Greqia, Shqipëria dhe Turqia mes destinacioneve më të kërkuara për pushime nga qytetarët e Kosovës
Përgatitjet për sezonin e pushimeve të verës janë duke ecur mjaft mirë dhe për banorët e Graçanicës, me të cilët ekipi i Kosovo onlajn ka biseduar, ndërsa Greqia tradicionalisht mbetet destinacioni i parë dhe banorët e Prishtinës preferojnë Shqipërinë dhe Turqinë. Punonjësit e kompanive turistike theksojnë se biletat për datat e caktuara janë shitur tashmë dhe fluturimet po mbushen më shpejt se vitet e kaluara.
Ndonëse çmimet e akomodimit dhe biletave janë më të larta sesa vitet e kaluara, dëshira për pushime në det vazhdon të jetë më e fortë sesa shtrenjtësia. Ndërsa disa rezervime janë bërë para disa muajve, të tjerët presin ofertën e “minutës së fundit”.
Diferencat në përzgjedhjen e destinacioneve janë të dukshme, por mes qytetarëve të Graçanicës dhe Prishtinës ndahen në tre vende të favorizuara-Greqia, Shqipëria dhe Turqia.
Momirka Çankoviq nga Graçanica thotë se biletat janë blerë para disa muajve dhe prej dekadash pushimet i bën në Greqi.
“Biletat janë blerë për në Greqi. Shkoj aty në det si çdo vit në dekadën e fundit” tha ajo.
Pyetjes nëse ndikon rritja e çmimeve në zgjedhjen e saj, Çankoviq thekson se çmimet vazhdojnë të jenë të pranueshme.
“Kjo është diçka që mund t’a përballoj dhe nuk bëj pjesë në kategorinë e atyre që shkojnë në pushime të shtrenjta” thotë ajo.
Suzana Komatoviq thotë se ende nuk ka vendosur se ku do t’i kalojë pushimet.
“Nëse më del ndonjë mundësi mund të shkoj në Greqi. Çmimet e akomodimit janë rritur në Mal të Zi, Greqi, Turqi dhe Shqipëri, të shikoj çfarë do bëj”, tha Komatoviq.
Ka dhe nga ata që pushimet e tyre vjetore i kanë bërë.
“Bëra pushime 20 ditë në Parali dhe aty shkoj prej 15 vitesh. Është shumë bukur aty. Shkoj në fund të majit-fillm qershori kur është kohë e bukur dhe nuk ka as rrëmujë të madhe, mund të shëtis, notoj dhe marr rreze dielli. Me të vërtetë shumë bukur” thotë Gordana Gjoriq.
Ajo, megjithatë bën të ditur se çmimet janë pothuajse të njëjta si vitin e kaluar.
“Ndoshta janë rritur me 5% kur bëhet fjalë për ushqimin, por gjithçka tjetër ka mbetur e njëjtë, madje dhe akomodimi. Pagova njësoj si vitin e kaluar”, tha Gjoriq.
Nga ana tjetër, qytetarët e Prishtinës për pushime kanë zgjedhur kryesisht Shqipërinë.
Ganimete Deda thotë se dhe këtë vit ashtu sikurse vitin e kaluar, pushimet do t’i kalojë në bregdetin shqiptar.
“Vitet e fundit pushimet verore i kaloj në Shqipëri. Deti është i bukur dhe gjithçka më përshtatet. Do të shkoj dhe në Greqi, por mendoj se dhe këtë vit do të shkoj në Shqipëri në Dhërmi”, tha Deda.
“Do të shkoj në Shqipëri në Shëngjin. Aty është toka jonë”, tha Ali.
Bahrie Ispahiu thotë se pushimet e këtij viti do t’i ndajë në dy destinacione.
“Do të shkoj një javë në Ulqin dhe po kaq në Turqi. Çmimet janë të larta, por punoj dhe mund t’ia lejoj vetes pushime të bukura”, tha Ispahiu.
Ka dhe nga ata që nuk do të udhëtojnë.
“Planifikoj që të qëndroj në Prishtinë dhe të kënaqem me gjithçka çka ajo ka për të ofruar. Dua të vizitoj vendet përreth, sikurse Shqipëria, por që do të doja që sa më shumë njerëz të hulumtojnë Prishtinën dhe shikojnë çka ajo mund t’u ofrojë” tha Rezarta Aliu.
Biletat nga 400 euro e më tej
Themeluesi dhe drejtori egzekutiv i agjencisë turistike “Maks travel“ nga Prishtina Edon Abdullahu thotë se Turqia dhe këtë vit mbetet një prej destinacioneve më të kërkuara, pastaj është Greqia dhe Egjipti.
“Si dhe në vitet e kaluara, Turqia ose Antalia, mbetet një prej destinacioneve më të populluara.
Megjithatë, rritje kanë shënuar dhe destinacione të tjera veçanërisht Greqia pas vendosjes së regjimit pa viza me Unionin Europian. Egjipti edhe këtë vit gjithashtu është mes destinacioneve që shënon rritjen më të madhe, ndërsa në ofertë kemi dhe Italinë, Spanjën si dhe vende të tjera europiane”, tha Abdullahu.
Sikurse bën të ditur, çmimet e biletave nisin nga 400-450 euro e më tej.
“Me këtë vlerë mund të pushosh 7 ditë me biletë 'all inclusive' që përfshin transportin me avion, hotelin, transfertat dhe të gjitha vaktet dhe pijet gjatë qëndrimit”, tha Abdullahu.
Ai shton se qytetarët e Kosovës më shpesh vendosin për ofertat e “minutës së fundit“ dhe rezervimet i shfaqin në momentin e fundit.
“Shumica e njerëzve vendosin në momentin e fundit, por do të shfrytëzoja rastin t'u thoja të rezervojnë herët, sepse këtë vit fluturimet po mbushen shumë më shpejt se vitet e kaluara. Ne përshembull, tashmë i kemi shitur plotësisht të gjitha biletat deri më 1 korrik. Në dy javët e ardhshme, nuk kemi vende të lira për në Antalia” theksoi Abdullahu.
komentet