin në integrimet evropiane.
Ajo kritikoi Shkupin për, siç u shpreh, mosrespektimin e detyrimeve ndërkombëtare dhe marrëveshjeve për fqinjësi të mirë.
Ndër të tjera, ajo deklaroi:
“Ne bullgarët dëshirojmë që Republika e Maqedonisë së Veriut, të cilën ishim të parët në të gjithë Evropën që e njohëm si shtet me të drejtën e vetëvendosjes, të përparojë në mënyrë më të sigurt në integrimet evropiane. Kjo është e mundur vetëm kur respektohen premtimet ndërkombëtare dhe nuk ka gjuhë të urrejtjes.”
Gazetare, deputete, nënpresidente, presidente
Sipas biografisë zyrtare, Ilijana Malinova Jotova ka lindur më 24 tetor 1964 në Sofje. Ajo përfundoi Gjimnazin e Gjuhës Frënge “Alfons de Lamartin”, ndërsa më pas diplomoi në filologji bullgare në Universitetin “Shën Kliment Ohridski” në Sofje. U specializua në Shkollën Kombëtare Franceze të Administratës (ENA) dhe në Qendrën për Studime Evropiane në Strasburg.
Karrierën profesionale e nisi në gazetari. Nga viti 1990 deri në vitin 1997 punoi në Televizionin Kombëtar Bullgar si reportere, redaktore dhe prezantuese, ndërsa më pas drejtoi redaksinë informative.
Pas karrierës në gazetari, ajo u përfshi në jetën politike. Nga viti 1997 deri në vitin 2007 drejtoi shërbimin për shtyp të Këshillit Kombëtar të Partisë Socialiste Bullgare (BSP), anëtare e së cilës ishte nga viti 2000 deri në vitin 2016. Gjatë kësaj periudhe ushtroi edhe disa funksione në organet e partisë.
Nga viti 2005 deri në vitin 2007 ishte deputete në Parlamentin bullgar, ndërsa në qershor të vitit 2007 u zgjodh deputete e Parlamentit Evropian, ku qëndroi për tri mandate, deri në vitin 2017. Gjatë punës në Parlamentin Evropian u mor me çështjet e lirive qytetare, drejtësisë, punëve të brendshme, mbrojtjes së konsumatorëve dhe bashkëpunimit rajonal. Ishte gjithashtu nënkryetare e Komisionit për Liritë Qytetare, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme.
Momenti vendimtar në karrierën e saj politike ndodhi në vitin 2016, kur u zgjodh nënpresidente e Bullgarisë, së bashku me Rumen Radevin, i cili atëherë u bë president. Ajo qëndroi në këtë detyrë deri në janar të vitit 2026, kur Radev dha dorëheqje për t'u përfshirë në zgjedhjet parlamentare.
Pasi Gjykata Kushtetuese, më 23 janar 2026, i dha fund zyrtarisht mandatit presidencial të Rumen Radevit, Jotova mori detyrën e kreut të shtetit. Kështu, ajo u bë gruaja e parë në krye të Bullgarisë, por deri në zgjedhjet e nëntorit e ushtroi këtë detyrë si pasardhëse e presidentit që kishte dhënë dorëheqje.
Në zgjedhjet presidenciale të 1 nëntorit, ajo garoi së bashku me kandidatin për nënpresident, Kirill Vëllçev. Lista e tyre fitoi 57,56 për qind të votave, përkatësisht 1.093.852 vota, ndërsa Andrej Gjurov dhe Georgi Kandev morën 39,48 për qind. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 27 për qind.
Jotova flet frëngjisht, ndërsa zotëron edhe gjuhën ruse dhe angleze. Është e martuar dhe ka një djalë.
0 komentet