Pse Prishtina u anashkalua gjatë emërimit të ambasadorëve të rinj të SHBA-së në rajon?

tramp i kongres
Burim: Kosovo Online

Mungesa e emërimit të një përfaqësuesi të ri të lartë diplomatik të SHBA-së në Prishtinë, ndërkohë që presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar ambasadorë të rinj për Beogradin, Podgoricën, Sarajevën dhe Sofjen, mund të interpretohet si një sinjal se nga autoritetet e Kosovës priten hapa që do të përmirësonin bashkëpunimin me Amerikën. Gjithashtu, mund të jetë që Shtëpia e Bardhë po pret zhvillimet në skenën politike të Kosovës pas zgjedhjeve, vlerësojnë bashkëbiseduesit e Kosovo online. Megjithatë, ajo që ata e konsiderojnë të qartë është se marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit dhe administratës së Prishtinës janë përkeqësuar dukshëm.

Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Amerika nuk ka ambasador në Prishtinë prej një viti e gjysmë, që kur Jeffrey Hovenier përfundoi mandatin e tij.

Ndërkohë, në shtator të vitit 2025, SHBA-ja pezulloi dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën dhe ende pritet rifillimi i tij.

Megjithatë, në janar të këtij viti, Prishtina u rendit ndër nënshkruesit e parë të Statutit të Bordit për Paqe, një iniciativë për ndërmjetësimin e konflikteve e nisur nga Donald Trump.

Pak para zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi se marrëdhëniet e qeverisë së tij me SHBA-në nuk janë të shkëlqyera, por janë shumë të mira dhe të qëndrueshme. Megjithatë, ish-ambasadori Jeffrey Hovenier dha një “diagnozë” krejtësisht tjetër.

Sipas Hovenierit, reputacioni i Kosovës në Uashington ka pësuar një goditje serioze gjatë 16 muajve të fundit.

“Qeveria e re do të duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të konsoliduar kapacitetet e saj dhe për të filluar rindërtimin e besimit mes Kosovës dhe partnerëve të saj, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ish-ambasadori në Prishtinë në një intervistë për Kosovo online.

Fakti që Trump e “anashkaloi” Kosovën kur javën e kaluar propozoi në Senat disa ambasadorë për rajonin, sipas analistit politik Artan Muhaxhiri, përbën një mesazh për Prishtinën se nga pala kosovare nevojiten shumë më tepër investime politike në raport me administratën amerikane, në mënyrë që marrëdhëniet të përmirësohen dhe të normalizohen siç kanë qenë më parë.

Muhaxhiri thotë se është shumë e qartë që administrata e presidentit Donald Trump, në përgjithësi, nuk ka interesim për skenën politike të Kosovës në masën që kishte administrata e mëparshme.

Për këtë arsye, siç deklaroi ai për Kosovo online, posti i ambasadorit amerikan në Prishtinë ka mbetur vakant për kaq gjatë.

“Kjo është një porosi e qartë e administratës Trump për Kosovën se duhet të ketë shumë hapa pozitivë, progresivë dhe të rinj, si dhe vendosmëri nga udhëheqja kosovare, veçanërisht nga kryeministri Kurti, për të treguar gatishmëri më të madhe dhe më shumë plane për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veçanërisht në çështjet gjeostrategjike, siç është çështja e gazit, e cila është shumë e rëndësishme për SHBA-në, por edhe në tema të tjera gjeopolitike”, vlerëson Muhaxhiri.

Drejtori ekzekutiv i Iniciativës Pupin, Vuk Velebit, ka një përshtypje të ngjashme.

Ai thotë se Kosova nuk është prioritet i administratës amerikane dhe se mungesa e nominimit të një ambasadori amerikan në Kosovë mund të interpretohet si pjesë e një riorientimi më të gjerë të Amerikës ndaj rajonit. Megjithatë, sipas tij, ekziston edhe mundësia që bëhet fjalë për një pritje të përfundimit të procesit zgjedhor ose që kjo çështje thjesht nuk është prioritet në këtë moment.

“Përkeqësim i dukshëm i marrëdhënieve”

Velebit verën se është e vështirë të interpretohet se çfarë fshihet pas faktit që presidenti amerikan ende nuk ka nominuar një ambasador për Prishtinën, por se përkeqësimi i marrëdhënieve ndërmjet administratës së Prishtinës dhe Uashingtonit është gjithsesi i dukshëm.

“Në bisedat në Uashington mund të vërehet se, kur flitet për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Amerikës, dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës nuk përmendet më në mënyrën si përmendej më parë. Në Uashington është grumbulluar një frustrim ndaj Albin Kurtit gjatë viteve të fundit, veçanërisht tani me administratën Trump. Prandaj mendoj se Kosova është lënë disi anash”, deklaroi Velebit për Kosovo online.

Ai shpjegon se përkeqësimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe SHBA-së mund të shihej edhe kur u pezullua dialogu strategjik me Kosovën, i cili ishte paralajmëruar në të njëjtën kohë me dialogun strategjik me Serbinë.

Po ashtu, ai thekson se në dokumentin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili muajin e kaluar iu dorëzua Kongresit, thuhet qartë se gjatë këtij viti do të nisë dhe do të zhvillohet dialogu i parë strategjik me Serbinë.

“Këto janë ndryshime të dukshme kur bëhet fjalë për qasjen e administratës amerikane ndaj rajonit, e veçanërisht ndaj serbëve në rajon, qoftë ndaj serbëve në Republikën Sërpska, serbëve në Kosovë dhe Metohi, apo në raportet zyrtare ndërmjet Beogradit dhe Uashingtonit”, thotë ai.

Duke pasur parasysh se në dokumentin e Departamentit të Shtetit nuk përmendet dialogu strategjik me Prishtinën, Velebit vlerëson se kjo është sigurisht një porosi për Albin Kurtin se administrata Trump nuk dëshiron të bashkëpunojë me të.

“Ata janë të vetëdijshëm se Albin Kurti është një lider me prirje bolshevike dhe në thelb antiamerikan për nga sjellja e tij. Amerikanët ndoshta do të donin të shihnin dikë tjetër në Prishtinë, por mendoj se kjo është një mesazh i qartë. Pasojat më të mëdha të politikës së Albin Kurtit i bartin qytetarët që jetojnë në Kosovë dhe Metohi, qoftë shqiptarë apo serbë”, vlerëson Velebit.

Nga ana tjetër, siç thekson ai, pozitiv është ndryshimi që po ndodh ndaj popullit serb në rajon, pasi edhe ambasada amerikane është aktivizuar, ndoshta më shumë se më parë, dhe është më e zëshme kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe fetare të serbëve në Kosovë.

Kandidati së shpejti?

Pas largimit të Hovenierit nga Prishtina, më 30 dhjetor 2024, detyrën e të ngarkuarës me punë të Ambasadës Amerikane e mori Ana Pratipati.

Për të, Luke Zaner, bashkëpunëtor i lartë në Departamentin për Siguri Kombëtare dhe Politikë Ndërkombëtare në Qendrën për Progres Amerikan në Uashington dhe ish-diplomat amerikan, thotë se është një e ngarkuar me punë shumë e kualifikuar, prandaj nuk mendon se problemi qëndron te fakti se Shtëpia e Bardhë ende nuk ka nominuar një ambasador për Kosovën. Sipas tij, ambasada në Prishtinë funksionon me kapacitet të plotë.

“Ambasada është shumë aktive në terren. Aktualisht ka një të ngarkuar me punë shumë të kualifikuar. Ndoshta nuk do të shohim hapa të mëdhenj që Shtetet e Bashkuara do të shtynin përpara sa i përket Serbisë dhe Kosovës ose rajonit në tërësi. Por nuk mendoj se kjo do të ketë domosdoshmërisht ndikim negativ në marrëdhëniet dypalëshe në periudhën e afërt”, tha ish-diplomati amerikan për Kosovo online.

Ai gjithashtu pret që kandidati për ambasador në Kosovë të nominohet gjatë javëve ose muajve të ardhshëm.

Ndryshe, javën e kaluar presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nominoi Michael Young, ekspert të së drejtës ndërkombëtare dhe diplomacisë, për ambasador të SHBA-së në Serbi. Ronald Johnson, gjeneral brigade në pension, është propozuar për ambasador në Bosnje dhe Hercegovinë, ish-anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Karolinës së Jugut dhe prokurori federal për distriktin e Karolinës së Jugut, Peter McCoy, është kandidat për Malin e Zi, ndërsa ish-anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Floridës me përvojë në biznesin privat, Douglas Holder, për Bullgarinë.

Më parë, në prill, për ambasador në Shqipëri u propozua gjeneral-lejtnanti në pension Eric Wendt, i cili tashmë ka marrë miratimin e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan dhe pret konfirmimin e Senatit.