Kurti nga Athina u kthye "duarbosh", politika ekstremiste pa mbështetje
Kryeministri kosovar Albin Kurti, prej takimit të mbrëmshëm me liderët rajonalë dhe zyrtarët europianë në Athinë, u kthye pa asgjë për t'u lavdëruar para ndjekësve dhe simpatizantëve të tij në Kosovë, mendojnë bashkëbiseduesit e Kosovo onlajn.
Qëndrimi i përbashkët i presidentit të Ukrainës Volodimir Zelenski dhe presidentit të Sërbisë Aleksandar Vuçiq rreth mbështetjes reciproke për integritetin territorial dhe paprekshmërisë së kufijve të shteteve sipas parimeve të KB, foli qartë se Kievi nuk e mendon fare njohjen e Kosovës, për të cilën Prishtina shpresonte prej kohësh.
Gjithashtu, mungesa e simboleve të Kosovës në takim, si dhe gjatë takimit të Kurtit me kryeministrin grek Qiriakos Micotaqis, përcollën të njëjtat sinjale kur është fjala për qëndrimin e Athinës ndaj Kosovës.
Analisti i Qendrës për Stabilitet Social, Sërgjan Graovac, thotë për Kosova Onlajn se i “ka rënë në sy” që Greqia i ka mbajtur vazhdimisht rregullat kur është fjala për t'iu drejtuar përfaqësuesve të autoriteteve në Prishtinë, gjë që, thotë ai, shpesh nuk ishte praktikë as në Bruksel.
“Sjellja e mikpritësit ndaj Kurtit ishte me respektin e duhur, por si ndaj dikujt që është në krye të institucioneve të përkohshme në Prishtinë dhe jo në krye të një shteti të pavarur, ky është fakt. Kur t’a marrim këtë në konsideratë, ashtu sikurse qëndrimin e Micotaqis që na e ka transmetuar presidenti Vuçiq, atëherë është e konfirmuar që Greqia nuk do të ndryshojë pozicion rreth Kosovës çka është plotësisht e qartë. Nga ana tjetër, ajo që na frikësoi më shumë ishte qëndrimi i Zelenskit. Pikërisht ky i fundit pas takimit me Vuçiqin vuri në dijeni se nuk e mendon njohjen e Kosovës dhe nuk do t’i shkojë asaj rruge. Kur merren parasysh të gjitha këto, është e qartë se Kurti është dikush që mund të kthehet nga Greqia i zhgënjyer, sepse mendoj se ai të paktën priste të merrte mbështetje, nëse jo nga Athina, atëherë të paktën nga Ukraina, ose të paktën kështu shpresonte" na thotë Graovac.
Ai vëren se konfirmimi i qëndrimit të Greqisë për mosnjohjen e Kosovës, është shumë i rëndësishëm sepse për këtë vend flitet si hallka më e dobët në mesin e pesë anëtarëve të BE që nuk e kanë njohur Kosovën. Për këtë, thotë ai, Sërbia ka arsye për të qenë e kënaqur, ashtu sikurse dhe për shkak se presidenti ukrainas nuk konfirmoi qëndrimet e parlamentarëve në Ukrainë, të cilët mbrojtën idenë e njohjes së "pavarësisë kosovare".
"Gjithashtu u shmang që Sërbia të klasifikohet si dikush që mbështet sanksionet kundër Rusisë. Kur e gjithë kjo merret parasysh, epilogu i takimit është nga perspektiva e Beogradit, më shumë se i mirë" beson Graovac.
Dhe diplomati në pension Millovan Bozhinoviq vlerëson për Kosovo Onlajn se kryeministri kosovar Albin Kurti, ka mbetur duarbosh në Athinë, sepse, siç thekson ai, askush nuk është marrë konkretisht me “separatizmin e tij” ku nuk e kanë miratuar. Çështja e njohjes së Kosovës, thotë ai, në këtë takim ishte krejtësisht e “cunguar”.
Bozhinoviq vlerëson se është gjë e madhe për Sërbinë bisedimet mes Vuçiqit dhe Zelenskit duke pasur parasysh se pala sërbe nxori shumë më tepër elemente pozitive nga sa ç’pritej.
"Lufta në Ukrainë është ngjarja qëndrore politike botërore për momentin, prandaj bisedë me dikë si presidenti Zelenski, është gjë e madhe dhe nëse ai thotë se ata kërkojnë integritet territorial, atëherë kjo ka pasoja të largëta. Ndaj prej këtij takimi, pala jonë doli me më shumë elemente pozitive sesa ndoshta dikush priste” thotë Bozhinoviq.
Ky i fundit thekson se Kurti nuk mund t'i referohet asgjëje për t’a mbështetur, aq më tepër se “tashmë separatizmi i tyre është përhapur dhe ka marrë forma ekstreme”.
“Fakti që ai ishte në Maqedoninë e Veriut dhe çfarë bëri dhe foli aty, është një skandal politik në Europë ku askush nuk e përshëndeti dhe të gjithë e kuptuan thelbin e tij dhe nuk shikoj se dikush në këto momente e miraton atë. Ndoshta në heshtje, por kjo është temë tjetër, ajo që manifestohet në këtë gjë, është është se takimi në Athinë konfirmoi se kufijtë janë të pacenueshëm dhe se nuk mund të ndryshohen kështu”, tha ai.
Ai beson edhe se është në favor të Sërbisë që grekët në takimet e delegacioneve nuk i nxorrën në pah simbolet e Kosovës. Sipas fjalëve të tij, me të tillë veprim, grekët treguan se respektojnë atë çfarë është situata juridike ndërkombëtare-nuk ka "shtet të Kosovës" të barabartë me asnjë shtet tjetër që ishte ftuar në Athinë.
Si një tjetër plus për Sërbinë, Bozhinoviq e shikon se në takim është bërë fjalë rreth vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, por që kjo nuk është përfshirë në deklaratën e përbashkët.
“Kjo është provë që për Bashkimin Europian e rëndësishme është të ketë dialog me Sërbinë dhe që ajo e kuptoi ç’janë kufijtë psikologjike politike sërbe. Këtu ka diçka që në politikën sërbe nuk shkon e kjo është vendosja e sanksioneve Rusisë dhe ata nga kjo janë tërhequr çka për ne është një fitim dhe gjëja tjetër është sesi do të zhvillohet e gjithë kjo në të ardhmen e afërt apo të largët, por në këtë takim, shumë ndjeshmëri të Serbisë, u morën në konsideratë” përmbylli Bozhinoviq.
Ky i fundit shtoi se në takimin e Athinës nuk ka ndodhur asgjë e pafavorshme për Sërbinë dhe se pozicioni i saj nuk është mohuar në çfarëdolloj këndvështrimi.
“Sërbia më parë fitoi sesa humbi gjatë takimit të Athinës”, thotë Bozhinoviq.
Arsyeja e takimit në Athinë ishte 20-vjetori i Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Selanik, ku u miratua Deklarata, e cila për herë të parë konfirmon pa mëdyshje perspektivën europiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në darkën joformale të mbrëmshme, përveç presidentëve të Sërbisë dhe Ukrainës dhe kryeministrit të Kosovës, ishin edhe presidentja e Moldavisë, ai i Malit të Zi, kryetarja e Këshillit të Ministrave të B&H, kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Rumanisë, Bullgarisë dhe Kroacisë, si dhe presidentët e Këshillit Europian dhe Komisionit Europian.
Në takim nuk kishte asnjë përfaqësues nga Shqipëria, ndonëse Micotaqis ftoi për të marrë pjesë presidentin e vendit Bajram Begaj. Ky i fundit e “justifikoi” mungesën e tij me detyrimet e planifikuara më herët, por njohësit e situatës e interpretojnë se mungesa e përfaqësuesve të Tiranës në takimin e Athinës, ishte në fakt kulmi i krizës në marrëdhëniet mes dy vendeve, e cila vazhdon prej majit të këtij viti dhe arrestimit të përfaqësuesit të minoritetit grek, kryebashkiakut të Himarës, në prag të zgjedhjeve vendore në Shqipëri dhe për shkak të akuzave për blerje votash.


komentet