Detyrë e vështirë për Osmanin: A mund të kalojnë votat e diasporës te LDK-ja?
Diaspora shpesh quhet “shtylla e pestë” e demokracisë së Kosovës, ndërsa votat e saj në zgjedhjet e mëparshme vendosën për përbërjen e qeverisë dhe drejtimet e ardhshme politike. Megjithatë, para zgjedhjeve të ardhshme, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është rikthyer në LDK, përballet me një sfidë serioze: si të fitojë besimin e qindra mijëra qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, në kushtet e një klime politike të ndryshuar dhe trazirave të brendshme. A do të mjaftojnë karizma dhe puna e deritanishme e Osmanit për të tejkaluar kritikat gjithnjë e më të zëshme, apo diaspora edhe kësaj radhe do t’ia drejtojë votat Vetëvendosjes dhe liderit të saj Albin Kurti? Bashkëbiseduesit e Kosovo online pajtohen se kjo do të jetë një detyrë shumë e vështirë.
Shkruan: Millena Milladinoviq
Për ndikimin e madh të diasporës në zgjedhje flet fakti se gjatë periudhës së regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, të gjithë liderët e partive politike – nga Bedri Hamza, Ramush Haradinaj deri te Albin Kurti – u kanë bërë thirrje këtij trupi elektoral të regjistrohet dhe “të kontribuojë në demokracinë e Kosovës”.
Pas rikthimit të madh të Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, thirrja për regjistrim iu drejtua diasporës edhe nga kjo parti, si dhe nga vetë Osmani, ish-presidentja e Kosovës, e cila gjatë mandatit të saj presidencial i kushtoi vëmendje të madhe diasporës dhe e përshkroi atë si “pasqyra e Kosovës në botë”.
Duke iu përgjigjur kritikave të mëhershme të opozitës lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve më 28 dhjetor, Osmani kishte deklaruar se detyra e saj si presidente ishte të zgjidhte një datë që garanton pjesëmarrje më të madhe dhe jo më të vogël të votuesve.
Mesazhe të ngjashme ajo përsëriti edhe këtë muaj, duke kujtuar se që gjatë caktimit të datës së zgjedhjeve të dhjetorit kishte theksuar se Kosova do të jetë më e fortë sa më afër të jetë diaspora me çdo vendim, por kësaj here në një rol tjetër, si anëtare e LDK-së dhe kandidate e kësaj partie për presidente.
Numri i votave të diasporës në zgjedhjet e dhjetorit ishte pothuajse 60 mijë, përkatësisht 6.32 për qind, pa llogaritur ata që votuan fizikisht në vendvotimet në Kosovë. Duke pasur parasysh se bëhej fjalë për periudhën kur diaspora në numër të madh kthehet në Kosovë, njohësit e rrethanave vlerësuan se atëherë diaspora përcaktoi të ardhmen e qytetarëve që jetojnë në Kosovë.
Në atë proces zgjedhor, shumica dërrmuese e votave të këtij trupi elektoral shkoi për Vetëvendosjen dhe liderin e saj, kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Qëllimi i Osmanit dhe LDK-së për të marrë votat e diasporës në zgjedhjet e 7 qershorit është, sipas bashkëbiseduesve të Kosovo Online, një detyrë shumë e vështirë, pothuajse e pamundur, sepse Kurti ka mbështetje të fortë te diaspora, e cila ndjek ideologjinë e tij.
Roli i diasporës nuk do të jetë vendimtar
Drejtori i strategjisë në Qendrën për Politika Evropiane në Beograd, Millosh Pavkoviq, vlerësoi për Kosovo online se në këtë moment ekzistojnë dy elemente të rëndësishme. I pari është rikthimi i Vjosa Osmanit nën ombrellën e LDK-së, gjë që, sipas tij, forcon efektin sinergjik, dhe i dyti është çështja e diasporës, përkatësisht nëse tani LDK-ja mund ta marrë diasporën që tradicionalisht ka votuar për Vetëvendosjen.
Siç shtoi ai, kjo do të jetë një detyrë shumë e vështirë për dy arsye.
“Arsyeja e parë është se Vjosa Osmani ka lidhje dhe kontakte diplomatike të konsoliduara jashtë vendit, por kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa trupi elektoral që del në votime është kryesisht i shpërndarë në Evropë – Austri, Zvicër, Gjermani dhe shtete të tjera evropiane”, tha Pavkoviq.
Si arsye të dytë, bashkëbiseduesi ynë thekson faktin se roli i diasporës në këto zgjedhje nuk do të jetë vendimtar për shkak të periudhës kur ato mbahen.
“Ndoshta në këto zgjedhje diaspora nuk do të luajë rol vendimtar siç ndodhi në zgjedhjet e dhjetorit. Tani zgjedhjet mbahen në fillim të qershorit, ndërsa votuesit tradicionalisht kthehen nga diaspora për pushimet verore disi më vonë, në fund të qershorit ose në fillim të korrikut. Në këtë kuptim, trupi elektoral nga diaspora do të jetë më i vogël sesa në zgjedhjet e dhjetorit, por edhe kështu, ai trup i reduktuar votues do të jetë shumë i qëndrueshëm dhe i vështirë për Vjosa Osmanin që t’i afrohet, dhe mbetet mjaft e pasigurt nëse ajo do të ketë ndikim për ta marrë atë pjesë të elektoratit”, përfundoi Pavkoviq.
Votat e diasporës nuk do të transferohen te Osmani
Profesori në Institutin ADGER, Abit Hoxha, deklaroi për Kosovo online se votat e diasporës që më herët i kishte marrë Vjosa Osmani nuk do të transferohen automatikisht tek ajo në zgjedhjet e ardhshme të 7 qershorit.
“Nuk mendoj se votat që Vjosa Osmani i ka marrë më herët nga diaspora do të transferohen automatikisht edhe këtë herë tek ajo, për shkak të mbështetjes strukturore që Vetëvendosja ka me votuesit e saj dhe me rrjetin e saj të mbështetjes strukturore që e ka në Evropë dhe në Kosovë”, tha Hoxha.
Siç theksoi ai, fushata parazgjedhore në Kosovë është një lojë fajësimesh mes partive politike për atë se kush ka bërë më pak, e jo kush do të bëjë më shumë.
“Nuk pres që fushata të ndryshojë krahasuar me fushatat e mëparshme. Është një lojë fajësimesh dhe nxitet me shumë përmbajtje dhe akuza nxitëse, e jo mbi bazën e projekteve, dokumenteve dhe planeve për të ardhmen”, shtoi Hoxha.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit nuk do të jetë ndryshe nga ai i zgjedhjeve të dhjetorit. Ai shtoi se edhe nëse Kurti dhe Vetëvendosja fitojnë rezultat më të mirë se herën e kaluar, pra më shumë se 51 për qind, përsëri do të jetë e nevojshme bashkëpunimi.
“Mendoj se do të kemi të njëjtat rezultate. Edhe nëse Kurti merr, të themi, 55 për qind, çfarë mund të bëjë ai me ato 55 për qind që nuk mundi me 51 për qind? Edhe nëse merrni 55 për qind, ju prapë duhet të bashkëpunoni. Kosova është projektuar si shtet qytetar mbi konsensus politik, nuk është projektuar të ketë institucione njëpartiake. Kështu që Kurti nuk do të mund të bëjë asgjë as me 55 apo 60 për qind, sepse institucionet e Kosovës kërkojnë bashkëpunim me partitë e tjera politike. Për cilëndo nga vendimet që e presin Kurtin, për shembull Asociacionin e komunave serbe ose dialogun apo vendime të tjera, do të nevojitet një bazë më e gjerë vendimmarrjeje dhe jo vetëm vendimmarrja e një partie politike. Atij i duhen LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja, e ndoshta edhe partitë politike serbe”, përfundoi Hoxha.
Kurti e krijoi Osmanin
Analisti nga Tirana, Frok Çupi, theksoi për Kosovo online se ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka “krijuar” Albin Kurti dhe se kthimi i saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk do të thotë që votat e diasporës në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të shkojnë për atë parti.
Sipas tij, Osmani nuk ka asnjë ndikim në Kosovë, ndërsa të gjitha aktivitetet e saj kanë qenë nën kontrollin e Kurtit, prandaj edhe shpërndarja e votave të diasporës nuk do të ndryshojë në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Vjosa Osmani nuk ka asnjë ndikim në Kosovë. Osmanin e krijoi Albin Kurti, ajo është ‘beba’ e Albin Kurtit. Të gjitha aktivitetet e saj kanë qenë nën kontrollin e Kurtit”, tha Çupi.
Çupi beson se rezultati i zgjedhjeve do të jetë i njëjtë si në dhjetor dhe se edhe pas zgjedhjeve situata do të mbetet e njëjtë.
“Nëse partitë si Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk hyjnë në koalicion me Kurtin, Kosova do të vazhdojë të mos ketë president”, theksoi Çupi.
Diaspora tradicionalisht voton për Kurtin
Analisti politik Lulzim Farizi nga Shkupi theksoi se votat e diasporës edhe në zgjedhjet e ardhshme të 7 qershorit do të shkojnë për Aljbin Kurtin dhe partinë e tij Vetëvendosje.
Farizi deklaroi për Kosovo online se në Kushtetutën e Kosovës ekzistojnë dy elemente problematike – zgjedhja e presidentit të Kosovës dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, për shkak të të cilave, sipas tij, në Kosovë do të ketë gjithmonë turbulenca politike.
Ai vlerësoi se ndikimi i Osmanit në periudhën e kaluar ishte i kufizuar, ndërsa në dy vitet e fundit politika e Kurtit dhe Osmanit nuk ka qenë e harmonizuar, veçanërisht sa i përket politikës së jashtme të Kosovës.
“Osmani është përpjekur në njëfarë mënyre t’i kundërvihet, sidomos në kanalet diplomatike, të fotografohet pranë Trumpit dhe kjo i ka dërguar diasporës mesazhin se ajo është personi më me ndikim në shtet që dëshiron të krijojë aleancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, duke pasur parasysh se në dhjetë vitet e fundit diaspora tradicionalisht voton për Kurtin dhe jo për ideologji të tjera, mendoj se diaspora do të votojë shumë pak për Osmanin, përveç mbështetësve të Lidhjes Demokratike që veprojnë në Evropë”, tha Farizi.
Ai theksoi se ndikimi i Kurtit te diaspora është i madh, ndërsa diaspora, siç tha ai, e mbështet ideologjinë e tij.
“Diaspora nuk do të ndikojë shumë në rezultatin e Vjosa Osmanit, sepse rreth 90 për qind e diasporës do të votojë për Kurtin. Ai është më i fuqishmi dhe më i organizuari në diasporë, e cila mbështet ideologjinë e tij, partinë politike dhe atë si lider që aktualisht është i pakonkurrueshëm”, porositi Farizi.
0 komentet