Çfarë (nuk) mund të bëjë një qeveri në mandat teknik?
Çdo dy ditë deputetë, e njëkohësisht anëtarë të Qeverisë në mandat teknik. Kjo rol i dyfishtë i anëtarëve të qeverisë së Albin Kurtit, të cilët pas zgjedhjeve të 9 shkurtit kanë dhënë betimin si deputetë, sipas vlerësimit të partive opozitare, përbën shkelje të ligjit. Sipas interpretimit të Kurtit, “shtëpia nuk mund të mbetet pa zot” dhe qeveria në dorëheqje duhet të kryejë detyrat e saj deri në formimin e një të reje. Edhe pse askush nuk e mohon se roli i qeverive teknike është të sigurojnë funksionimin normal të institucioneve, analistët theksojnë se kompetencat e saj janë të kufizuara në mënyrë të qartë.
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Lidhja Demokratike e Kosovës javën e kaluar ka paraqitur kallëzim penal për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” kundër kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave në mandat teknik që janë bërë deputetë, duke argumentuar se kryeministri dhe ministrat aktualë që kanë dhënë dorëheqje nga Qeveria për t’u bërë deputetë, nuk kanë të drejtë të qëndrojnë ende në Qeveri dhe të marrin vendime.
Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po shkel ligjin dhe po kryen vepër penale duke u kthyer në zyrën e tij në Qeveri pas marrjes së mandatit të deputetit.
Këto konteste ligjore nuk kanë qenë pengesë për përfaqësuesit ndërkombëtarë që ditëve të fundit janë takuar me Albin Kurtin si kryeministër në mandat teknik. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, u takua me të para dy ditësh në Prishtinë, ndërsa në fillim të javës me Kurtin u takuan edhe ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Kurti u takua gjithashtu edhe me shefin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Xherard Mekgark, si dhe me ministrin e jashtëm të Polonisë, Radoslłav Sikorski, gjatë vizitës në Poznanj.
Që nga momenti kur është kryeministër në mandat teknik, Kurti ka hapur zyrat e Postës së Kosovës në Leposaviq dhe Zveçan, dhe ka vizituar Termocentralin Kosova B në Obiliq me rastin e fillimit të punimeve për modernizimin e bllokut B2. Në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës ka emëruar sërish Agron Lugalijun, për çka juristët konsiderojnë se është vendim që mund të kontestohet, pasi një qeveri në mandat teknik nuk ka kompetenca për emërime të reja në funksione publike.
Sipas Ligjit për Qeverinë e Kosovës, Qeveria në dorëheqje kryen vetëm punët e domosdoshme dhe ato të planifikuara në Planin Vjetor të Punës së Qeverisë dhe në Ligjin Vjetor të Buxhetit, por nuk mund të miratojë nisma për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare që ratifikohen nga Kuvendi, projektamendamente kushtetuese dhe ligje, të nisë procedura të reja për emërime në funksione publike... Ka të drejtë vetëm të propozojë Kuvendit miratimin e buxhetit.
Analisti Erblin Hoxha tregon se gjatë mandatit teknik, ministrat dhe zyrtarët qeveritarë mund të marrin pjesë në forume ndërkombëtare, të presin delegacione të huaja dhe të bëjnë vizita zyrtare jashtë vendit, por në një mënyrë që pasqyron natyrën kalimtare të rolit të tyre.
Kjo, siç shpjegon Hoxha, do të thotë që këto aktivitete janë pa inicuar marrëveshje detyruese ose pa përfaqësuar Kosovën në negociata strategjike që nuk janë miratuar më parë.
"Në përputhje me Kushtetutën dhe praktikën ligjore mbizotëruese, qeveria në një mandat teknik është përgjegjëse për ruajtjen e funksionimit të rregullt dhe të vazhdueshëm të institucioneve shtetërore. Kjo përfshin kryerjen e detyrave themelore administrative, ekzekutimin e buxhetit të miratuar të shtetit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare në çështjet aktuale. Megjithatë, qeveria e përkohshme është e kufizuar në mënyrë të qartë në aftësinë e saj për të iniciuar ligje të reja ose reforma të mëdha politike, për të ndërmarrë vendime politikisht të ndjeshme, për të marrë përsipër detyrime të reja financiare jashtë kuadrit buxhetor të miratuar më parë, etj.”, thotë Hoxha për Kosovo online.
Edhe pse disa analistë i interpretojnë disa nga aktivitetet e kryeministrit në mandatin teknik, siç është hapja e degëve të Postës së Kosovës në Leposaviç dhe Zveçan, si pjesë të fushatës parazgjedhore, Hoxha thotë se pjesëmarrja ceremoniale në ngjarje të tilla lejohet sipas mandatit teknik, me kusht që ato të mos përfshijnë vendime të reja politike, rishpërndarje buxhetore ose detyrime kontraktuale afatgjata dhe të konsiderohen pjesë e detyrave të rregullta të zyrtarëve qeveritarë.
Srgjan Barac nga Qendra për Stabilitet Shoqëror thekson se Albin Kurti disa herë ka treguar se nuk i respekton ligjet e Kosovës, madje as Kushtetutën, dhe se për të nuk është e huaj të shkelë hapur rregullat zakonore sipas të cilave një qeveri në mandat teknik duhet të merret vetëm me çështje teknike.
Sipas tij, gjatë një mandati teknik është e mundur të ndodhin takime bilaterale, por ato zakonisht shtyhen, pasi liderët shtetërorë zakonisht takohen në kapacitet të plotë dhe marrëveshjet ndërkombëtare mund të bëhen vetëm kur një qeveri funksionon në kapacitet të plotë.
“Kur dikush është në mandat teknik, këto takime nuk mund të kenë rëndësi të tillë dhe nuk mund të nënshkruhen marrëveshje apo dokumente ndërkombëtare,” thotë Barac për Kosovo online.
Ai thrkson se politika dominuese e qeverisë së Albin Kurtit që nga fillimi ka qenë dëbimi i serbëve nga Kosova dhe se ai e zbaton këtë qëllim në mënyrë të vazhdueshme.
“Ajo që është e re është se, pavarësisht të gjitha truqeve dhe përpjekjeve pas zgjedhjeve, ai nuk arrin të formojë qeverinë, dhe lind pyetja e arsyetuar, a po e fut kjo Kosovën në një lloj kaosi politik? Pyetja tjetër e rëndësishme është çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Kemi parë se njëherë kanë ditur të ndërhyjnë mirë në proceset prapa skene, për të treguar Kurtit se vullneti i tij arbitrar ka kufij, pra se nuk do të tolerojnë sjelljen e tij të njëanshme. Mendoj se tani është momenti i duhur që ta dëshmojnë këtë,” beson Barac.
Analisti politik Shkëlzen Maliqi thotë se, ndonëse partia e Albin Kurtit miratoi një ligj tre vjet më parë, sipas të cilit një anëtar i qeverisë nuk mund të jetë njëkohësisht edhe deputet, Kurti dhe ministrat e tij vazhdojnë të shkojnë në kabinete dhe të bëjnë punën e tyre.
Maliqi thekson se Kurti duhet të emërojë një zëvendës në qeveri nga radhët e atyre anëtarëve që nuk u zgjodhën si deputetë në zgjedhje, dhe se një qeveri e tillë duhet të jetë teknike, por ai thotë se si në të gjitha çështjet e tjera, Kurti është "kokëfortë dhe arrogant" në këtë çështje.
“Kurti përdor faktin që nuk ka afate për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, ashtu siç përdori edhe situatën kur kishte Covid dhe kur donte të qëndronte në pushtet për aq kohë sa të zgjaste Covid, por atëherë Kuvendi ishte ende aktiv dhe e zëvendësoi atë me një shumicë prej dy të tretash. Tani ai po e shfrytëzon përsëri situatën. Ai është mjeshtër në krijimin e mjegullës dhe turmave", tha Maliqi për Kosovo online.
0 komentet