FEJTON: Kosova - Kujtimet e ambasadorit të fundit amerikan në Jugosllavi (I)

Vilijem Montgomeri
Burim: Printskrin/N1

Kosovo onlajn, me pëlqimin e botuesit „Club Plus“, publikon pjesë të shkëputura nga libri i ish diplomatit Uilliam Montgomeri „Kur ovacionet heshtën-Kujtimet e ambasadorit të fundit amerikan në Jugosllavi“ (2016.), kapitulli 12 me titullin „Kosova“. Uilliam Montgomeri ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd prej dhjetorit të vitit 2001 deri më shkurt të vitit 2004.

Egzistojnë rreth 200 persona në Uashington të cilët merren me politikën e jashtme ku kanë një interesim të madh dhe njohuri rreth zhvillimeve në Balkkan. Mes tyre disa kongresmenë e senatorë dhe shumë njerëz të tyre; përfaqësues të organizatave joqeveritare në organizma siç është Grupi Ndërkombëtar i Krizave; ish zyrtarë të lartë të qeverisë të cilët kanë ende ndikim; një grusht përfaqësuesish të mediave; numër i konsiderueshëm i zyrtarëve qeveritarë të rangut të mesëm në Departamentin e Shtetit, Këshillin për Siguri Kombëtare, Pentagon (njerëz me uniformë e civilë) dhe disa zyrtarë të lartë në administratë. Përshembull në kohën kur shkruaja, zv.presidenti Bajden i përket padyshim grupit të fundit, ndihmës sekretari i shtetit Stajberg dhe Riçard Hollbruk (krijues i marrëveshjes së Dejtonit dhe i dërguari special për Afganistanin).

Pesha e kombinuar e këtyre 200 personave përcaktojnë politikën tonë në Ballkan. Pothuajse të gjithë u formuan në kohën e shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë ose prej këtyre ngjarjeve përcaktoi jetën e tyre. Për shumicën e tyre ishte një moment përcaktues në karrierën profesionale. Ky rajon ngjalli tek ta ndjenja pasionante dhe mbeten të lidhur me të, përmes një rrjeti kontaktesh që kryesisht funksionon joformalisht dhe jozyrtarisht. Ka shumë pak dallime në qëndrimet e tyre dhe akoma më pak shanse që kjo t'i ndryshojë ndonjëherë.

Këta individë ndajnë dy besime të rëndësishme që kanë mbështetur politikën tonë ndaj rajonit për më shumë se dy dekada, pavarësisht ndryshimeve në administratë. E para është se autorët e dhunës që pasoi shpërbërjen e ish-Jugosllavisë ishin sërbët e udhëhequr nga Sllobodan Millosheviq. Sipas tyre, boshnjakët (myslimanët boshnjakë) ishin viktima të agresionit të tmerrshëm të kryer nga sërbët, gjë që mund të shihet në shembullin e masakrës në Srebrenicë, bombardimeve të Sarajevës dhe spastrimit etnik që u bë në të gjitha pjesët e këtij vendi. Edhe sot, më shumë se 14 vjet pas përfundimit të konfliktit, ky grup e shikon Bosnjën përmes një prizmi të tillë. Ata priren të jenë dyshues ndaj sërbëve të Bosnjës dhe mbështesin idenë e forcimit të qeverisë qëndrore të Bosnjës duke reduktuar kompetencat që dy entitetet (Republika Sërpska dhe Federata) përfituan përmes Marrëveshjes së Dejtonit. Në asnjë rrethanë ata nuk do t’a konsideronin idenë e ndarjes së Bosnjës. Për ta, kjo do të përfaqësonte një shpërblim për agresionin e mëparshëm.

Çështja tjetër për të cilën të gjithë pajtohen, është se zgjidhja e vetme e mundshme për Kosovën është pavarësia brenda kufijve të saj ekzistues. Kështu ka qenë gjithmonë. Historianët padyshim do të argumentojnë se kur ndodhi pika e kthesës ku rezultati aktual u bë i pashmangshëm. Për 200 personat e përzgjedhur që formësojnë politikën e jashtme të SHBA, ishte pothuajse me siguri pamje dramatike televizive e dhjetëra mijëra refugjatëve shqiptarë të Kosovës që kalonin kufirin drejt Maqedonisë dhe vendeve të tjera në mars të vitit 1999. Intervistat me refugjatët, pa dokumente dhe sende personale, të cilët shpeshherë nuk e dinin se ku ndodheshin, ku i kishin familjarët e tjerë ku e ardhmja e të cilëve ishte e pasigurtë, bëri që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kuptojnë se njohja e Kosovës brenda kufijve ekzistues ishte e pashmangshme. Pyetja e vetme ishte se kur do të ndodhte.

E dija që këto dy pikëpamje mbështeteshin plotësisht nga ata që ishin përgjegjës për politikën e jashtme në Uashington edhe para se të merrja detyrën në Budapest. Nuk ishte sekret. Fjalë për fjalë të gjitha opsionet e tjera thjesht fshihen si jopraktike, joefektive, destabilizuese ose i jepet ndonjë mbiemër tjetër negativ. Asnjë debat nuk u nis dhe nuk u kryen studime objektive.

Vetëm një numër i vogël prej këtyre 200 njerëzve kuptuan me të vërtetë sesa të përçarë kanë qenë dhe mbeten dy grupet etnike më të rëndësishme në Kosovë, sërbët dhe shqiptarët. Në ndryshim nga Bosnja ku prej dekadash egzistonte paqe relative mes grupeve etnike ku përmbylleshin me martesa të përziera, ky rast asnjëherë nuk ka ndodhur në Kosovë. Dy grupe etnike ndonjëherë kanë jetuar njëra mbi tjetrën, por asnjëherë nuk kanë qenë kurrë të përziera mes tyre. Ndër shekujsh njëri apo tjetri kanë dominuar në varësi prej fuqive të huaja kryesisht Perandorisë Osmane, nazistëve në Luftën e Dytë Botërore dhe të tjera, e kjo në varësi nga situatat politike në periudha të caktuara. Kjo do të thotë se detyra kryesore e krijimit të një shoqërie vërtet multietnike në Kosovë ishte pothuajse e pamundur të realizohej as në afat të shkurtër apo afatmesëm kohor. Kjo përfaqësonte një ndryshim në raport me Bosnjën, ku sfida ishte sesi të ruhej një shoqëri multietnike. Në Kosovë, sfida ka të bëjë me krijimin e diçkaje që nuk ka ekzistuar kurrë në një kohë kur kujtimet e hershme dhe të tmerrshme të dekadës së mëparshme ishin ende të freskëta. Po jap një shembull të thjeshtë: në Bosnje, para shpërthimit të luftërave në vitet 1990, më shumë se 20% e popullsisë vinte prej martesave të përziera (mes dy grupeve etnike). Në Kosovë pothuajse nuk ka pasur një rast të tillë.

Edhe sot 99% e sërbëve besojnë fort se bota ka kuptuar gabim situatën në Kosovë, se shqiptarët kosovarë të poshtër, tinëzar, dinakë qëllimisht mashtruan perëndimin me mendimin (e rremë) se ata ishin viktima të persekutimit; e në fakt, popullsia sërbe u kërcënua dhe u detyrua të ikte në Sërbi, pas bombardimeve të NATO. Sërbët besojnë se aksionet e policisë dhe ushtrisë në Kosovë ishin përgjigje direkte ndaj fushatës së dhunshme dhe terrorit prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kishin për qëllim të lanin hesapet jo vetëm me forcat e armatosura, por edhe me gjithë sërbët në Kosovë. Ndaj sërbët vijojnë të hedhin poshtë çdo argument thelbësor ku perëndimi e përdor të legjitimojë pavarësinë e Kosovës: ku Sërbia e humbi të drejtën mbi këtë rajon si pasojë e dëbimit të shqiptarëve të Kosovës.  

Perëndimi e veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës intelektualisht e dinin që Kosova është e rëndësishme për popullin sërb, por ata vazhdimisht nënvlerësuan thellësinë e emocioneve në mesin e sërbëve lidhur me humbjen e mundshme të Kosovës. Perëndimi mori një opinion të gabuar bazuar në sondazhet që shtronin pyetjen: “Cilat çështje i konsideroni më të rëndësishme?” Meqenëse asgjë e rëndësishme nuk po ndodhte në Kosovë në atë kohë, përgjigjja ishte gjithmonë se ishte puna dhe mungesa e parave. Por, thellë në shpirt, sërbët e ndjejnë se Kosova është e tyre dhe se u është marrë padrejtësisht e brutalisht. Kjo ndjenjë ishte-dhe mbetet-vazhdimisht e nënvlerësuar dhe e hedhur përtej. Ndaj perëndimi pret me këmbëngulje që mbledhjet e ndryshme të qeverisë sërbe t’a “njohin” Kosovën dhe të vazhdojnë më tej.

Një nga thëniet më të vjetra në shërbimin tonë diplomatik është: “Aty ku je ulur”. Me fjalë të tjera, vendndodhja juaj fizike ndikon në mënyrë të pandërgjegjshme, por padyshim, në qëndrimet tuaja për një situatë të caktuar. Ambasada jonë në Sarajevë komunikon shumë më tepër me boshnjakët çdo ditë se me këdo tjetër, gjë që, të paktën gjatë punës sime në shërbimin diplomatik, u reflektua në mënyrën sesi u raportua situata në Bosnje. Ngjashëm është edhe në Prishtinë, ku raportet e misionit amerikan pasqyronin një qëndrim të dukshëm proshqiptar dhe antisërb. Gjatë vizitave të mia në Prishtinë u befasova sesa hapur shprehet një qëndrim i tillë edhe në nivelin më të lartë të Misionit. Problemi u reflektua në faktin se Misioni, në përputhje me politikën e qeverisë amerikane, po përpiqej të fillonte gradualisht një strukturë normale, funksionale në vend dhe sërbët nuk donin të bashkëpunonin për të gjitha arsyet që përmenda. Si rezultat, Misioni në Kosovë vazhdimisht i ka perceptuar sërbët si problemin kryesor. Ata nuk e pranuan programin tonë.

E di që kritikët me siguri do të bëjnë të njëjtat akuza në drejtimin tim dhe ndaj qëndrimeve të zyrtarëve të ambasadës sonë. Sidomos nëse keni parasysh se ne nuk kemi qenë vazhdimisht të pranishëm në Kosovë dhe nuk kemi pasur një ndjenjë të vazhdueshme sesi shqiptarët etnikë e perceptojnë situatën. Edhe pse nuk kemi dorëzuar raporte të rregullta për Kosovën (kjo nuk ishte kompetenca jonë dhe nuk do të vlerësohej), ne kishim kontakte të shpeshta me sërbët e zakonshëm dhe zyrtarët sërbë të ngarkuar me komunitetin sërb në Kosovë, si dhe këndvështrimin e tyre për situatën në Kosovë. Kjo e fundit ishte shumë më pak rozë sesa në raportin e Misionit në Prishtinë.

Një nga qëllimet thelbësore të përpjekjeve të ndërmarra në Kosovë ishte krijimi i një shoqërie funksionale multietnike. Të paktën në periudhën ndërmjet viteve 2000 dhe 2003, arritja e një progresi të konsiderueshëm në këtë fushë u konsiderua si parakusht kryesor për shqyrtimin e hapave të mëtejshëm. Nga këndvështrimi i ambasadës sonë në Beograd, Misioni ynë në Kosovë (si dhe UNMIK) me këmbëngulje i minimizonte problemet në arritjen e këtij qëllimi dhe i ekzagjeronte sukseset. Uashingtoni po merrte një ide të gabuar për situatën fillestare. Por ciniku tek unë beson se Uashingtoni ishte i lumtur t’a pranonte këtë keqkuptim. Dukej se vetëm ambasada në Beograd (dhe sërbët) ishin të shqetësuar për këtë.

Ngjarja e parë e rëndësishme që vuri në diskutim një nocion të tillë të progresit, ishin trazirat që shpërthyen në të paktën 33 vende në mbarë Kosovën më 17 dhe 18 mars 2003, pas lajmit të rremë se një grup sërbësh kishin sulmuar tre fëmijë shqiptarë që kishin kërkuar shpëtim në lum nga ku dhe u mbytën. Edhe pse thashethemet përfundimisht u hodhën poshtë, ndërkohë 19 sërbë u vranë, të paktën 550 shtëpi dhe 27 kisha dhe manastire ortodokse u shkrumbuan dhe 4100 sërbë ngelën pa shtëpi.

(Vazhdon...)