Zyra për KeM për goditjen me gurë të Kishës së Shën Profetit Ilia në Cernicë: Akt i ekstremizmit dhe intolerancës fetare

Kancelarija za Kosovo i Metohiju
Burim: Kancelarija za KiM

Zyra për Kosovë dhe Metohi dënoi ashpër goditjen me gurë të Kishës së Shën Profetit Ilia në Cernicë, me ç'rast janë thyer tjegullat dhe një dritare e kambanores, ndërsa gurët janë hedhur edhe me qëllim dëmtimin e kambanës së kishës, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një akt të ekstremizmit dhe intolerancës fetare.

Zyra për Kosovë dhe Metohi thekson se incidenti ka ndodhur në një moment të sulmeve të reja, siç shprehen ata, të institucioneve në Prishtinë ndaj të drejtave dhe lirive që u garantohen objekteve të shenjta të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Në njoftim thuhet se janë thyer tjegullat e kishës dhe një dritare e kambanores, si dhe se gurët janë hedhur me qëllim dëmtimin e kambanës së kishës.

Nga Zyra për KeM theksojnë se sulmi është veçanërisht shqetësues, pasi ka ndodhur në prag të festës së Shën Stefan Deçanskit, të cilën populli serb, veçanërisht në Kosovë, e kremton si një festë të madhe.

“Për këtë arsye, një sulm i tillë ka të gjitha elementet e urrejtjes dhe intolerancës fetare dhe si i tillë duhet të trajtohet edhe nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Zyra vlerëson se sulmi nuk është thjesht një akt vandalizmi, por një akt i planifikuar i ekstremizmit fetar në Cernicë, duke kujtuar se populli serb në këtë vend ka vuajtur rëndë nga duart e terroristëve shqiptarë, por se vazhdon me vendosmëri të qëndrojë dhe të mbijetojë në vatrat e tij shekullore.