Gajiq: Serbia më tërheqëse për investitorët e huaj, ruajtja e atraktivitetit sfidë për të gjithë rajonin

Mihailo Gajić
Burim: Kosovo Online

Mihailo Gajiq nga rrjeti ekonomik kërkimor Libek në Beograd thekson se Serbia vazhdon të tërheqë më shumë investime të huaja ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, por në një bisedë për Kosovo online paralajmëron se i gjithë rajoni aktualisht po përballet me sfida në ruajtjen e atraktivitetit për investime.

Gajiq thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë kryesisht konkurrente mes tyre.

“Sigurisht, secili dëshiron të tërheqë një investim që nënkupton, për shembull, transfer teknologjie, krijimin e vendeve të reja të punës dhe, natyrisht, rritjen e pagave, nëse bëhet fjalë për industri produktive. Pra, nga kjo pikëpamje, secili vend ka interes që investimi që vjen në rajon të shkojë tek ai, e jo tek fqinji,” shpjegon ai.

Ai shton se arsyeja e kësaj konkurrence qëndron edhe në strukturën e investimeve të huaja. Sipas tij, shumë nga investimet e huaja që hyjnë në tregjet e Ballkanit Perëndimor nuk përfshijnë kompani vendore në zinxhirët e tyre të furnizimit.

“Me fjalë të tjera, ata vijnë për të shfrytëzuar disa avantazhe konkurruese që ekzistojnë këtu. Këto janë, para së gjithash, fuqia punëtore e mirë e trajnuar dhe relativisht e lirë. Por, nuk ka efekt përhapjeje në të gjithë industrinë e këtyre vendeve. Problemi është që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë pjesë e një tregu të përbashkët, kështu që, për shembull, një kompani nga Maqedonia nuk mund të përfshijë lehtësisht një kompani nga Bosnja ose Serbia në procesin e prodhimit, dhe anasjelltas – kështu që gjithçka, më shumë a më pak, mbetet brenda tregut kombëtar,” thekson ai.

Gajiq kujton se, nëse shikohet vetëm prurja bruto e investimeve të huaja direkte në Serbi, ato janë rritur gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke arritur një nivel historik prej rreth 5.2 miliardë eurosh. Megjithatë, ai vëren se në këtë vit ato kanë rënë.

“Në gjashtëmujorin e parë janë ulur me rreth 40 për qind, duke u kthyer në nivelin e vitit të kaluar. Ka disa shkaqe të njëhershme, si shitja e infrastrukturës së Telekomit, që e rriti artificialisht nivelin e investimeve të huaja direkte vitin e kaluar, duke bërë që baza të ishte më e lartë. Megjithatë, edhe kur kjo përjashtohet, shihet se investimet janë më të ulëta se në dy vitet e mëparshme. Duket se, në një moment kur ekonomia gjermane po stagnon tashmë për të pestin vit apo është në recesion, Serbia dhe i gjithë rajoni po fillojnë ta humbin garën për investime,” shpjegon Gajiq.

Ekonomisti nga Libek-u shton se bëhet fjalë për një trend më të gjerë rajonal.

“Investimet e huaja direkte po bien në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, pra rajoni ynë dhe Serbia nuk janë përjashtim, ne ndjekim ato trende të përgjithshme. Po ashtu, disa nga faktorët që më parë tërhiqnin investitorët e huaj në Serbi tashmë nuk janë aq tërheqës. Pagat po rriten më shpejt se produktiviteti, çmimet e energjisë, veçanërisht të rrymës dhe gazit janë rritur, kështu që janë zbehur ato përparësi që më parë i bënin investitorët e huaj të vinin në Serbi dhe në rajon,” thotë Gajiq.

Duke folur për masat që Serbia ndërmerr për të tërhequr investime, ai thekson se ato janë të drejtpërdrejta dhe jo e drejtpërdrejta.

“Masat e drejtpërdrejta janë, siç e shohim shpesh, subvencionet nga buxheti që paguhen për çdo vend pune të hapur nga investitorët e huaj. Masat e tërthorta janë më pak të dukshme , lirime nga pagesat e ndryshme të taksave, kontributeve mbi pagat e punonjësve, shpenzimeve për pajisjen e zonave industriale, dhurimi i tokës apo lirimi nga taksa lokale të tjera. Për shkak se nuk janë të dukshme, nuk mund të vlerësojmë plotësisht sa para janë ndarë, por nga buxheti, çdo vit ndahen mes 120 dhe 150 milionë euro për subvencione,” thekson ai.

Ai shton se këto politika për tërheqjen e investimeve janë efektive, sepse Serbia ende tërheq më shumë investime të huaja në rajon.

“Kur e shikojmë madhësinë e ekonomisë në kuadër evropian, Serbia tërheq dukshëm më shumë investime të huaja se vendet e tjera, jo të matur me pjesëmarrjen në PBB, por në vlerë absolute. Pra, mund të themi se këto politika janë efektive. Megjithatë, niveli i përgjithshëm i investimeve nuk është dukshëm më i lartë, gjë që tregon një problem me investimet vendore relativisht të ulëta dhe me kushtet e përgjithshme për investime në vend,” përfundon Gajiq.