Më pak turistë serbë në bregdetin shqiptar këtë vit

Turizam
Burim: Kosovo Online

Punonjësit e turizmit në Shqipëri besojnë se rritja e çmimit të shërbimeve i ka kthyer turistët serbë në destinacionet e vjetra si Greqia e preferuar, ndërsa liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ka kontribuar që mysafirët nga Kosova të udhëtojnë në resorte të vendeve të tjera.


Në fund të sezonit veror, kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistik të Shqipërisë, Rahman Kasa, vlerëson për Kosovo online se çmimet e akomodimit dhe shërbimeve në bregdet janë rritur për gati 25 për qind, gjë që sipas tij ka sjellë një numër më të vogël turistësh nga rajoni që kanë pushuar në bregdetin shqiptar.

“Ende nuk kemi të dhëna të besueshme, por sipas asaj që pamë në terren, në vendpushimet tona verore këtë verë ka pasur dukshëm më pak turistë serbë, këtë kanë kontribuar edhe çmimet, të cilat janë rritur ndjeshëm në dy vitet e fundit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me turistët nga Kosova, të cilët për shkak të çmimeve dhe liberalizimit të vizave kanë shkuar në resorted e vendeve tjera. Turistët serbë tradicionalisht shkojnë në Greqi dhe e kanë ruajtur këtë traditë. Vitet e fundit kishim një numër të madh turistësh serbë që vinin në Shqipëri, por rritja e çmimeve nga viti në vit ndoshta i detyroi ata të kthehen në destinacionin e tyre të vjetër. “Në dy vitet e fundit çmimet në Shqipëri janë rritur nga 20 deri në 25 për qind”, tha Kasa.

Ai shtoi se këtë vit në Shqipëri kanë pushuar dukshëm më pak mysafirë nga Kosova.

“Na vjen keq më së shumti për turistët nga Kosova, edhe pse ende nuk kemi të dhëna zyrtare për atë numër, por kemi parë që numri i tyre ka qenë dukshëm më i ulët këtë vit. Këto të dhëna i kam nga kolegët e mi nga Kosova. Një pjesë e madhe e qytetarëve nga Kosova që janë të përfshirë në statistikat zyrtare, ka qenë vetëm tranzit në Shqipëri, duke shfrytëzuar aeroportin e Rinasit, portin e Durrësit apo pikat kufitare drejt Malit të Zi”, përfundon Kasa.

Pavarësisht numrit më të vogël të mysafireve nga rajoni, Shqipëria edhe këtë vit shënoi një rritje të madhe në sektorin e turizmit. Më shumë se 10 milionë turistë vizituan vendin vetëm në nëntë muajt e parë. Besnik Vati, pronar i një agjencie turistike nga Tirana, arsyen e kësaj e sheh te biletat e lira të avionit.

“E njëjta arsye që çoi në rritjen e numrit të turistëve të huaj në Shqipëri, ka sjellë edhe rritjen e numrit të shqiptarëve që kanë kaluar pushimet jashtë vendit. Arsyeja e kësaj e shohim në çmimet e ulëta të biletave të avionëve, dhe fluturimeve të lira. Këto janë statistikat e të gjitha kompanive turistike, çarter. Këtë vit, vetëm një linjë ajrore me kosto të ulët ka pasur 65 destinacione të reja. Është rritur edhe numri i fluturimeve ditore, si dhe numri i fluturimeve nga aeroporti i Rinasit. Shqiptarët nuk janë të interesuar vetëm të shkojnë në vende më të lira për pushime, por në radhë të parë për shkak të kuriozitetit për të vizituar një vend të ri, me çmime shumë më të lira se sa ishte vite më parë”, beson Vati.

Statistikat zyrtare tregojnë se numri i turistëve nga e gjithë bota që kanë udhëtuar përmes aeroportit të Rinasit, vetëm në muajin gusht ka qenë 7.233.711, që është 41 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.