Hofbauer: Nuk është mirë kur ekonomitë e dobëta si e Kosova investojnë në armatim në vend të zhvillimit

Hanes Hofbauer
Burim: Kosovo Online

Qeveria e Kosovës, me vendimin për të shpenzuar para për armatim në vend të projekteve infrastrukturore dhe sociale, i është dorëzuar presioneve të shteteve që prodhojnë armë, thotë për Kosovo online historiani dhe ekonomisti austriak Hannes Hofbauer. Ai vë në dukje se BE-ja, dhe sidomos Gjermania, po shpenzojnë gjithnjë e më shumë fonde pikërisht për të nxitur industrinë ushtarake dhe blerjen e armëve.

Autori i librit “Në luftën ekonomike”, në të cilin trajton politikën e sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë dhe pasojat e tyre, Hofbauer vëren se të gjithë jemi dëshmitarë të “keynizmit ushtarak”.

“Bëhet fjalë për faktin që BE-ja, sidomos Gjermania, po alokojnë shumë para për të nxitur industrinë ushtarake dhe blerjen e armëve, dhe kështu nxisin ekonominë. Kjo është keynizëm ushtarak. Një situatë të ngjashme e pamë tek Hitleri, edhe tek Reagan që ekonomia të nxitet përmes kërkesës ushtarake. Kjo mund të jetë e mirë për vendet e punës në të tashmen, por për njerëzimin dhe për paqen është një lajm katastrofik”, shpjegoi Hofbauer.

Ai tha se që nga viti 2008 ekziston një krizë strukturore e përdorimit të kapitalit, dhe se janë provuar shumë gjëra për të zgjidhur atë problem.

Për shembull, gjatë krizës së koronavirusit u përdor industria farmaceutike, dhe tani fokusi është te armatimi.

“Çdo dollar dhe çdo euro mund të shpenzohet vetëm një herë. Mund të zgjidhet nëse paratë do të injektohen në industrinë ushtarake apo në shërbimet sociale. Në Gjermani po shohim që projektet infrastrukturore dhe sociale po zvogëlohen, dhe në vend të tyre investohet në armatim. Kjo padyshim është një katastrofë e madhe që po e përjetojmë”, theksoi Hofbauer.

Meqën se edhe Kosova po blen sasi gjithnjë e më të mëdha armësh, ai nënvizon se “nuk është mirë kur vende të vogla si Kosova investojnë para në blerjen e armëve, në vend që t’i investojnë në projekte infrastrukturore dhe sociale”.

“Për këtë sigurisht fajtor është presioni i atyre që duan të shesin armë, dhe Kosova është një shtet i dobët, i vogël, që nuk njihet nga shumë anëtare të BE-së. Ata i janë dorëzuar presionit, dhe kjo është një shenjë e keqe për qeverinë e Kosovës”, mendon eksperti austriak.

Në lidhje me njoftimin e Kosovës për nisjen e një industrie të saj ushtarake, kryesisht një fabrike municioni, ai kujton se në Evropën Lindore ka shumë vende, si Republika Çeke, Sllovakia dhe Polonia, që janë prodhues tradicionalë të armëve, kundër të cilave një shtet shumë i vogël do të ketë vështirësi të konkurrojë.

Kur bëhet fjalë për sfidat me të cilat përballet Serbia, para së gjithash për sanksionet amerikane ndaj NIS-it dhe vendimin e BE-së për të ndalur transferimin e gazit nga Rusia, Hofbauer nuk ka asnjë dyshim se bëhet fjalë për “metoda mafioze”.

“Kam shkruar tashmë në një koment në mediat gjermane se ajo që Trump dhe von der Leyen po i bëjnë Beogradit e konsideroj si një metodë mafioze. Bëhet fjalë për presion që vjen nga SHBA-të, të cilin e ka mbështetur BE-ja, si edhe Kroacia që ka njoftuar uljen e furnizimeve me naftë për Serbinë. Mendoj se kjo është një mënyrë mafioze e trajtimit të një vendi të vogël”, shpjegoi Hofbauer.

Ai theksoi gjithashtu se arsyeja e gjithë kësaj, për të cilën flitet edhe hapur, është fakti që Serbia është i vetmi vend në Evropë, përveç Bjellorusisë, që nuk merr pjesë në sanksionet kundër Rusisë.

Në fakt, sanksionet ndaj Rusisë janë tema e librit të tij “Në luftën ekonomike”, në të cilin ai tregon standardet e dyfishta të Perëndimit. Hofbauer me dokumente tregon se sanksionet që janë vendosur nga SHBA-të për shkak të luftës në Ukrainë, e më pas edhe nga BE-ja, përbëjnë shkelje të normave të së drejtës ndërkombëtare, sepse sanksione mund të vendosë vetëm Këshilli i Sigurimit i OKB-së.