Partitë të gatshme për garën lokale – nga çfarë varet kur qytetarët do të shkojnë në zgjedhje?

Priština izbori glasanje
Burim: Kosovapress

Edhe pse ende nuk është hedhur perdeja mbi zgjedhjet parlamentare, partitë politike tashmë janë në start për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë. Ligjërisht, data e mbajtjes së tyre mund të caktohet në çdo moment, por ky afat do të varet shumë nga përfundimi i bllokadës në Kuvendin e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje, sipas vlerësimeve të bashkëbiseduesve të Kosovo online, po luan në kartën e bashkimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare me ato lokale për kryetarë dhe këshilltarë komunalë, me shpresën se kësaj radhe do të ketë rezultat më të mirë në komuna sesa në vitin 2021. Megjithatë, theksohet se ky subjekt nuk vendos vetë për datën e zgjedhjeve.

Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka bërë të ditur se ka filluar zyrtarisht fazën e parë të përgatitjeve për zgjedhjet lokale dhe ka mbajtur takim me krerët e degëve të saj.

Edhe Vetëvendosje ka filluar aktivitetet, duke e nisur fushatën në Prizren me njoftimin se në radhët e saj është bashkuar Behar Begaj, ish-kryetar i degës së LDK-së në fshatin Zhur, komunë e Prizrenit.

Në zgjedhjet e para katër viteve, kandidatët për kryekomunarët nga Vetëvendosje nuk arritën të fitojnë asnjë komunë në raundin e parë. Në raundin e dytë, ku garuan në 12 komuna, fituan vetëm në katër: Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe Shtime. Partia e Kurtit atëherë humbi betejën në dy qytetet më të mëdha të Kosovës: në Prishtinë fitoi kandidati i LDK-së, ndërsa në Prizren triumfoi ai i Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, datën e zgjedhjeve e përcakton dhe e shpall presidenti i Kosovës pas konsultimeve me partitë politike. Zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se 30 ditë pas përfundimit të mandatit të kryekomunarëve dhe kuvendeve komunale.

Konstituimi i pushteteve aktuale lokale, me përjashtim të atyre në veri që u formuan pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vitin 2023, është zhvilluar gjatë nëntorit dhe në fillim të dhjetorit të vitit 2021, që nënkupton se zgjedhjet në komuna mund të mbahen më së hershmi në shtator. Siç parasheh ligji, vendimi për datën e zgjedhjeve mund të merret gjashtë muaj para mbajtjes së tyre, por jo më vonë se katër muaj para zgjedhjeve – që do të thotë se teorikisht, Vjosa Osmani mund ta shpallë datën edhe sot.

Analisti politik Gezim Kasapolli deklaroi për Kosovo online se beson se Vetëvendosja tashmë ka një plan që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe ato lokale, që pasojnë në vjeshtë, të mbahen njëkohësisht në mënyrë që kjo parti të përpiqet të marrë shumicën edhe në komuna, gjë që nuk ndodhi në zgjedhjet e mëparshme lokale të vitit 2021.

“Albin Kurti do të përpiqet t’ua ‘shesë’ imazhin dhe mitin e tij qytetarëve vendas dhe në një farë mënyre ta kopjojë imazhin parlamentar dhe të fitojë shumicën, sepse në vitin 2021 LDK fitoi zgjedhjet lokale. Pati një ndryshim të madh prej 250,000 votash midis votave që Vetëvendosja mori në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën po atë vit dhe në zgjedhjet lokale”, thotë Kasapolli.

Ai thekson se të gjithë kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale, gjë që, sipas tij, është e palogjikshme në një situatë ku as Kuvendi dhe as qeveria nuk u formuan pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt. Për të ecur përpara, thekson ai, duhet të formohet një parlament i ri.

Zgjedhjet lokale, siç verën, sipas planit duhet të mbahen në tetor të këtij viti, por edhe data e mbajtjes së tyre është çështje marrëveshjeje midis partive politike.

Siç vlerëson, në përgjithësi do të ishte më mirë për Kurtin që zgjedhjet të mbaheshin gjatë verës sepse ai merr më shumë vota nga diaspora, dhe diaspora do të jetë në Kosovë gjatë verës, kështu që nuk do të duhet të shpenzojë shumë para për të “ndjekur vota nëpër botë”.

“Në zgjedhjet e fundit, Kurti u përqendrua kryesisht te diaspora, ai përdori edhe ambasadat dhe bëri një lloj fushate politike atje, dhe më pas iu drejtua një fushate politike në mediat sociale sepse e di që votuesit e tij janë në thelb të rinj që janë kryesisht të angazhuar në mediat sociale”, thotë Kasapolli.

Gazetari nga Mitrovica e Veriut, Llazar Steviq, thotë se Lëvizja Vetëvendosje po synon të afrojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale me ato të reja parlamentare, por thekson se një skenar i tillë do të nënkuptonte që Kuvendi të mbetet i bllokuar deri në shtator.

„Albin Kurti dhe Vetëvendosja po e shfrytëzojnë tërë këtë situatë. Mendoj se ata tashmë kanë hyrë në fushatë. Këtë mund ta shohim më së miri përmes shembujve të ditëve të fundit – hyrja në palestrën sportive, mbyllja e ujësjellësit dhe institucioneve të tjera... Ata thjesht nuk kanë çfarë tjetër t’i ofrojnë elektoratit të tyre në jug – nuk kanë masa ekonomike, as rritje pagash, dhe për këtë arsye po luajnë në kartën e nacionalizmit për të arritur diçka. Megjithatë, çfarëdo që të bëjnë, kjo shkon në dëm të serbëve, jo vetëm në veri, por në të gjithë territorin e Kosovës“, deklaron Steviq për Kosovo online.

 


Ai mendon se Vetëvendosja nuk do të ketë rezultate më të mira në nivel lokal sesa në vitin 2021, sepse popullariteti i saj ka rënë, gjë që, sipas tij, u pa edhe në zgjedhjet parlamentare.

„Vetëvendosja para katër vitesh kishte shumicë të madhe dhe mund ta formonte vetë qeverinë, por këtë herë nuk është ashtu. Rejtingu i tyre ka rënë ndjeshëm, prandaj nuk pres që në nivel lokal të fitojnë më shumë komuna se herën e kaluar. Sidomos nëse përzihet faktori ndërkombëtar – e e dimë se kush është hallka kryesore për vendimmarrje tani. Ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilat Kurti nuk ka marrëdhënie të mira. Në zgjedhjet parlamentare, Riçard Grenell me vetëm dy postime në Tviter ia uli mbështetjen për 10 për qind. Prandaj, nëse vazhdon thirrja që shqiptarët të zgjedhin anën që ka marrëdhënie të mira me SHBA-në, rejtingu i tij do të bjerë edhe më shumë“, beson Steviq.


Sipas analistit Predrag Rajiq, situata aktuale në të cilën Albin Kurti është në pushtet me një mandat teknik i shkon për shtat Kurtit, sepse nga pozicioni i pushtetit para zgjedhjeve të ardhshme lokale, ai mund të përpiqet të forcojë më tej infrastrukturën e partisë.

"Kurti u mund bindshëm në zgjedhjet e fundit lokale. Ai humbi garën në të gjitha qytetet kryesore dhe nuk jam i sigurt nëse do të jetë kështu edhe këtë herë. Mendoj se ai do të ketë sukses të paktën në ndonjë qytet, kështu që mund të thotë 'ne jemi më të fortë lokalisht sesa katër vjet më parë'. Ky është ndoshta qëllimi i tij”, vlerëson Rajiq për Kosovo online.

 


Megjithatë, siç shton ai, nuk është i sigurt se rezultatet nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt do të përsëriten në nivel lokal, sepse aty rezultatet shpesh dallojnë, ndërsa nëse zgjedhjet lokale dhe ato eventualisht të parakohshme parlamentare do të mbahen në të njëjtën ditë, thekson se kjo nuk varet vetëm nga Kurti.

„Për shpërndarjen e Kuvendit dhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare atij i nevojitet një shumicë prej dy të tretash, të cilën nuk e ka. Për këtë duhet konsensus i opsioneve politike, përfshirë edhe opozitën“, thekson Rajiq.

Ai vlerëson se situata e një ngërçi kushtetues mund të zgjasë shumë gjatë dhe se kjo i konvenon Kurtit, ndoshta edhe më shumë sesa të arrijë menjëherë marrëveshje me opozitën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, sepse si kryeministër teknik mund të qeverisë përmes udhëzimeve administrative.